“Komuna e Parisit”, probleme me pusetat
Investimi
Bllokimi i pusetave dhe i tubacioneve të ujërave të zeza duket se do të mbetet edhe për shumë kohë problem i pazgjidhshëm për banorët që popullojnë rrugën “Komuna e Parisit”. Ndonëse kjo është edhe zona me dendësinë më të madhe të popullsisë për metër katror në kryeqytet, sërish aty telashet mbeten të pazgjidhura nga ana e institucioneve shtetërore.
Vetë banorët shprehen të shqetësuar dhe shprehen se pas ankesave të shumta që kanë kryer sërish nuk kanë mundur që t’u gjejnë zgjidhje këtyre problemeve. Sipas tyre, ndërtimet e pallateve shumëkatëshe në këtë territor, si edhe investimet ende të pambyllura në këtë bllok kanë bërë që pusetat dhe kanalet e ujërave të zeza të bllokohen vazhdimisht.
“Komuna e Parisit” është një nga zonat me një numër shumë të lartë ndërtimesh informale. Këta objekte priten të ligjërohen nga procesi i fundit i legalizimeve. Ndërkohë që shumë pallate të reja nuk kanë mundur që të shndërrohen në pasuri të dokumentuara për banorët që i kanë blerë. Kjo, për shkak se shumë ndërtues kanë kryer punime shtesë, duke mos respektuar projektet fillestare. Për rrjedhim, zyra e urbanistikës në Bashkinë e Tiranës nuk u lëshon atyre lejen e shfrytëzimin. Pa këtë dokument këto pallate nuk mund të hipotekohen.
#