Tifozët e Partizanit e kërkojnë ndryshimin me letër të hapur
Ultrasit e kuq ndihen të lodhur nga pritja e gjatë, por shqetësimi kryesor i tyre është se skuadra po mbahet peng nga burokracia shtetërore, ku instancat e ndryshme bëhen bllokuese të njëra-tjetrës
Nga ILIR CARA
Kur mendohet se te Partizani gjërat janë në drejtimin e duhur dhe kur pritet vetëm komanda zjarr, papritur në skenë del diçka tjetër, që e ul optimizmin e mëparshëm. Ka kohë që në kampin e kuq po flitet për një projekt rigritjeje të legjendës, që është iniciuar dhe përkrahur nga Ministria e Mbrojtjes. Më 4 qershor, Ministria e Mbrojtjes e regjistroi në QKR shoqërinë anonime Klubi i Futbollit Partizani, por pas ankimimit të bërë nga Albert Xhani, ajo e ka çregjistruan emërtesën e shoqërisë së re, por jo shoqërinë. Sipas vendimit të marrë nga QKR-ja më 12 qershor, ku merr parasysh ankimimin e Xhanit, përsëri te Partizani është krijuar një tjetër situatë konfuze, gjë e cila ngre pikëpyetje mbi të ardhmen. Tifozët e Partizanit ndihen të lodhur nga pritja e gjatë, por shqetësimi kryesor i tyre është se skuadra e tyre e zemrës po mbahet peng nga burokracia shtetërore, sepse instancat e ndryshme bëhen bllokuese të njëra-tjetrës. Të gjendur përpara kësaj situate të turbullt, Shoqata e Tifozëve të Partizanit ka shpërndarë dje për mediat një letër të hapur, letër e cila i drejtohet Kryeministrit Sali Berisha, Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, Ministrit të Ekonomisë Nasip Naço, si dhe për dijeni këshilltarit të Ministrit të Mbrojtjes, Mentor Beqa. Në këtë letër të hapur tifozët kërkojnë nga personat dhe institucionet e lartpërmendura të zgjidhin tre shqetësimet që ata kanë rreth Partizanit, ku parësore mbetet mosndryshimi i emrit, si dhe marrja fund e proceduarave për privatizimin e klubit. Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata parashikojnë edhe hapat e mëtejshëm që do të ndjekin, që fillon nga greva e urisë, mosmarrja pjesë në zgjedhjet e 2013-ës nga tifozët e Partizanit, si dhe kundërshtim të çdo veprimi, që ka të bëjë me një ringritje të ekipit në drejtimin e Albert Xhanit
Letra e shoqatës së tifozëve
Letër e Hapur drejtuar:
Kryeministrit të Shqipërisë, z.Sali Berisha
Ministrit të Mbrojtjes, z.Arben Imami
Ministrit të Ekonomisë, z.Nasip Naço
Për dijeni këshilltarit të MM, Mentor Beqa
Të shqetësuar nga ngjarjet e e fundit që po ndodhin te skuadra e Partizanit, ne përfaqësuesit e Shoqatës së Tifozëve të Partizanit, shoqatë e cila është ligjëruar dhe njohur nga Gjykata e Tiranës, kërkojmë zgjidhjen sa më shpejt dhe përkrahjen tuaj për këto probleme:
1. Zgjidhjen e shpejtë të statusit të Partizanit dhe gjetjen e mënyrave për mosndryshimin e emrit të këtij ekipi legjendar në asnjë mënyrë.
2. Mbylljen sa më shpejt të procesit gjyqësor nga Ministria e Mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, si dhe nxjerrjen sa më shpejt të skuadrës në ankand nga Ministria e Ekonomisë, ku mund të blihet nga investitorë të ndryshëm, të cilët do të fillojnë punën për ringritjen e ekipit.
3. Largimin njëherë e përgjithmonë të Albert Xhanit nga drejtimi i skuadrës. Ky ish-president ka katër vite që nuk investon më në këtë ekip, duke u tallur me ndjenjat e tifozëve.
Mbetemi me shpresën se kërkesat tona do të gjejnë zbatim.
Në rast se këto pika nuk gjejnë zbatim, atëherë jemi të gatshëm të kalojmë në veprime konkrete…
Shoqata e Tifozëve të Partizanit
