E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valë virozash, qarkullojnë tri viruse si A/H1N1

Mjekët: Mos i neglizhoni, po shfaqin forma të rënda sidomos tek fëmijët, pasi prindërit nuk i çojnë në spital për trajtim

Në muajin dhjetor pritet që vendi të përfshihet nga një valë virozash, duke u futur kështu zyrtarisht në “stinën” e gripit. Sipas autoriteteve shëndetësore, për shkak të ndryshimeve stinore është rritur prania e viruseve, ndërkohë që qarkullojnë nëntipe të reja të gripit të derrit (A/H1N1), A(H3N2) dhe B. “Pavarësisht se ne flasim se do të qarkullojë përsëri A/H1N1, ka disa nënvariante të tij. Kemi A/H3N2, një variant të tij dhe natyrisht virusin B. Ne i konsiderojmë viruse të rinj. Simptomat janë të njëjta të gripit, që është një sëmundje e pabesë. Mund të ketë forma shumë të lehta, por mund të ketë forma shumë të rënda. Përveç virusit të gripit qarkullojnë edhe viroza të tjera që kanë qarkullim në këtë kohë, për të cilat nuk ka vaksinë, prandaj edhe mendohet që duke u vaksinuar të ulet pesha e të gjitha virozave në përgjithësi. Të gjitha grupmoshat duhet të vaksinohen me vaksinën e gripit”, - ka pohuar shefja e Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.

Gjatë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të prekurve nga viroza të ndryshme, por më së shumti ato janë vënë re te fëmijët, ku vetëm në Urgjencën e Pediatrisë në QSUT vizitohen mbi 120 të vegjël në ditë. Në rang vendi, aktualisht statistikat flasin për 13 mijë raste virozash brenda një jave, ndërkohë që sipas specialistëve ka një rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve. Në prag të ardhjes së gripit, periudha e mirëfilltë e të cilit është fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit, mjekët bëjnë thirrje që të mos neglizhohen virozat që janë në qarkullim. Sipas tyre, ato po shfaqin forma të rënda, sidomos tek fëmijët, pasi prindërit nuk i çojnë në spital për trajtim. Mjekët shprehen se nëse fëmijës i zgjat temperatura mbi 38 gradë më shumë se 24 orë, ai ka nevojë për vizitë mjekësore. Pediatria Gjeorgjina Kuli sqaron se në rast mostrajtimi viroza mund të kalojë deri edhe në sëmundje vdekjeprurëse. Ndaj, ajo rekomandon vaksinimin e fëmijëve kundër gripit, pasi në disa kategori është domosdoshmëri. Duke qenë dyshues për përdorimin e antibiotikëve në rastet e virozave, sipas mjekëve, vaksinimi është metoda më e mirë për t’u mbrojtur nga gripi. Vaksinimi është i domosdoshëm për të gjithë fëmijët mbi 6-muajsh, të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike. Nëse gripi nuk kurohet në kohë, ai lë infeksione të ndryshme në rrugët e sipërme respiratore dhe ato të poshtme. Nga eksperienca e viteve të shkuara, sipas mjekëve, personat, të cilët kanë qenë të vaksinuar i kanë kaluar viruset e stinës së dimrit më lehtë se të tjerët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›