Urdhri qeveritar, akademia “Marubi” refuzon largimin nga ish-Kinostudio
Tiranë - Studentë, pedagogë dhe drejtues të akademisë së filmit dhe multimedias “Marubi” janë konfrontuar paraditen e djeshme me policinë, pasi nuk kanë pranuar të lirojnë ambientet e shkollës. Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave në tetor të vitit të shkuar është urdhëruar lirimi dhe dorëzimi i sipërfaqes së studios së prodhimit të filmit shqiptar “Alba Film”. Sipas këtij vendimi, akademia “Marubi” duhej të lironte ambientet dje, në orën 13:00, por studentët e pedagogët nuk e kanë lejuar një gjë të tillë. Në kontratën e pesë viteve më parë me shtetin shqiptar, shkolla e filmit mori 200 m2, por ndërkohë po shfrytëzon më tepër. Drejtuesit e shkollës janë shprehur se janë të vendosur për të mos u larguar nga ambientet e ish-Kinostudiuos. Për këtë konflikt ka reaguar dje edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit mësoi mes medias elektronike për ngjarjen e ndodhur në akademinë e filmit dhe multimedias “Marubi” ku forca të shumta të policisë tentuan të hynin në ambientet e saj duke kërkuar lirimin e mjediseve. “U lidhëm me telefonon me z. Ahmet Prençi, i cili bëri me dije se në vendin e ngjarjes janë dërguar drejtues të lartë të policisë dhe premtoi respektimin e ligjit nga ana e policisë. Pa hyrë në detajet e çështjes, KSHH i bën thirrje policisë të shmangë çdo konfrontim me studentët e pedagogët dhe të mos përdoret dhunë ndaj tyre. Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, ekzistojnë të gjitha mundësitë që konflikti në një qendër arsimore dhe kulturore të zgjidhet me mirëkuptim ose në rrugë gjyqësore”, - u shpreh dje ky Komitet.
22 Shkurt 2009