E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekimi i sëmundjeve, rikthehen antibiotikët e lirë të viteve ‘90

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-11-2011 17:16

Ulet rezistenca e pacientëve nga acidi nalidiksik, baktrina dhe gentamicina. Ministri Vasili: Sot i rikthejmë të dobishme dhe të pazëvendësueshme në drejtimin e mjaft patologjive

Rikthehen antibiotikët e përdorur gjerësisht gjatë viteve ’90 për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme infektive apo virale, si baktrina apo gentamicina. Këta antibiotikë ishin hequr 10 vjet më parë nga lista e barnave që lejoheshin të përdoreshin për kurimin e sëmundjeve, për shkak se pacientët fituan rezistencë ndaj tyre, çka do të thotë se ilaçet nuk u bënin më efekt. Por, sot, 10 vjet më vonë, Ministria e Shëndetësisë deklaron se rezistenca ndaj tyre është ulur, madje baktrina apo gentamicina janë antibiotikë që kanë një kosto më të lirë dhe janë efikase për kurimin e shumë patologjive. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka bërë publike disa të dhëna në lidhje me rezistencën ndaj antibiotikëve në Shqipëri, në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive dhe Rezistencës ndaj Antibiotikëve, që drejtohet prej tij. “Për disa barna të rëndësishme në periudhën ’99-2000, siç ishte acidi nalidiksik, baktrina dhe gentamicina kemi pasur rezistenca deri të plota në shkallën 99 për qind. Sot kemi një rënie të dukshme, acidi nalidiksik është 17 për qind, baktrina 26 për qind dhe gentamicina 7 për qind. Në një moment të caktuar pune u detyruam t’i konsiderojmë këto instrumente, gati të papërdorshme, ndërsa sot i rikthejmë të dobishme dhe të pazëvendësueshme në drejtimin e mjaft patologjive”, - deklaroi ministri Vasili.

Por, ndërsa autoritetet e Shëndetësisë kanë konstatuar uljen e rezistencës së pacientëve nga antibiotikët e vjetër, thënë ndryshe se ato janë bërë të efektshme për kurimin e sëmundjeve, në ndryshim nga kjo, vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i pacientëve rezistentë ndaj medikamenteve të shtrenjta, si antibiotikët apo antiretroviralët. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, mësohet se për sëmundje infektive si leshmanjoza, por edhe HIV/AIDS numri i pacientëve rezistentë ndaj mjekimit është rritur ndjeshëm. Kjo ka rritur koston e shpenzimeve në sektorin e shëndetësisë, për shkak të kohës së qëndrimit të një pacienti në spital. Ndërkohë që rezistenca ndaj antibiotikëve ka rritur dhe numrin e vdekjeve për shkak të mungesës së zëvendësimit të tyre me barna alternativë. Pas apelit për qytetarët që të mos i përdorin antibiotikët pa recetën e mjekut, ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se në luftën kundër rezistencës ndaj tyre duhet të përfshihen edhe farmacistët. Madje, ai premtoi masa dhe urdhra konkretë që do të çonin drejt zhdukjes fenomenin e shitjes dhe tregtimit të antibiotikëve pa recetë mjeku. “Qytetarët nuk mund t’i përdorin antibiotikët si qetësues apo karamele të zakonshme. Ne do të rimarrin problematikat dhe në trajtën e urdhrave ndërministrorë, ndonëse legjislacioni farmaceutik është i qartë. Farmacistët nuk do të lejohet të operojnë me dhënie antibiotikësh pa receta mjekësore”, - deklaroi ministri Vasili. Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë do të nënshkruajnë një marrëveshje për hartimin e një plani 2-vjeçar, i cili do të ketë për synim reduktimin e numrit të pacientëve rezistentë ndaj medikamenteve, trajnimin e personelit mjekësor për dhënien me efikasitet të barnave, si dhe ndërgjegjësimin qytetar për të konsumuar barna vetëm me këshillën e mjekut.

Ulja e rezistencës

Acidi nalidiksik 17%

Baktrina 26%

Gentamicina 7%

Enterobakteriet rezistente

Ampicilina 69%

Baktrime 21%

Gentamicina 9%

Salmonelat rezistente

Ampicilina 95.2%

Baktrima 88 %

Ceftriaxone 21.4%

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›