Asistencë Kosovës për regjistrimin e popullsisë
Shqipëria dhe Kosova zgjerojnë bashkëpunimin për projektin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Në këtë kuadër ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo, priti dje një takim pune delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës të kryesuar nga zv.ministri i kësaj ministrie Z. Naim Fetahu. Ky takim mbështeti frymën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes dy vendeve, në kohën kur edhe Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për një proces të tillë, duke synuar një proces të suksesshëm dhe krijimin e një platforme më të detajuar për popullsinë e Kosovës. Regjistrimi në Kosovë ka nisur gjatë muajit prill 2010, në të njëjtën kohë me Shqipërinë. Bashkëpunimi mes dy Qeverive do të konsistojë në shkëmbimin e informacioneve të përgjithshme dhe të hollësishme mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Po kështu do të shihen mundësitë e ofrimit të një asistence dhe eksperience nga pala shqiptare gjatë të njëjtit proces që do të zhvillohet edhe në Kosovë.