Asistenca, përjashtohen 2334 familje abuzuese
Brenda vitit 2012, skema e ndihmës ekonomike me regjistër elektronik
Përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike mbi 2 mijë familje që kanë përfituar prej saj në mënyrë abuzive. Sipas specialistëve të Shërbimit Social Shtetëror, për periudhën janar-shtator 2011, në nivel qendror dhe rajonal janë kontrolluar 228 njësi vendore në të gjithë vendin dhe janë konstatuar mjaft shkelje. Rreth 2334 familje janë konstatuar si raste abuzive, pasi përfitonin ndihmë ekonomike jashtë kritereve të përcaktuar në ligj, ndërkohë që këto abuzime i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik që llogaritet në rreth 8.7 milionë lekë. Për periudhën 7-mujore janë marrë 57 masa administrative, dhe 9 gjoba për përfaqësuesit e pushtetit vendor. Ndërsa, nuk kanë munguar vërejtjet për largim nga puna, në rreth 47 të tilla. Abuzimi me skemën e ndihmës ekonomike është një problem i vazhdueshëm, për të cilin ende strukturat shtetërore nuk kanë gjetur dot një zgjidhje për t’i vënë “fre”, pasi megjithëse prej saj përjashtohen herë pas herë abuzues, mbeten përsëri të tjerë për t’u nxjerrë jashtë skemës. Një nga zgjidhjet që parashikohet ta pastrojë skemën nga abuzuesit krijimi i regjistrit elektronik për ndihmën ekonomike, që sipas drejtuesve të Shërbimit Social Shtetëror do të jetë gati brenda vitit 2012. Me dixhitalizimin e të dhënave për personat që përfitojnë nga asistenca, do të mund të realizohet edhe një evidentim më i saktë i nevojave të tyre, për të përcaktuar edhe masën e duhur të ndihmës ekonomike.