Plagosen tre persona në lokalin e natës, njëri rëndë në Spitalin Ushtarak
Shkodër – Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin verior. Një zënkë në një nga lokalet e natës në Shkodër ka shkaktuar tre të plagosur. Ende nuk dihen autorët e kësaj ngjarjeje apo arsyet e vërteta që e kanë shkaktuar atë, por mësohet se Kastriot Mëhilli është plagosur rëndë dhe ndodhet në rrezik për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Dy personat e tjerë, Ndoc Mirashi dhe Tonin Lisi, janë goditur me mjete të forta. Policia e Shkodrës po punon për sqarimin e rrethanave dhe nxjerrjen në dritë të arsyeve të vërteta që e shkaktuan këtë ngjarje të rëndë në agimin e ditës së djeshme në qytetin verior të vendit. Dëshmitarët thanë se gjatë konfliktit janë përdorur edhe armë zjarri.
I përplas makina, aksidentohen rëndë dy shtetas
Fier – Dy persona mbetën të plagosur dje në një aksident rrugor. Burime policore thanë se janë plagosur Jorgo Vasili, 42 vjeç, banor i lagjes “1 Maj” të qytetit të Fierit, si dhe Arqile Ristani, 45 vjeç, me banim në Grecalli. Sipas dëshmive në vendngjarje, dy burrat kanë qenë në një motoçikletë duke udhëtuar së bashku.
Në një moment, ata kishin ndalur dhe kishin qëndruar në pjesën anësore të rrugës automobilistike, por kur po zbrisnin nga motoçikleta, një automjet, që udhëtonte me shpejtësi, i ka përplasur dhe është larguar menjëherë. Dy shtetasit thuhet se po shkonin për të punuar në ndërtim në fshatin Portës. Gjendja e të dy të aksidentuarve paraqitet e rëndë. Mjekët thanë se ata kanë marrë plagë të rënda, por janë jashtë rrezikut për jetën, kurse policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është vënë në kërkim të autorit.
“Porosia e largët”, bllokohen 30 kg Canabis, në pranga 9 persona
VLORË - Nëntë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një aksioni të policisë së Vlorës në kuadrin e luftës kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë. Burimet zyrtare të kësaj drejtorie bëjnë me dije se sasia e lëndës së bllokuar është 30 kg Cannabis sattiva, e gjetur në dy vende të ndryshme. Operacioni i koduar “Porosia e largët” është zhvilluar në fshatrat Llakatund dhe Babicë e Vogël. Fillimisht, operacioni ka nisur me bllokimin e një sasie hashashi në një taksi në fshatin Babicë e Vogël, ku është ndaluar një shtetas. Pas kësaj, policia ka sekuestruar një tjetër sasi hashashi në fshatin Llakatund, ku është vënë në pranga një tjetër shtetas. Operacioni ka vazhduar përgjatë gjithë natës dhe paradites së djeshme dhe rrethi i të ndaluarve ka mbërritur në 9 persona. Të arrestuarit janë: Klodian Brahimi 23 vjeç, Hamit Hoxha 42 vjeç, Dashamir Lumaj 34 vjeç, Ruhi Matuka 42 vjeç, Gjergji Rustemi 42 vjeç, Klajdi Malolarri, Florjan Sadikaj 24 vjeç, Elton Ismailaj 18 vjeç dhe Rexhep Selimaj 30 vjeç. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar edhe dy makina, dhjetë aparate celularë dhe një pasaportë false që përdorej nga trafikantët.
22 Shkurt 2009