E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Askush s’ka monopolin e të vërtetës”

 

QEMAL BIRAKU

Askush nuk e ka monopolin e të vërtetës. Kështu iu është përgjigjur kryeministri Sali Berisha kritikave të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri lidhur me përplasjen e fundit mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë. Teksa ka marrë pjesë në një tur përurimesh në arsim në qytetin e Vlorës, kreu i qeverisë nuk i është shmangur dot interesimit të mediave lidhur me deklaratat e një dite më parë të ambasadorit amerikan, por edhe të deklaratës së ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë. Sipas tij "ne tashmë kemi dalë nga bota hekurosur në botën e diversitetit. Dhe kjo është merita e demokracisë. Sigurisht që kritikat do të bëhen në diversitet, monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri, as unë as askush tjetër". Gjatë turit në qytetin jugor kreu i qeverisë nuk ka ndalur as akuzat ndaj opozitës. Sipas tij, pakica arriti deri aty sa të manipulojë vdekjen e një njeriu. "Nuk jam në fushatë elektorale, por nuk mund të mos ju ftoj ju që Sali Berishën dhe qeverinë e tij ta vlerësoni nga premtimet e dhëna dhe premtimet e mbajtura. Kjo është filozofia ime. Shkollat e reja, autostradat, universitetet e reja, parqet industriale, ujësjellësit dhe TEC-et nuk mund të errësohen me propagandën e mitingjeve për të manipuluar vdekjen, që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi, ashtu siç bëri opozita shqiptare 1 muaj më parë duke dëshmuar plotësisht, se nuk njeh më asnjë lloj standardi, norme e kriteri. Nuk nguron para asgjëje për të mashtruar qytetarët", u shpreh kreu i qeverisë gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të shkollës 9-vjeçare në komunën e Novoselës. Dy ditë më parë, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për programin prag të sfidës së mijëvjeçarit, ambasadori amerikan në Tiranë kritikoi ashpër qeverinë lidhur me përplasjen e fundit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë me prokurorinë. Sipas tij, veprimet e dy ministrive janë shqetësuese sepse janë reale. Uidhërs e ka quajtur ndërhyrje në autoritetin dhe të drejtat e gjykatës, ligjin e fundit të dërguar në parlament "Për administratën gjyqësore". Nga ana e tij, kryeministri Berisha gjatë asaj ceremonie u shpreh se korrupsioni është rrënuesi më i madh i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Gjatë turit në qytetin e Vlorës, kreu i qeverisë mori pjesë edhe në inaugurimin e përfundimit të punimeve në Universitetin e Vlorës, investim me vlerë 2 milionë e 200 mijë dollarë. Në takimin me studentë dhe pedagogë të këtij universiteti, kryeministri u shpreh se inaugurimi i ndërtesës së re është dëshmi e progresit të madh që universiteti "Ismail Qemali" ka bërë në 14 vite, duke u shndërruar në një nga universitetet më të rëndësishme në shkallë vendi. "Që nga data e themelit të tij në 14 vjet, universiteti i Vlorës, është shndërruar në një nga universitetet më të rëndësishme të vendit. Sot ai numëron 14 mijë studentë, por me drejtimet e reja stafi ri drejtues i këtij universiteti, staf i cili unë jam i bindur do të zgjerohet më tej me kapacitetet akademike dhe do të shndërrohet në qendër të rëndësishme rajonale të zhvillimit të këtij rajoni, por edhe të vendit në tërësi", theksoi Berisha.

PDR: Duhet reflektim pas kritikave
Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu tha dje se maxhoranca, por edhe e gjithë klasa politike do të reflektojnë pas kritikave të ndërkombëtarëve. "Jam i bindur se maxhoranca, por edhe politika shqiptare në tërësi do të studiojë me shumë seriozitet edhe vërejtjet edhe kritikat që mund t'i vijnë qoftë nga BE, qoftë nga shtetet e bashkuara të Amerikës, nga miqtë tanë, nga partnerët tanë shumë të rëndësishëm si një element ndihmues në rrugën tonë të reformave. Shqipëria në këtë periudhë ka bërë hapa përpara zhvillimi, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë është e përsosur", tha Shehu.

Ndoka: Berisha përgjegjës për krizën
Kryetari i PDK-së Nard Ndoka, ka akuzuar kreun e qeverisë si përgjegjësin kryesor për prishjen e imazhit të vendit. "Ne nuk e konsiderojmë Berishën fajtor, përderisa akuzat që i bëhen atij dhe rrethit të tij familjar të vërtetohen vetëm nga organet e drejtësisë shqiptare, por ne e konsiderojmë atë përgjegjës politik për skandalet politike, për prishjen e imazhit të qeverisjes dhe mosfunksionimin e koalicionit qeverisës, shkeljen e kontratës politike me zgjedhësit dhe për ftohjen në rritje të klimës së besimit midis maxhorancës së djathtë dhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE", tha Ndoka.

PD ende pa nismë për komisionin hetimor
Ndonëse kryeministri Berisha bëri të ditur në fillim të javës, se maxhoranca do të ndërmarrë nismën për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të hetojë marrëdhëniet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme me prokurorinë, ende deputetët e PD-së nuk kanë iniciuar këtë projekt. Pak ditë më parë ambasadori Uidhërs u shpreh kundër kësaj, ideje duke e cilësuar atë si të çuditshme. "Të gjitha këto i gjej shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese. Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye legjitime përse qeveria apo parlamenti t'i ndërmarrë këto lëvizje", theksoi Uidhërs pak ditë më parë.

Veliaj: Të shqetësuar pas deklaratave të Uidhërs
Drejtuesi i "G99", Erion Veliaj, vlerëson deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë. "Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar sot pas fjalës së zotit Uidhërs në mbrojtje të prokurorisë shqiptare, jemi të trishtuar, sepse si në vitet 1990, 1996, 1997, të huajt janë ata që na tregojnë sesa e paaftë, sesa agresive e autoritariste, sa e padrejtë dhe sa gabim e ka qeveria shqiptare. Sot i vetmi lajm i mirë në deklaratën e zotit Uidhërs është fakti, që ka një konsensus të përgjithshëm që zoti Berisha e ka gabim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›