Askush nuk është më i fshehur...
Jo, një shkrimtar nuk ka përse të ketë frikë nga një kërkim i hollësishëm mbi jetën e tij dhe nga rrëfimi i kësaj jete, përkundrazi. Ekzistenca e një shkrimtari është prej natyre plot me bomba me shpërthim të vonuar. Dredhitë e tij, maskimet e tij, veset e tij, frikërat e tij, braktisjet e tij, heroizmi i tij, shkurt, taktika dhe strategjia e tij janë pjesë përbërëse e librave të tij.
Philippe SOLLÉRS
Hija nxitëse
Në parim çështja është zgjidhur: Proust-i kishte të drejtë dhe Saint-Beuve u gabua, vepra e një shkrimtari nuk ka lindur nga “uni social” i tij, por më shpesh nga një përvojë e tij që mbetet jashtë dyshimit të bashkëkohësve të vet, të marrëdhënieve, miqve dhe mjedisit të drejtëpërdrejtë. Askush nuk është më i fshehur, i pakapshëm, kontradiktor, mashtrues. Librat lindin nga vetmia, nga qetësia, nga e papohueshmja, nga një hije nxitëse dhe e mbrojutur me xhelozi. Sociologjia është krekosur mjaft, por mania sociologjike tashmë u tejkalua në një kuptim a një tjetër, askush nuk do të mund të tregojë kurrë saktësisht përse MX, përmes kësaj ose asaj peripecie historike a private, ka shkruar këtë poezi, këto romane apo këto fraza. Sartre-i shpjegon shkëlqyeshëm gjithë epokën e Flaubert-it dhe Fluabert-in vetë në këtë epokë, por jo romanin “Zonja Bovari”. I njëjti problem ngacmues me Mallarme-në, Baudelaire-in, Genet-in. Baudelaire-i ishte një përmbysës i rrezikshëm për Saint-Beuve-in? Një reaksionar i prapambetur për Sartre-in? Procesi mund të vazhdojë dhe më së pakti mund të gjendet zgjidhja përfundimtare (për shembull: askush nuk lexon më ose nuk di të lexojë), por nuk ka asnjë arsye për t'u ndalur. Kiekergard-i thoshte: “Bota mbetet gjithnjë e njëjta dhe është e padurueshme të jesh bashkëkohës i diçkaje të madhe.” Ne e dimë tani, në sajë të politically correct, që kjo tolerancë mund të përdoret gjithshtu për të gjithë të kaluarën ( në të cilën politically correct nuk është veçse një trashëgim i lëvizjeve të mëdha totalitare të shekullit). Në një mënyrë a një tjetër, është një lojë fëmijësh të tregosh se gjithë shkrimtarët, pa përjashtim, kanë qenë, dhe domethënë rrezikojnë të jenë, fajtorë. Ata janë me siguri në një moment a një tjetër. Kjo është e pashmangshme.
Për të gjitha pushtetet
Sociologjia, psikologjia, interpretimi kritik ose politik, megjithatë janë gjëra të shkëlqyera. Shkrimtari nuk është një qenie e kulluar, ai nuk lind kudoqoftë, romani i tij familjar ka rëndësi më të madhe, ngjarjet që ndodhin përreth tij gjithashtu. Kureshtja biografike është plotësisht legjitime, qoftë dhe për të treguar se ajo kundërvihet, jo ndaj një misteri (asgjë s’është misterioze në procesin e krijimit), por mbi një mënyrë jetese të ndryshme. Ndërmjet reduktimit sociologjik dhe idealizmit mistifikues ka vend për këtë pyetje të trajtuar mjaft rrallë: Çfarë do të thotë të jetosh me shqetësimin kryesor për ta paraqitur jetën në një mënyrë të veçantë? Dhe pikërisht kjo mënyrë krijon problem për të gjitha pushtet.
Veçanësia është gjithnjë shqetësuese, ajo mund të shfaqet si një përçudnim i padenjë në mënyrë të tërthortë me këtë apo atë tragjedi kolektive, kur nuk është krejt thjesht e pranueshme ta afirmosh atë, jashtë fatit të përgjithshëm. Por le të hamendësojmë se librat do të parafabrikohen gjithnjë e më shumë dhe do të programohen në funksion të rentabilitetit të tyre, atëherë çdo veçanësi kokëforte bëhet një akt revolte ose një megallomani. Le të shkojmë më larg: ne mund të imagjinojmë se një ditë të qenit politikisht korrekt do të përvetësohet dhe do të jetë konform me gjenetikën. Atëherë qortimi themelor do t’i drejtohet vetë trupit të shkrimtarit. Seksualiteti i tij ishte tashmë një burim shqetësimi. Por edhe vetë fakti që ai ekziston, mund të përbëjë një pyetje. Ai nuk i nënshtrohet tregut? Teknikës? Por për çfarë e mban veten ai?
