E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gruaja" e dytë e Barack Obama-s

Më 25 janar të vitit 2008,
një ditë para zgjedhjeve
demokrate në Karolinën
e Veriut për kandidaturën
presidenciale, Barack Obama ndihej
shumë i lodhur. Teksa po i hidhte
sy listës së evenimenteve në të cilat
duhet të merrte pjesë, i tha shefit të
stafit se ndihej i lodhur e se duhet ta
shmangnin takimin me një grup grash
afro-amerikane, të gjitha të shkolluara
në universitetet më të mira të vendit.
Po, Obama ndihej shumë i lodhur dhe
dukej se nuk kishte burrë që ta bindte
për të qenë i pranishëm në takimin
tashmë të shënuar në axhendë. Ata që
i qëndronin pranë kandidatit Obama,
në atë çast, e dinin se ekzistonin
dy persona që mund t‘ia ndërronin
mendjen Presidentit: bashkëshortja
e tij, Michelle, dhe Valerie Jarret. Kjo
e fundit është një mikeshë e vjetër e
Obama-s dhe këshilltare e tij. Për sa
i takon situatës së 25 janarit, stafi i tij
kishte të drejtë, sepse falë ndërhyrjes
së dy grave, Obama mori pjesë në një
takim me të vërtetë shumë interesant.
Në fakt, në historinë e njerëzve të
fuqishëm, ndër të cilët pa dyshim janë
edhe presidentët amerikanë, dihet se
ka pasur dhe ka gjithnjë disa persona
të cilët kanë ndikim më të madh se të
tjerët në vendimmarrjen e tyre. Në rastin
e Obama-s, përveç bashkëshortes së
tij, Michelle, personi i dytë është Valerie.
Ajo është një person që pak kishte
të bënte me Uashingtonin më parë, por
që aktualisht ka një nga vendet e punës
më të rëndësishme të administratës
amerikane: këshilltare presidenciale
për çështjet ndërqeveritare dhe publike.
Një post i tillë, i përkthyer me
fjalë të thjeshta, është "ndërmjetëse e
Obama-s me botën e jashtme".
Ndërkohë Jarret është edhe mikja e
ngushtë dhe e vjetër e Presidentit dhe
një nga njerëzit më të afërt dhe më
besnikë në Shtëpinë e Bardhë. Sipas
vetë fjalëve të Obama-s, Valerie është
një nga mikeshat e tij më të vjetra.
"Shpesh marrëdhënia jonë ka marrë
përmasa të tilla saqë na është dukur
se kemi qenë të një gjaku. I besoj asaj
plotësisht", ka thënë vetë Obama në
një konferencë për shtyp. Po çfarë bën
Jarret ekzaktësisht. Së pari, axhenda
e saj është e mbushur me shumë takime,
konferenca dhe fjalime. Ajo
është personi kryesor që e prezanton
dhe e përcjell Obama-n te komuniteti
i biznesit. Në skuadrën ekonomike
të Presidentit, vetëm Jarret, një ishpresidente
e një firme për pasuritë e
patundshme në Çikago, ka drejtuar
një biznes me xhiro miliarda dollarësh.
