E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i MB, fonde për emergjencat

Diskutimi i projektbuxhetit të vitit të ardhshëm për Ministrinë e Brendshme riktheu në qendër të debatit në komisionin e Sigurisë, çështjen e vonesës së dëmshpërblimit të banorëve të Shkodrës dhe Lezhës, të cilët në dy vitet e fundit janë përmbytur nga shkarkimet e hidrocentraleve. Përtej evidentimit të faktit se për vitin e ardhshëm janë shtuar fondet për Drejtorinë e Emergjencave, deputetët e opozitës shprehën shqetësimin për arsyen se, pse në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk janë përfshirë fondet për dëmshpërblimin e parealizuar ende ndaj banorëve të veriut të vendit. Vetë ministri garantoi se dëmi ndaj tyre njihet ligjërisht, por pranoi se një faktor pengues për realizimin e dëmshpërblimit janë të ardhurat e pakta të Korporatës Elektroenergjetike nga shitja e energjisë. Në vijim të përgjigjeve të pyetjeve të deputetëve opozitarë, ministri zbuloi në komisionin e Sigurisë edhe projektin për ndryshimin e strukturës së administratës në vitin e ardhshëm. Struktura e re, sipas ministrit, parashikon shkurtimin e punonjësve në zyra dhe shtimin e administratës në terren. Buxheti i vitit të ardhshëm për Ministrinë e Brendshme arrin në vlerën e 17 miliardë lekëve. Në këtë buxhet janë parashikuar rreth 795 milionë lekë për realizimin e tenderit të uniformave të reja për policinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›