E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, master dhe gjuhë të huaj për vendin e punës

Në gjimnaze s’do të pranohen më arsimtarë, që s'kanë kualifikimet e nevojshme Plot 20% e mësuesve në të gjithë vendin janë pa arsimin përkatës. Shifrat i ka pranuar Ministria e Arsimit, e cila prej shtatorit pritet të nisë një reformë të re.

Pos kësaj, programe të reja masterash për mësuesit do të çelen vitin e ardhshëm akademik. Mësuesve do t'u lihet koha e nevojshme për t'u trajnuar dhe sipas afateve të vendosura dhe kush nuk plotëson kriteret, do të duhet të lerë vendin e punës. Master dyvjeçar, një gjuhë të huaj dhe aftësi për të dhënë një lëndë tjetër mësimore. Këto do të jenë tri kushtet e reja për të gjithë mësuesit që do të nisin punë në gjimnaze. Burime të sigurta pranë MASH sqarojnë se është drejt përfundimit platforma për mastera dhe diploma të nivelit të dytë për shkencat e edukimit. Në këto programe pritet që mësuesit të ndryshojnë kryekëput mënyrën e mësimdhënies, duke iu qasur sa më shumë asaj europiane. Aktualisht sipas studimeve të bëra nga ekspertët, orët e mësimit nuk janë aspak tërheqëse për nxënësin. Për rrjedhojë asimilimi është më i ulët dhe rezultatet po ashtu. Me rregullat e reja mësuesit duhet të njohin patjetër teknikat moderne të mësimdhënies. Ata duhet të zotërojnë një gjuhë të huaj si dhe të kenë mundësi të japin një lëndë shtesë të përafërt me të parën. Programet e reja të studimit do t'u japin mundësi të kualifikohen për të. "Në këto programe studimi do të ofrohen kurrikula të tilla, në mënyrë që mësuesit e gjimnazeve, pasi të përfundojnë masterin të jenë të aftë të japin edhe një lëndë tjetër. P.sh një mësues letërsie të mund të japë edhe histori arti", thonë specialistët MASH. Sa u përket mësuesve të vjetër, që kanë vite të tëra pune në arsim, burimet bëjnë me dije se nuk do të ketë largime nga puna. "Kjo reformë nuk synon të krijojë luftë brezash, nuk mund t'u hidhet puna poshtë mësuesve të vjetër. Por ajo çka synohet është kualifikimi i mësuesve të rinj dhe atyre që do pranohen për të dhënë mësim në gjimnaze", saktësojnë burimet. Por ministri i Arsimit ka qenë më i ashpër në deklaratat e tij të mëparshme. Ai ka theksuar se nuk do të pranohen më në shkolla mësues pa master, ndërsa në vitin 2013, kush nuk ka plotësuar këtë kriter, do të detyrohet të lërë vendin e punës. "Mësuesit e shkollave të mesme në Shqipëri, sidomos të klasave të 11 dhe 12, nuk mund të jenë mësues, pa përditësuar njohuritë e tyre në fushën shkencore ku kanë kryer studimet për lëndën bazë që bëjnë, pa thelluar studimet përmes studimeve të masterit. Nuk mund të punojë në klasë me nxënësit që kanë kontakt përditë me kompjuterin, me anglishten, apo me një gjuhë tjetër të parë", është shprehur Tafaj. Reforma në arsim që prek mësuesit do të jetë më e rëndësishmja. Ndërkaq një grup pune po punon për hartimin e platformës për mastera dhe diploma të nivelit të dytë (DND) në Shkencat e Edukimit. Vitin e shkuar u çelën një sërë programesh, ndërkohë që pritet të hapen të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›