Claudel-i, i ndikuar vetë nga Mallarme-ja, ka shkruar një ditë: “Objekti i letërsisë është të na mësojë që të lexojmë.” Kjo formulë duket se nuk thotë asgjë e njëkohësisht thotë gjithçka. Nuk janë vetëm edukimi, shkolla, e vërteta e jetuar, aspekti shoqëror, që na çojnë te kjo aftësi e tmerrshme, por letërsia. Prandaj ajo do të jetë përjetësisht e dyshimtë. “Letërsia, - thoshte Hemingway, - është e dorës së parë. Kur shoqëria shkon keq, është ajo që ekspozohet më shumë.” Duhet besuar se shoqëria ka një tendencë negative për të shkuar gjithnjë keq, por kjo renie zhvillohet në një mënyrë që ne na duket e veçantë. Dhe vërtet, kush nuk beson sot se është i aftë për të shkruar?! Kush nuk ka një kokë shkrimtari?! Askush ose pothuaj askush. Por, paralelisht, kush di ende të lexojë? Të lexojë me të vërtetë? Pyetje mizore, aq sa duke u nisur prej saj mund të tregojmë anekdota mbi anekdota. Analfabetizmi, padituria mund të kapërcehen sigurisht, por të dish të lexosh është çeshtje e një gjerësie tjetër dhe nga kjo varet perceptimi i asaj që ne e quajmë jetë. Të dish të lexosh, do të thotë gjithshtu të mund të lexosh gjithçka pa mospranime dhe pa paragjykime: Claudel-in dhe Celin-in, Artaud-në dhe Proust-in, Sade-in dhe Biblën, Joyce-in dhe de Sevigne-in... Të dish të lexosh do të thotë të përjetosh botën, historinë dhe ekzistencën e saj të mirëfilltë si një dëshifrim të vazhdueshëm. Shihni jetën e përditshme të Voltaire-it: e rrzikshme, dredha-dredha, nervoze, çfarë romani i mrekullueshëm!
Oshëtini gazeta e revista
Në kundërshtim me një opinion frikacak e të njohur, një shkrimtar i vërtetë nuk ka përse të frikësohet nga biografia e tij. Proust-i e rishikon Saint-Beuve-in sa i përket çështjes së “unit shoqëror”, sepse ky i fundit kënaqet me dukjen, me njoftimet sipërfaqësore, duke reflektuar thjesht (siç është rasti i shumë sociologëve bashkëkohës) për ekzistencën e tij banale. Por kush mund ta mbrojë tezën se biografia dhe korrespodenca e Proust-it janë të tepërta dhe të dëmshme për leximin e veprës së tij madhore “Në kërkim të kohës së humbur”? Askush me besim të vërtetë ose, atëherë, ata që mbahen për shkrimtarë të rëndësishëm janë të interesuar të fshehin faktin se jeta e tyre nuk ka asgjë interesante për t’u zbuluar. Jo, një shkrimtar nuk ka përse të ketë frikë nga një kërkim i hollësishëm mbi jetën e tij dhe nga rrëfimi i kësaj jete, përkundrazi. Ekzistenca e një shkrimtari është prej natyre plot me bomba me shpërthim të vonuar. Dredhitë e tij, maskimet e tij, veset e tij, frikërat e tij, braktisjet e tij, heroizmi i tij, shkurt, taktika dhe strategjia e tij janë pjesë përbërëse e librave të tij. Në momentin kur ai shkruante këtë apo atë vepër, si e jetonte ai këtë apo atë gjë? Proust-i i përdorte letërkëmbyesit e tij duke abuzuar me ta? Shkëlqyeshëm: ne mund të verifikojmë kështu vitalitetin e tij të jashtëzakonshëm, të qëndrueshëm, që e gjallëronte atë, madje edhe duke vdekur. Joyce-i harxhonte pa i numruar paratë e grave të tij me mecene, duke i prekur me fatin e tij dhe duke vazhduar të shkruajë variacione që ato nuk i kuptonin aspak? Është për t’i hequr kapelen. Genet-i nuk është biirboja që besojmë ne? Fuqia e tiuj imagjinative na habit. Një profesor zbulon tani së voni në California dedikuesen, dikur valltare, të romanit “Udhëtin në fund të natës”. Kjo është e rëndësishme, po aq edhe sa marrëdhëniet ndërmjet Celine-it dhe Elisabeth Graig-ut, që mbeten ende të turbullta. Dhe pastaj, në mënyrë të pashmangshme, pyetjet e mëdha: e mira, e keqja. Për sa më sipër, ne nuk përfundojmë asnjëherë, debati rifillon çdo ditë; dhe kjo është normale. A mund të jetë një shkrimtar i madh njëkohësisht edhe një hor? Një shkrimtar i konsiderueshëm dhe një individ i neveritshëm, tradhtar, i papërgjegjshëm, i verbër dhe i dhurdhër ndaj vuajtjeve të njerëzve? Por gjithshti: ndoshta një tip i mirë në të gjitha raportet dhe një shkrimtar shumë i keq? Të gjitha këto pyetje (përveç kësaj të fundit që nuk është bërë kurrë) janë të palodhshme, oshëtini gazeta, revista, kolukiume, teza, predikime!