Marrëdhëniet dhe komunikimi që ajo
ka me sektorin privat është një nga
armët e forta që ajo ka dhe një nga
ndihmat që i ofron Obama-s me praninë
dhe konsultën e saj. Ndër të tjera,
Jarret bën edhe detyrën e mbështetëses
së çështjeve të minoriteteve, edhe pse
Shtëpia e Bardhë qeveriset nga një
person me ngjyrë. Përvoja e përbashkët
e Jarret dhe Obama-s ka të bëjë me
racën dhe në një nivel më të thellë me
bashkekzistencën mes të ndryshmeve,
në realitetin amerikan të pas Luther
King-ut, në të cilin janë bërë bashkë
ambicia, ndërgjegjja, aktivizimi dhe
drejtësia. Të dy bashkë, Jarret dhe
Obama kanë përvojë të gjatë bashkekzistence
dhe ndryshimi në një
realitet në ndryshim. Ata kanë jetuar
dhe punuar në Çikagon që drejtohej
për herë të parë nga një kryebashkiak
i zi, Richard Daley dhe panë e prekën
me duart e tyre ndryshimin. "Të gjithë
e ndjenim se gjërat, njerëzit mund
të ndryshonin", u shpreh Jarret kur e
pyetën se çfarë domethënieje kishte
për të dhe Obama-n rritja në një qytet
si Çikago. Megjithatë për Valerie,
ajo çka është më e rëndësishme për
Obama-t në një qytet si Çikago është
fati se aty ata njohën njëri-tjetrin dhe
hodhën bazat e familjes. Jarret nuk
e pati të vështirë që të bëhej pjesë e
ngushtë e familjes së re Obama. Ajo
ishte zëvendësshefe e stafit e kryebashkiakut,
Daley, një nga njerëzit më
të fuqishëm të qytetit në vitin 1991.
Në atë kohë nisi një politikë e re promovimi
e njerëzve të rinj me ngjyrë
në postet e rëndësishme vendimmarrëse
të administratës së qytetit. Në
këto rrethana, Jarret u njoh me një
zezake të re dhe shumë të shkolluar
me emrin Michele Robinson. Të dyja
gratë, që në takimin e parë, patën
një ndjesi se ai takim nuk do të ishte
kurrsesi edhe i fundit. Brenda një viti,
Michele u bë një nga njerëzit më të
besuar të Jarret dhe po kështu edhe i
fejuari i saj, Barack. Vetë Jarret është
bija e prindërve afro-amerikanë dhe
ka lindur në Iran. I ati i saj, mjek, drejtonte
një spital në këtë vend si pjesë
e një programi ndihme amerikane.
Lidhja e Obama-s me Jarret është deri
diku shumë e kuptueshme, duke qenë
se që të dy janë rritur jashtë vendit
dhe kanë pasur kontakte me kultura
dhe njerëz të tjerë, ndaj e kanë pasur
më të lehtë që të tregohen të hapur
ndaj tyre dhe ndaj vetë njëri-tjetrit.
Obama, siç shkruan në kujtimet e
tij, ishte gjithmonë i tërhequr dhe
i mrekulluar nga heronjtë e vërtetë
të lëvizjeve të të drejtave të njeriut.
Ndërkohë lufta e Jarret ishte e një
tjetër sfere: si të arrinte të ndiqte
dhe të imitonte me sukses modelet e
njerëzve që i kishte ofruar jeta. I ati,
dr. James Bowman, ishte një patolog
i shquar. Me të njëjtën famë ishte
dhe e ëma, një eksperte e zhvillimit
të fëmijëve të mitur. Linja e jetës së
saj, nga vajzë doktori, në studente
në Standford, në bashkëshorte të një
shefi korporate, ishte një linjë që,
siç thotë vetë, e ndoqi pa ndonjë zell
të veçantë. "Isha si një person që ka
një rrugë të programuar dhe e di se
atë duhet ta ndjekë", ka thënë Jarret.
Por kjo linjë u ndërpre nga ajo kur, në
vitin 1987, vendosi që të braktisë martesën
dhe punën. Edhe pse ishte nëna
e një fëmije në moshën 2-vjeçare, ajo
shkoi të punonte si këshilltare ligjore
e Këshillit Korporativ të Bashkisë së
Çikagos. Detyra e saj ishte që të merrej
me çështjet civile. Gjatë 15 viteve,
trajektorja e pushtetit dhe ngritjes së
saj do të kalonte edhe vetë Obama-n.
