E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Sa e rrezikuar është Shqipëria nga kriza

Publikohet raporti për ekspozimin e rrezikut nga kriza financiare botërore. Qeveria tani nuk mund të ulë taksat apo të rrisë deficitin buxhetor

Shqipëria futet në listën e vendeve mesatarisht të rrezikuara nga kriza, por kjo situatë pritet të rrisë nivelin e varfërisë. Ky konstatim është bërë nga një raport i përgatitur nga ekspertët e Bankës Botërore, ku përcaktohet shkalla e rrezikshmërisë së shteteve të botës ndaj krizës financiare dhe ekonomike që po kalon bota. Për shkak të uljes së barrës fiskale, në këto kushte qeveria nuk ka se çfarë të ofrojë më tepër për biznesin. Ndërkaq, raporti thotë se kriza që buroi nga vendet e zhvilluara do t’i ketë pasojat te vendet në zhvillim. Të paktën 53 milionë veta në vendet në zhvillim do të futen në listën e të varfërve, ndërsa pritet të shtohet edhe niveli i vdekshmërisë për shkak të urisë. Ndër pasojat e listuara janë edhe problemet që do të kenë shtetet në arritjen e objektivave në kuadër të luftës kundër varfërisë.
Shqipëria
Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve që janë mesatarisht të rrezikuara nga pasojat negative që mund të sjellë kriza. Raporti, që klasifikon të gjitha vendet në zhvillim, sipas shkallës së ekspozimit të tyre ndaj krizës dhe efekteve që ajo mund të ketë tek mirëqenia e qytetarëve, e rendit Shqipërinë në një pozicion jo komod. Ekspertët e Bankës kanë konkluduar se qeveria shqiptare nuk ka shumë hapësira fiskale për t’u përballur me krizën. Kjo pasi, sipas tyre, Shqipëria nuk mund të ulë më taksat apo të rrisë deficitin buxhetor për të nxitur ekonominë dhe mbrojtur shtresat në nevojë nëse kriza do ta godasë fort vendin.
Ekspertët e Bankës Botërore pohojnë se rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, e kombinuar me nivelet e larta ekzistuese të varfërisë në vendet në zhvillim, i bën qytetarët e këtyre vendeve mjaft të rrezikuar ndaj varfërisë.
Pasojat e krizës
“Përhapja e krizës ekonomike botërore është duke varfëruar më shumë se 53 milionë veta në vendet në zhvillim, dhe me rritjen e vdekshmërisë foshnjore, e cila po rritet në mënyrë të shpejtë, po rrezikon në mënyrë serioze arritjen e objektivave të përcaktuara për kapërcimin e varfërisë”, - thotë Banka Botërore.
Vlerësimet e reja për vitin 2009 sugjerojnë se 46 milionë njerëz do të futen në kategorinë e personave me të ardhura më pak se 1.2 dollarë në ditë, dhe 35 milionë do të qëndrojnë në kufijtë e 2 dollarëve në ditë. Këtyre shirave u shtohen edhe 130-155 milionë njerëz në mbarë botën, që hyjnë në shtresën e varfër gjatë vitit 2008 për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe të ushqimeve.
Objektivat e OKB-së
Kriza ekonomike ka rrezikuar realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të cilat përfundojnë në vitin 2015. Angazhimet e qeverive të globit për uljen e varfërisë, rritjen e nivelit të arsimit, përmirësimin e sistemit shëndetësor, luftën kundër SIDA-s dhe kancerit, si dhe një sërë objektivash të tjerë, duket se janë vënë në dyshim për shkak të rënies ekonomike të 12 muajve të fundit. “Studimi i fundit tregon se ka një ulje të madhe të rritjes së nivelit ekonomik, e cila do të pasohet në mënyrë progresive me rritjen e vdekshmërisë foshnjore”, - thotë raporti. Paraprakisht llogaritet që nga viti 2009-2015 numri i fëmijëve që vdesin çdo vit mund të shkojë nga 1.2 – 2.8 milionë nëse kriza do të vazhdojë. Aktualisht, niveli është në 200-400 mijë fëmijë të vdekur çdo vit.
Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zellik, thotë se kriza ekonomike botërore rrezikon të bëhet një krizë njerëzore në shumë vende në zhvillim.
Zgjidhja e situatës
Kjo është një krizë globale dhe po kërkon një zgjidhje globale”, - thonë ekspertët e Bankës. Në takimin e ministrave të Financave të Grupit të të Shtatëve (G7), Banka Botërore u shpreh se 40 për qind e 107 vendeve të zhvilluara ishin me një shkallë të lartë ekspozimi të varfërisë për shkak të krizës. Banka Botërore ka përcaktuar tre fusha prioritare për fondet e shtresave në nevojë, që janë: programet e mbulimit të sigurimit, investimet infrastrukturore, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe institucioneve të mikrokrediteve. Organizata Botërore e Punës ka pohuar se kriza do të shpërndahet në çdo rrugicë të globit, duke rritur në mënyrë të ndjeshme edhe nivelin e varfërisë.

