Dështon tenderi, ministritë pa karburant
Edhe në krizat më të mëdha nuk kishte ndodhur që automjetet e administratës të bllokohen për mungesë karburanti. Por pikërisht kjo është duke ndodhur tani në ministritë dhe institucionet e tjera publike. Dështimi i tenderit për blerje karburanti ka krijuar kaos në të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera në varësi të Këshillit të Ministrave. Shumica e automjeteve të administratës kanë mbetur të parkuara dhe nuk mund të lëvizin, për shkak se mungon karburanti. Situata është kthyer me të vërtetë shqetësuese, për shkak se edhe tenderi i fundit i Ministrisë së Brendshme për të blerë karburant për administratën ka dështua,r për shkak se në të u paraqit vetëm një ofertë. "Disa prej makinave të specialistëve më të lartë janë duke lëvizur me karburant borxh, ndërsa shumë të tjera kanë mbetur të bllokuara", konfirmojnë burime nga Ministria e Bujqësisë. Vitin e kaluar ministritë dhe agjencitë e tjera qeveritare i zhvillonin vetë tenderat për blerjen e karburanteve. Por, me propozim të ministrit të Financave, qeveria ndryshoi procedurën, duke e centralizuar këtë kompetencë në Ministrinë e Brendshme. Argumenti i Ministrisë së Financave për këtë ndryshim ishte se do të uleshin abuzimet që ndodhnin me tenderat e zhvilluar nga titullarët e secilit prej institucioneve. Por kjo praktikë duket se nuk ka rezultuar dhe shumë efikase, pasi edhe pse mund të ketë ulur abuzimet, ka bllokuar lëvizjen e administratës. Burime nga Ministria e Brendshme thonë se tenderi do të ribëhet sërish brenda një kohe shumë të shkurtër, por ekziston sërish rreziku që ky të dështojë, siç ndodhi me tenderin e mëparshëm.