E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismaili: Naftëtari, organizim perfekt edhe në të parën

Sekretari i klubit kuçovar, Fatmir Ismaili, thekson se gjithçka do të shkojë shumë mirë sa i takon organizmit, ashtu si edhe sezonin e fundit

 

Nga Arben Çepani

Në ndryshim të plotë nga sezonet e mëparshme, klubi kuçovar pati një organizim perfekt sezonin e fundit, duke ndikuar jo pak në realizimin e objektivit. Naftëtari funksionon si sh.a, ku aksionet janë ndarë në 30% të bashkisë dhe 70% të firmës Enarvi. Bashkëpunimi ka qenë i suksesshëm dhe ekipi kuçovar, pas një mungese trevjeçare, është rikthyer në Kategorinë e Parë. Normalisht, në këtë kategori kërkesat janë më të mëdha, por drejtuesit e Naftëtarit besojnë për një paraqitje pozitive. Do të punohet njëkohësisht edhe për përmisimin e infrastrukturës, ku në bashkëpunim me FSHF-në synohet rikonstruksioni i stadiumit Bashkim Sulejmani dhe i aneksit stërvitor. ”Naftëtari e ka merituar ngjitjen në Kategorinë e Parë, që besoj se të gjithë janë bindur se nuk ishte rastësi. U kurorëzua me sukses puna e një sezoni, që për ne filloi shumë shpejt. Dua të theksoj se tre muaj përpara fillimit të kampionatit u bë organizimi i klubit, që, si asnjëherë tjetër, ishte thuajse perfekt. Meritë ka pa dyshim kryebashkiaku Bardhyl Gjyzeli, përkujdesja e të cilit ishte maksimale për ekipin. Në gusht u krijua sh.a-ja dhe Naftëtari u ndërtua në kohën e duhur. Dua të kujtoj se ekipi, ndryshe nga kampionatet e kaluara, pati mundësinë të grumbullohej jashtë qytetit në kushte ideale. Kësisoj, u kërkua ngjitja në Kategorinë e Parë dhe kjo u realizua me sukses. Duhet të veçoj punën e mirë të stafit teknik dhe të futbollistëve, ndërkohë që nuk duhet harruar kontributi i sh.a-së. Bashkia dhe firma Enarvi bënë një punë të mirë për rikthimin e futbollit kuçovar. Pra, ishte një organizim model dhe gjithçka ishte e merituar, pavarësisht se u desh edhe ndeshja shtesë. Duhet të ngjiteshim direkt, por sërish jemi të kënaqur, sepse jemi në të parën pas 3 sezonesh. Tani duhet të mendojmë për kampionatin e ri, ku kërkesat janë më të mëdha. Duke parë ekipet pjesëmarrëse, mendoj se për klubin dhe sh.a-në detyrat janë më të mëdha, pasi duhet të krijojmë një ekip kompetitiv dhe të qëndrueshëm. Mendoj se Naftëtari duhet të konsolidohet në Kategorinë e Parë, duke synuar mesin e tabelës së renditjes, – ka theksuar për Sportin shqiptar sekretari i klubit, Fatmir Ismaili.

Infrastruktura Do të ndërhyjmë edhe në infrastrukturë. Në bashkëpunim me MTRKS-në dhe FSHF-në, do të punojmë për përfundimin e tribunës qëndrore të stadiumit Bashkim Sulejmani. Do të përmirësojmë edhe gjendjen e fushës së stadiumit dhe të aneksit stërvitor. Me ngjitjen në Kategorinë e Parë, besoj se duhet të përfshihet edhe klubi ynë në projektet e FSHF-së për rikonstruksionin e terreneve, – ka përfunduar sekretari i klubit kuçovar, Ismaili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›