Reforma e teksteve ka nevojë për ndryshime
Forum
Flasin për librat shkollorë hartuesja Rita Petro, botuesit Adrian Laperi, Redi Jegeni
Reforma e teksteve shkollore nuk ka dështuar, madje është një hap drejt modernes, profesionales dhe kërkesave të kohës. Alterteksti nuk është një reformë e dështuar, por shumë e suksesshme, nëse i referohemi iniciativës së lirë, larmisë për të zgjedhur në treg, por kjo reformë ka nevojë për ndryshime, përmirësime jo vetëm për metodologjinë e punës, angazhimin e të gjithë faktorëve por, mbi të gjitha, për t’i dhënë nxënësve më shumë cilësi në mësimdhënie e mësimnxënie. Pas debatit të hapur nga gazeta “Shqip” lidhur me ndryshimet që do të pësojë reforma e Altertekstit, përzgjedhja e tyre, përqendrimi i vëmendjes më të madhe tek autorët se te botuesit, flasin në një forum hartuesja Rita Petro, botuesit, Adrian Laperi, Redi Jegeni. Sipas tyre, para se të merren vendime për ndryshime, nevojiten marrja e iniciativave ligjore, bisedimi me grupet e interesit për përmirësim të kësaj reforme si dhe evoluim i mëtejshëm i reformave në arsim, siç është edhe Alterteksti.
“Lidhur me debatin e hapur për ‘Altertekstin’ mund të them që kjo reformë nuk ka dështuar, ka pasur probleme të cilat kanë nevojë për përmirësim, por nuk ka dështuar. Në sajë të kësaj reforme, tregu ka pasur larmi dhe llojshmëri zgjedhjesh. Po ashtu, cilësia e shtypshkrimit është rritur dhe ka ardhur duke u perfeksionuar. Disa nga arsyet që kanë bërë të çalojë kjo reformë janë moshartimi i programeve dhe teksteve në grup nga klasa e parë në klasën e pestë, nga klasa e pestë në klasën e nëntë e kështu me radhë, me qëllim që autorët të dinë çfarë t’i japin nxënësve nga njëra klasë te tjetra”, sqaroi botuesi, Adrian Laperi.
“Reforma e Altertekstit i vuri të gjithë në fushën e mejdanit, në konkurrencën e tregut të lirë. Shumë autorë e kanë kuptuar se, që teksti i tyre të ketë sukses, duhet të zgjedhin dhe të bashkëpunojnë me shtëpi botuese serioze dhe jo të vrapojnë e t’u luten zyrtarëve të shtetit që t’i zgjedhin autorët, siç bëhej para viteve ‘90. Por më e rëndësishme nga të gjitha është, se mësuesi për herë të parë ndjeu vlerën e vet, që ta zgjedhë vetë mjetin e tij të punës, tekstin”, sqaron Rita Petro, specialiste didakte dhe botuese.
“Unë mendoj se vetëm puna në ekip, puna në një bashkëpunim të gjerë ndërmjet autorëve dhe shtëpive botuese të kompletuara me specialistë të fushës përkatëse, mund të japë një produkt, i cili do të plotësonte kriteret e nevojshme. Autori është vetëm një arkitekt, kurse shtëpitë botuese janë realizuesit e projektit.
Botuesi përveçse ka ekspertizën, rrezikon investimin dhe është i interesuar ta nxjerrë tekstin në kohë dhe me cilësinë e duhur. Kjo është logjika e ekonomisë së tregut”, deklaron botuesi Redi Jegeni.
#