E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asion Daja: Ende jam i paqartë për të ardhmen time

Mesfushori blu pohon se mund ta provojë fatin edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa për qëndrimin te blutë thotë se më pare duhen zgjidhur problemet

Nga Andi Matraxhiu

Dinamo vazhdon të mbetet mes 100 problemeve, pas përplasjes së fundit midis presidencës dinamovite dhe Ministrisë së Brendshme. Ky fakt ka bërë që edhe ata pak lojtarë, të cilët mund të mbeten te Dinamo për sezonin e ardhshëm, tashmë kanë nisur të mendojnë për një largim të mundshëm. Mesfushori Asion Daja, njëri nga më të spikaturit në sezonin e fundit me blutë kryeqytetas, gjatë një prononcimi për Sportin shqiptar komenton të ardhmen e tij. Sipas 22-vjeçarit, prodhim i Akademisë Dinamo, situata mbetet ende e paqartë, edhe pse kanë nisur kontaktet e para indirekte. Por ish-lojtari i Shkumbinit nuk e përjashton edhe mundësinë e largimit jashtë Shqipërisë për ta provuar fatin në një tjetër kampionat. Aktualisht jam duke pushuar. Ka qenë një kampionat i lodhshëm për ne. Na vjen keq që Dinamo është në këto pozita, pasi në radhë të parë për mua ky ekip është pjesë e zemrës, sepse jam rritur dhe formuar aty si lojtar. Por edhe unë ndaj mendimin e njëjtë me shokët e skuadrës, jo për tu shfajësuar, por nuk kemi qenë vetëm ne mëkatarët e vetëm në këtë ecuri të Dinamos. Ne si grup futbollistësh kemi dhënë maksimumin tonë, gjithnjë sipas mundësive. Për sa i takon të ardhmes sime, aktualisht jam ende i pavendosur, sepse kam kontakte të ndryshme, por asgjë konkrete. Nuk e përjashtoj mundësinë për tu larguar edhe jashtë Shqipërisë. Do ti provoj forcat e mia dhe do të ishte një hap i duhur për karrierën time sportive. Në Shqipëri janë disa ekipe të interesuara, por ende gjërat sjanë konkretizuar, sepse merkatoja është vetëm në hapat e para. Do të dëshiroja të qëndroja te Dinamo, sepse aty është shtëpia ime, por ka disa probleme, që ne futbollistët ndihemi të pasigurt. Të gjithë i kanë parë ndodhitë e fundit, që unë si futbollistë nuk dua ti analizoj, por që këto amulli ndikojnë edhe në krijimin e grupit, pasi situata në kampin blu është tepër konfuze. Nëse gjërat sqarohen, do të qëndroja te Dinamo me dëshirën më të madhe, sepse ky emër i madh i futbollit shqiptar meriton respektin e të gjithë fansave shqiptarë dhe pa dyshim edhe të futbollistëve që janë prodhuar në Akademinë Dinamo,- citon mesfushori i palodhur dhe këmbëshpejtë, Asion Daja, i cili në të kaluarën është aktivizuar edhe në kombëtaret e moshave të Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›