E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asistenca, të varfrit morën 300 mln lekë më pak

Përtej premtimeve për politika sociale urgjente, për të kompensuar shtresat në nevojë nga rritja e fortë e çmimeve, qeveria nuk ka mundur të disbursojë as fondet e parashikuara në fillim të vitit për këta zëra. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për 4 muajt e parë të vitit, qeveria ka shpërndarë rreth 82 për qind të pagesës së parashikuar për të papunët dhe 90 për qind të ndihmës ekonomike. Për janar-prill, në buxhetin e shtetit të vitit 2008 qeveria kishte parashikuar të asistonte të papunët përmes, pagesës së papunësisë me 316 milionë lekë. Në fakt, ka arritur të disbursojë vetëm 260 milionë lekë. Për të njëjtën periudhë ishte planifikuar të lëvroheshin në formën e ndihmës sociale për shtresat në nevojë 3.75 miliardë lekë. Sipas shifrave zyrtare, kanë disbursuar rreth 3.45 miliardë lekë. Kjo, në një kohë kur fillimi i këtij viti ka shënuar normë rekord të rritjes së çmimeve në treg dhe sidomos të atyre produkteve që konsiderohen si të domosdoshme, rritje nga e cila shtresat në nevojë janë më të dëmtuarat.

Fondet

Deri në fund të vitit, qeveria ka planifikuar të ndajë 12 miliardë lekë ndihma ekonomike për shtresat e klasifikuara si në nevojë. Po kështu, për të papunët do të ndahen dhe 1 miliard lekë të tjera si pagesë papunësie. Por, kriza e çmimeve duket se e ka detyruar qeverinë që të rishikojë edhe një herë këto shifra. Pak kohë më parë, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, njoftoi se është duke u përgatitur një skemë e re për të ndihmuar shtresat në vështirësi ekonomike dhe për të kompensuar efektet negative të rritjes së fortë të çmimeve. Ende nuk dihet se sa do të jetë shtesa në fondin për të kompensuar të varfrit nga rritja e çmimeve, por qeveria ka bërë të ditur se ai do të jetë gati shumë shpejt, brenda muajit korrik.

Skema aktuale, e dështuar

Ky program, i quajtur ndihma ekonomike, është mekanizmi kryesor, përmes të cilit ndihma shtetërore arrin direkt te të varfrit. Por, Banka Botërore konstaton se deri më tani ky program ka ndikuar fare pak në zbutjen e varfërisë, për shkak se ai është mjaft i vogël. Ndaj, jo më kot për disa herë me radhë zyrtarët e BB-së në Tiranë kanë nxitur qeverinë që të kthejë më shumë vëmendjen ndaj këtij programi. Në vitin 2005, qeveria shqiptare adresoi 8.9 miliardë lekë, ose 1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto për ndihmën ekonomike. Por, programi arriti të absorbonte vetëm 0.4 për qind të PBB-së. Shifra ka mbetur thuajse e njëjta në raport me PBB-në edhe gjatë viteve në vazhdim, madje dhe në buxhetin e vitit 2008, ku qeveria ka adresuar për të varfrit 12 miliardë lekë ose 1.1 për qind të PBB-së. Banka Botërore sugjeron që ndihma ekonomike të rritet në raport me PBB-në. "Ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme. Si përqindje e PBB-së ose mbrojtjes sociale, programi i ndihmës ekonomike është i vogël. Por, duhet theksuar se ai mbetet instrumenti kryesor për mbështetje direkte dhe si një program potencial antivarfëri është i nënvlerësuar", thuhet në një raport të fundit të këtij institucioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›