Jeta dhe vepra
Vetëm vepra ka rëndësi? Jo. Vetëm jeta? Jo. Të dyja janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme dhe kjo është ajo që përfton tmerr. Dashuria, seksi, udhëtimet, alkooli, droga, angazhimi politik, miqësitë, grindjet (këto janë shumë të rëndësishme), vështirësitë me opinionin, universiteti, botuesit, kritikët, të lajthiturit, kopjuesit, xhelozët, fotografët, stacionet e radiove, stacionet televizive, praktikat mondane, të bankierëve ose ato të të veçuarëve, internimi, burgu, ilegaliteti ose fasada e respektueshmërisë, anarkizmi i përsëritur ose shija e nderimeve – këtu ka për të gjitha klanet, për të gjitha partitë, për gjithë ëndërrimet. Çdo episod është vendimtar, zhvendosja më e pakët e lojës si dhe ajo e disfatave, ka një histori të dukshme dhe sekrete. Shkrimtari ka të drejtë, ai nuk ka të drejtë, ai zgjedh me saktësi, ai gabohet, ai fundoset ose ai rifillon. Ne e injorojmë atë, ne i thurim lavdi, ne e gjykojmë, ne e denojmë, ne e rehabilitojmë mbas vdekjes, ne zbulojmë një dokument të ri, letra që të lënë pa mend, një dosje të policisë që kishte humbur, një marrëveshje e fshehtë e dyshimtë, një lidhje e pakuptueshme, akte shpirtmirësie përkundër bindjeve të tij, vetmohim dhe besnikëri të pabesueshme, qëndrime indiferente të pafalshme, zvaritje të pashjegueshme. Dhe në të njëjtën kohë ai ka qenë dhe qëndron aty, nën sytë tuaj, duke përjetuar fjalët e tij, ndjenjat dhe idetë e tij në një mënyrë tjetër nga ajo e kalimtarëve të ekzistencës. Jeta e tij është një vepër për veprën, njëkohësisht më veprën. Proust-i shkoi deri sa të thoshte se letërsia ishte jeta e vetme e jetuar realisht. Një propozim sigurisht i papranueshëm, apo jo? Dhe Zoti? Dhe njerëzimi? Dhe shkenca? Po, po, pa dyshim. Por nga vjen ky emocion i çuditshëm duke lexuar një shkrimtar, ose duke mësuar këtë apo atë detaj shprehës të udhës së tij? Dikush e ka ndier hapësirën dhe kohën në një mënyrë, që ne nuk do ta mësonim kurrë prej askujt tjetër përveç atij? A ekziston infiniti brenda një çasti? Një univers në tri radhë?
Jeta është tragjike. Jeta është komike. Jeta ka një kuptim. Jeta nuk ka kuptim.
Unë gjithnjë kam menduar se duhen mbrojtur shkrimtarët. Të flasësh vetëm mirë për ta.
Ja fundi i një novele, shkruar më 1936, nga Scott Fitzgerald-i dhe titulluar “Mbasditja e një shkrimtari”: “Ai përshkoi sallën e ngrënies dhe shkoi në studio i verbuar për një çast nga shkëlqimi i dy mijë librave të tij në perëndim të diellit. Është mjaft i lodhur, shtrihet rreth dhjetë minuta dhe pastaj mendon nëse, gjatë dy orëve që i mbeten deri në drakë, do të mundet të fillojë të punojë mbi një ide.”
Përktheu Fatmir Alimani
22 Shkurt 2009