E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërkon investitorë nga Afrika e Jugut

Shqipëria kërkon investime nga Afrika e Jugut. Kryeministri Berisha priti dje në takim ambasadorin e Republikës së Afrikës së Jugut, rezident në Romë, Lenin M. Shope, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri. Ambasadori i Republikës së Afrikës së Jugut, Lenin M.Shope, vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në vitet e fundit dhe ndryshimet e mëdha që po bëhen në vend, si rezultat i reformave të suksesshme. Ambasadori Shope shprehu vullnetin e qeverisë së Afrikës së Jugut për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryeministri Berisha i kërkoi ambasadorit që Afrika e Jugut të konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kushti themelor për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Shqiptarët e Kosovës, theksoi Kryeministri, janë rast i ngjashëm me historinë e Afrikës së Jugut, pasi ata përjetuan gjenocidin më të egër gjatë gjithë shekullit të kaluar, nga dhuna serbe.

Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe i uroi suksese në detyrat e mëtejshme. Kryeministri Berisha shprehu dëshirën dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në nxitjen e investimeve të Afrikës së Jugut në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›