Vitet e palumtura të Jarret, si një juriste
e çështjeve të pronave, duket se po shpaguheshin
me detyrën e re. Disa vjet më
pas ajo u bë një nga njerëzit më të afërt
dhe më të besuar të kryebashkiakut të
Çikagos. Kryebashkiaku i ri zezak e promovoi
Jarret, duke e bërë shefe të stafit
dhe më pas komisionere të planifikimit,
duke i lënë tërësisht në dorë çështjet
ligjore të qytetit. Ndërkohë ajo po rriste
të bijën dhe ishte bërë pjesë e një rrethi
social që bënte bashkë njerëz me të
njëjtën mendësi e mentalitet, kryesisht
me ngjyrë, që, sikurse vetë Jarret, e
shihnin ndryshimin jo vetëm te vetja,
por te të gjithë. Në këtë rreth njerëzish
ishin edhe Obama-t. Ishte Jarret që e
solli Michelle në administratën e kryebashkiakut,
ajo mori pjesë në dasmën
e Obama-ve dhe ka qenë pranë tyre
në të mirë e në të keq. Një moment i
tillë, pra "i keq", ishte ai i vitit 1995, kur
Jarret nisi që të humbte mbështetjen e
kryebashkiakut. E plagosur dhe e zhgënjyer
nga kjo gjë, ajo gjeti mbështetje
miqësore dhe konkrete tek Obama-t.
Pas vitit 2000, ndërsa pozita e saj ishte
forcuar sërish, ajo u shndërrua në një
nga mbështetëset dhe përkrahëset e
hapura të Obama-s, yllit të ri të Çikagos.
Në vitet në vijim, roli që luajti
ajo në ngjitjen e tij ishte i madh, por
deri diku, i kufizuar. Për fushatën e tij
si senator, ajo e prezantoi Obama-n
te disa donatorë shumë të fuqishëm,
që ishin kyç për fitoren e tij. Ajo ishte
ndër të paktët këshilltarë të afërt që,
në vitin 2006, u bënë bashkë për të
projektuar fushatën e tij të ardhshme
presidenciale. Gjatë gjashtë muajve
të parë të fushatës presidenciale të
Obama-s, Jarret ishte në kontakt të
vazhdueshëm me të, por ndërkohë
vazhdoi të qëndronte në Çikago për
të drejtuar bursën e Çikagos dhe një
firmë private. Por ky qëndrim ndryshoi
natën e 17 korrikut të vitit 2007,
kur Obama organizoi një mbledhje në
shtëpinë e Jarret në Çikago, duke qenë
se gjërat nuk po shkonin siç duhej.
Aty lindi nevoja që Obama kishte
nevojë për një këshilltar të vërtetë,
të shkathët, me njohje, që të luante
rolin e një ure mes tij dhe elektoratit.
Doli që personi i duhur për këtë
pozicion ishte Jarret. Megjithatë ajo
sërish nuk u zhvendos nga Çikago
dhe, sipas disa këshilltarëve të tjerë
të Obama-s, nuk luajti ndonjë rol
që solli ndryshime të mëdha. Ajo ka
qenë një mbështetëse e idesë për
përfshirjen e Michelle Obama-s në
fushatë dhe në rolin që ajo duhet të
merrte për të qenë pjesë reale dhe e
rëndësishme e bashkëshortit. Disa
ditë pasi erdhi në Shtëpinë e Bardhë,
Obama i tha shefit të tij të stafit, Rahm
Emanuel, që Jarret duhet të ishte pa
tjetër brenda Shtëpisë së Bardhë. Në
fakt këta janë ndër personat më të afërt
të Presidentit, që kanë ndryshueshmëri
të madhe mes tyre, por për Obama-n
kjo është më se e pranueshme, sepse ai
synon që të ketë njerëz me mendime
të ndryshme për të nxjerrë vetë më
pas atë që është e duhura. Ndërkohë
shumë persona brenda Shtëpisë së
Bardhë e dinë se, ndërsa shumë gjëra
dhe persona mund të ndryshojnë pozicion
brenda atyre mureve, në zemrën e
Obama-s, vendi që ka Jarret nuk do të
ndryshojë kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›