E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja shkaterron Irlanden

Spanja nuk pati aspak mëshirë për Irlandën duke fituar 4-0 në ndeshjen e mbrëmjes në Grupin C. Fernando Torres shënoi dy gola, David Silva dhe Fabregas ishin autorë të golave të tjerë, ndërsa spanjollët treguan më në fund fytyrën e vërtetë të kampionëve të Europës dhe të Botës.
Skuadra e Del Boskes e nisi menjëherë me gol duke shënuar në minutën e katërt, një gol tërësisht meritë e Torresit që i mori kohën mbrojtjes dhe portierit, duke gjuajtur shumë shpejt për në rrjetë.
Sërish Torres pati një rast të mirë disa minuta më pas, pa arritur të shënojë, ndërsa presioni iberik vazhdoi pa u ndalur. Gjuajtjet e Alonsos, Ksavit dhe Iniestës erdhën njëra pas tjetrës dhe disa herë shpëtimtar u bë portieri irlandez, Given.
Në pjesën e dytë, menjëherë u shënua goli i dytë me autor David Silvën. Lojtari i Mançester Sitit veproi shkëlqyeshëm në zonë duke nxjerrë jashtë loje 3 mbrojtës dhe portierin.
Më pas, një gjuajtje e Ksavit thuajse solli golin e tretë, por vetëm refleksi i Givenit shpëtoi portën. Por, ky ishte vetëm paralajmërimi se furtuna iberike nuk kishte mbaruar ende, madje do të vazhdonte deri në minutën e fundit.
U desh të vinte minuta e 70-të që Spanja të shënonte golin e tretë, sërish me anë të Torresit, që vrapoi me shpejtësi për ta dërguar topin qetësisht në rrjetë. Sulmuesi i Çelsit po tregon një formë të jashtëzakonshme fizike, pasi ka kaluar dëmtimet dhe sepse ka luajtur pak këtë sezon. Një dhuratë e vërtetë për Spanjën.
Nuk u mbyll gjithsesi me kaq, pasi shënoi edhe Sesk Fabregas që hyri në lojë në pjesën e dytë. Me këtë fitore Spanja u ngjit në vendin e parë në grup, me po aq pikë sa Kroacia, 4, por me golaverazh më të mirë. Tani, spanjollëve do t’u mjaftojë edhe barazimi me kroatët për të mbajtur vendin e parë në grup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›