Italia i trembet akordit

Barazimi zhgënjyes me Kroacinë, ka bërë edhe një herë që fatet e Italisë në një aktivitet madhor të mos varen vetëm nga skuadra. Për t’u kualifikuar nga faza e grupeve në Euro 2012, “axurrët” duhet të fitojnë përballë Irlandës, por të mbajnë sytë e veshët edhe nga sfida tjetër e grupit, ndërmjet Spanjës dhe Kroacisë.
I sigurt është vetëm një fakt: që Italia duhet të fitojë kundër skuadrës së Xhovani Trapatonit. Në këtë rast, situata e kualifikimit në Grupin C është e komplikuar dhe gjithçka do të varet nga kombinimi i rezultateve. Nëse Kroacia mposht Spanjën, atëherë kroatët dhe italianët kualifikohen përkatësisht si të parët dhe të dytët në grup. Në të kundërt, pra në rast fitoreje, spanjollët do të jenë të parët dhe italianët sërish të dytët.
Në rast se fitorja e Italisë shoqërohet nga barazimi 0-0 i Spanjës me Kroacinë, të treja skuadrat do të jenë në kuotë të barabartë pikësh, me nga 5. Në këtë rast Italia kualifikohet si e para në grup, me dy gola të shënuar në ndeshjet direkte, ndërsa Spanja e dyta me diferencë më të mirë golash se Kroacia.
Nëse Spanjë-Kroaci mbyllet 1-1, Italia kualifikohet së bashku me Spanjën vetëm nëse fiton me 3 gola diferencë me Irlandën, ose me shifrat nga 4-2 e lart, pasi në këtë rast favorizohen nga renditja e FIFA-s. por, nëse spanjollët dhe kroatët ndahen në barazim 2-2, 3-3 e kështu me radhë, këto dy skuadra janë të kualifikuara, ndërsa Italia kthehet në shtëpi, pasi ka golavarazh më të dobët.
Është pikërisht ky skenari i frikshëm, që po mban Kombëtaren dhe tifozët italianë në ankth. Kjo sepse do të përsëritej “tolerimi nordik” i Euro 2004, ku Suedisë dhe Danimarkës i nevojitej vetëm barazimi 2-2. Ndeshja përfundoi me atë rezultat dhe Italia u eliminua.
Por, ndryshe nga tetë vjet më parë, deklaratat janë disi më optimiste. Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske ka garantuar se “në ndeshjen kundër Kroacisë do të luhet futboll i vërtetë me dy skuadra që do të kërkojnë fitoren”. Përgjigja e Çezare Prandeli ka qenë e menjëhershme. “Spanja është kampione bote dhe Europe në fuqi dhe në dhjetë vitet e fundit të gjitha skuadrat kanë tentuar ta kopjojnë. Nëse dyshojmë te spanjollët, atëherë jemi ne që kemi probleme”, tha tekniku “axurr”.