SHBA-të miratuan një javë më parë paketën 787 miliardë dollarë

Presidenti amerikan, Barak Obama, nënshkroi më 17 shkurt paketën stimuluese prej 787 miliardë dollarësh, duke shënuar një fitore madhore në përpjekjet për të zmbrapsur rënien ekonomike të vendit. Pas më pak se një muaj qëkur filloi nga detyra, presidenti Obama nënshkroi ligjin e quajtur “Rimëkëmbja dhe Riinvestimet amerikane” gjatë vizitës në shtetin e Kolorados. Shtëpia e Bardhë e quajti planin si përpjekjet më ambicioze në historinë e vendit për të stimuluar ekonominë. Projektligji përfshin shpenzime qeveritare dhe shkurtime taksash për të ndihmuar në nxjerrjen e ekonomisë nga recesioni. Administrata “Obama” thotë se plani do të krijojë ose shpëtojë 3.5 milionë vende pune, do të bëjë të mundur uljen e taksave për 95 për qind të amerikanëve dhe do të investojë në arsim, energji, kujdesin shëndetësor dhe në infrastrukturë. Mbi 270 miliardë dollarë do të shkojnë në ndihmë të personave që kanë marrë kredi nëpër banka për blerjen e shtëpive. Paketa stimuluese ishte subjekt i debateve intensive në Kongresin e kontrolluar nga demokratët, i cili e miratoi masën vetëm me votat e shumicës. Megjithatë, disa nga sektorët e ekonomisë, si ai i prodhimit të makinave, vazhdojnë të kërkojnë ndihma dhe fonde në formë kredi që t’i shpëtojnë falimentimit.

BE-ja, gati 200 miliardë euro për të nxitur ekonominë

Rreth 200 miliardë euro është shuma që kanë planifikuar të shpenzojnë shtetet e BE-së për të nxitur ekonominë e llogaritur për çdo vend. Kjo është e barabartë me 1,5% të rendimentit ekonomik. Brukseli ka në plan që të shtojë edhe 5 miliardë euro të tjera, me një paketë të veten ekonomike. Paketën më të madhe ekonomike pas Berlinit e ka përgatitur që në dhjetor të vitit të kaluar presidenti francez, Nikola Sarkozi: me 26 miliardë euro, Parisi synon ta ruajë nga rënia totale industrinë e automobilave dhe të ndërtimit. Vetëm këtë javë Sarkozi e rriti paketën e tij ekonomike dhe u premtoi më të dobëtëve nga ana sociale miliarda të tjera. Me kritika për programin e saj kundër krizës po përballet edhe Spanja, edhe nëse paketa prej 11 miliardë eurosh në fakt është në përputhje me atë që pritej. Britania e Madhe nuk i njeh probleme të tilla: qeveria e Londrës ka vendosur të ndjekë një rrugë krejt tjetër. Në fillim të vitit, në Britaninë e Madhe taksa mbi vlerën e shtuar u ul me dy për qind e gjysmë, për një periudhë të kufizuar kohe, në nivelin minimal të BE-së prej 15%. Tatëpjeta e ekonomisë britanike megjithatë vazhdon.

Shqipëria, pa asnjë plan masash antikrizë

Deri tani, i vetmi vend në BE që nuk ka një plan masash antikrizë është Shqipëria. Qeveria apo institucionet e tjera shtetërore i shohin si të pandjeshme efektet e krizës. Megjithatë, disa sektorë, si ai i fasonëve, industrisë minerare apo edhe sektori i ndërtimit po japin shenjat e krizës. Në anën tjetër, qeveria ka rritur borxhin duke marrë kredi në bankat jashtë vendit, por mbi 50% e investimeve publike nga buxheti i saj shkojnë për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Banka Qendrore ka ulur normën e interesit të lekut me 0.5 pikë, por bankat e nivelit të dytë duket se nuk kanë reflektuar pozitivisht në uljen e normave të kredive. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar një amnisti të gjerë fiskale. Ndërsa sektori i ndërtimit ka propozuar një paketë kërkesash për të dalë nga situata. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, mbi 4000 apartamente kanë mbetur pa shitur, ndërsa 30 për qind e firmave të ndërtimit nuk kanë pasur punë gjatë vitit të kaluar. Dy ditë më parë qeveria pranoi të ulej në takim me përfaqësuesit e sektorit të fasonëve (industria e mallporositësve). Në tryezë u ulën përfaqësues të Ministrisë së Financave, Doganave, Tatimeve, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Qeveria u angazhua për rimbursimin në kohë të TVSH-së dhe uljen e taksimit për sigurimeve shoqërore. Në këtë sektor punojnë mbi 120 mijë shqiptarë.

22 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›