Restorantet e Baret, kushte të reja për librezat shëndetësore
Pronarët e restoranteve bareve dhe minimarketeve duhet të ndjekin procedura të reja për t'u pajisur me librezë shëndetësore. Në të kundërt aktiviteti do t'u mbyllet. Duke marrë shkas nga penalizimet e disa ditëve më parë, Drejtoria e Shëndetit Publik bën me dije rregullat e reja që duhen ndjekur. Këtej e tutje nuk do të jenë më inspektorët e higjienës ata që do të konfirmojnë pajisjen e këtyre punonjësve me këto libreza, por një strukturë e posaçme, që ka nisur të funksionojë pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm është ngritur një strukture e re, që do të merret me shpërndarjen e librezave, çka do të shmangë abuzimet që janë konstatuar gjatë inspektimeve. "është ndërprerë në mënyrë të menjëhershme dhënia e librezave nga inspektoret. është krijuar një zyre e posaçme pranë drejtorisë sonë, e cila funksionon me orar të plotë çdo ditë, ku të gjitha subjektet duhet të paraqiten pranë saj për t'u pajisur me këtë dokument", janë shprehur krerët e DSHP. Sipas tyre, për t'u pajisur me këtë librezë është e nevojshme të bëhen një sërë ekzaminimesh shëndetësore. "Që të marrësh një librezë shëndetësore do të thotë që të kesh kryer disa ekzaminime, duke filluar që nga mjeku familjes, aty ku personi ka kartelën personale. Do të kryhet ekzaminimi laboratorik pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik. Një ekzaminim radiologjik ose te mjeku pneumolog për të parë nëse kemi vatra tuberkulozi. Pa kryer këto katër ekzaminime, personi nuk mund të pajiset me leje shëndetësore", sqarojnë specialistët.