E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket mistershëm një 10-vjeçar në qytetin e Fierit



Fier - Një fëmijë 10-vjeçar është zhdukur dje në rrethana të mistershme. Pas alarmit të familjarëve të tij, policia vendosi të bashkëpunojë në kërkimet për gjetjen e të voglit. Burimet nga uniformat blu informojnë se ngjarja ndodhi në orën 09:00, në tregun e qytetit të Fierit, kur familja Çervanaku, që banon në Kreshpan, fshat i Komunës Cakran në Fier, kishte dalë për të bërë pazar. Bashkë me 60-vjeçarin Iliaz Çervanaku, gjendej edhe nipi i tij dhjetëvjeçar, Ardi Çervanaku. Ndërsa gjendeshin në treg, në një moment djali i vogël zhduket nga vëmendja e gjyshit. “Kemi qenë përballë urës me hekura kur futesh në tregun industrial, kur për një moment Ardin nuk e pashë më pranë meje. Nuk e vura re pasi në trotuar kishte shumë lëvizje, por dhe në rrugën kryesore të qytetit kishte shumë qarkullim automjetesh. Kur e kuptova që nuk e kisha pranë, mendoj se kishin kaluar rreth dhjetë minuta. Kërkova dhe nuk e gjeta askund. Ndaj erdha që të bëj denoncimin në polici që ju të më ndihmoni për ta gjetur”, - u ka thënë 60-vjeçari uniformave blu, që e morën në pyetje. Policia konfirmoi se fëmija që nuk e njeh mirë qytetin e Fierit rezulton i humbur që prej mëngjesit, ndërsa nuk ka ende asnjë gjurmë të vendndodhjes së tij.
Për të ndihmuar në gjetjen e të voglit, policia informon se ai kishte veshur xhup ngjyrë rozë dhe pantallona xhinse.

Zjarr me qëllim nga vëllai, digjet banesa e një qytetari në kryeqytet

Tiranë - Banesa e një qytetari u përfshi nga flakët gjatë natës së parmbrëmshme. Nga hetimet e kryera mendohet se zjarrëvënia është e qëllimshme dhe e planifikuar. Ngjarja ndodhi në rrugën “Ali Baushi”, afër shkollës “Xhezmi Delli”, ku është djegur banesa e qytetarit E. Çullhaj, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nga hetimet e kryera nga Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë/armë dhe Shkatërrimit të Pronës ka rezultuar se zjarri ishte i qëllimshëm.
Autori i akuzuar për këtë zjarrvënie është F. Çullhai, vëllai i të dëmtuarit, një njeri me precedentë të mëparshëm penalë. Për këtë person, policia tha dje se është marrë masa e arrestit dhe materialet procedurale i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë nën akuzën e konsumimit të veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›