Narko-paaftësia
Skënder Minxhozi
Kryeministri mund të mendojë vërtet se lufta kundër korrupsionit është kredoja e jetës së tij. Ai është në të drejtën e tij të plotë, kur pretendon të na thotë me insistim nëpër spote dhe mitingje, disa të vërteta, qofshin këto edhe të pjesshme, apo shumë të pjesshme, të besueshme apo të pabesueshme, të vjetra apo të reja. Nuk është ky problemi ...Sepse kur e vendos përballë këtë dëshirë obsesive të kryeministrit, me lajmet që sjell dita, gjithçka zverdhet e ridimensionohet në këtë përballje të vullnetit njerëzor me realitetin e ditës. Nuk ka si ndjehesh mirë, për shembull, kur lexon sesi policia e bregut tjetër të Adriatikut kap sasi të mëdha heroine në makinat e katër shtetasve shqiptarë, e gjitha kjo e dyshuar si e ardhur nga porti i Durrësit. Edhe nëse “malli” nuk do të ishte nisur nga toka shqiptare, kjo do të ishte veçse një rrethanë lehtësuese, kur vëren shkallën e organizimit të organizatave kriminale shqiptare në tregun “global” të narkotikëve. Ngarkesa masive të heroinës apo kokainës si kjo e Barit, me vlera prej miliona eurosh, pasqyrojnë në mënyrë direkte e të padiskutueshme ekzistencën e një rrjeti të kolauduar mirë në hapësirë dhe në kohë, të trafikantëve në tokën tonë dhe përreth saj. E kjo është në vetvete më shumë sesa paaftësi e shtetit tonë, që nuk po mundet ta parandalojë këtë fenomen tejet shqetësues. Të gjithë dinë t’ia venë emrin që ka kësaj pune dhe po të gjithë e dinë se ky mirë fenomen i ul dukshëm pikët e angazhimeve që kemi marrë për të luftuar korrupsionin dhe trafiqet.
Operacioni i fundit i policisë italiane, ku u kapën 23 kg heroinë e pastër me vlerë rreth 10 milionë euro, është vetëm episodi i fundit i një trafiku diskreditues narkotikësh, ku përfshihen shqiptarët. Kjo ngjarje vjen menjëherë pas historisë së bujshme të kapjes me dy kilogram drogë, të një shoferi të ambasadës tonë në Romë, si dhe pas një sage të gjatë bëmash gjysmë-groteske këtu në Shqipëri, të cilat i has dendur në faqet e shtypit tonë, e që flasin deri edhe për makina zjarrfikësish në Jug të vendit, që angazhohen në fushata gjysmë-klandestine ujitjeje të plantacioneve me hashash, apo për plaka 80 vjeçare që pozojnë për mediat në mes të parcelave me kanabis.
Shqipëria mund të mos jetë vendi më i pasur, më i lumtur dhe më i stabilizuar i Evropës, por s’ka natyrisht pse të jetë vendi furnitor i drogave dhe i tregtarëve të drogave për pjesën tjetër të kontinentit. Prej vitesh vendi ynë nuk është më trampolinë e emigracionit klandestin drejt Perëndimit. Më shumë sesa një pasojë e angazhimit konkret të autoriteteve tona, kjo i detyrohet spostimit të “damarit” të trafikut në fjalë, drejt vendeve të tjera të Mesdheut, përkatësisht zonës së Magrebit. Nuk jemi më tërheqës për tregtarët e kurdëve, por mesa duket jemi ende në syrin e ciklonit të trafiqeve të narkotikëve. Ndryshon vetëm “malli”, por jo dukuria. Është dramatike për imazhin e këtij vendi, që ne, pasi u përgojuam nëpër gjithë mediat e botës si vendi i skafeve me kinezë e bangladeshas, të rreshtohemi sot si vend tranziti apo prodhimi i drogave. Ky standard i ulët na lë jashtë të gjitha parametrave të afrimit me Evropën, që i kemi caktuar vetes plot pompozitet ditën kur nënshkruam MSA-në me Brukselin.
Vetëm pak ditë më parë u deklarua në mes rreshtash, nga ana e autoriteteve shqiptare, se do të kërkohej zgjatja e moratoriumit të skafeve. Edhe më tej, bregdeti shqiptar do të jetë i papërdorshëm për të gjithë ata shtetas që kanë në posedim një varkë apo skaf me motor. Kushdo mund ta kujtojë rrahjen e shpatullave që morëm nga disa qeveri evropiane tre vjet të shkuara kur e aprovuam më së pari këtë ligj të çuditshëm. Çfarë shohim sot? Fare thjesht. Trafikantët mesa duket vazhdojnë punën, shqiptarët e thjeshtë kanë mbyllur varkat, ose bëjnë një mijë akrobaci për të nxjerrë një leje qarkullimi. Masa të tilla qesharake nuk i parandalojnë fenomenet negative që lidhin sot dy brigjet e Adriatikut. Përkundrazi, ato mbajnë në këmbë vetëm aparatin represiv të të drejtave të qytetarëve, duke toleruar “të drejtat” e trafikantëve.
Ky dyzim përbën në fakt edhe thelbin e qeverisjes së sotme, plot deklarime publike dhe me pak, fare pak rezultate konkrete. Siç thotë proverbi “lum unë ç’dëgjoj me veshë, mjerë unë ç’shoh me sy”. Sherri i fundit për spotin qeveritar antikorrupsion tingëllon mjaft grotesk përballë fakteve. Dhe faktet gjenden sa në raportet ciklike që nxjerrin organizmat ndërkombëtare, e ku figurojmë të paktën po aq problematikë si katër apo pesë vjet më parë në drejtim të luftës kundër korrupsionit e trafiqeve, aq edhe në kronikën e zezë të çdo televizioni a gazete, ku vijojmë të klasifikohemi si një komb trafikantësh, prostitutash, matrapazësh dhe njerëzish që vazhdojnë të jetojnë në të zezë.