PD: Rama po mban peng hapjen e dosjeve
Partia Demokratike akuzon kreun e PS-së, Edi Rama se po mban peng hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi tha dje se lideri i socialistëve po dëshmon edhe njëherë mbrojtjen e sistemit të rrëzuar në vitin 1991. "Ai u përpoq të organizonte pelegrinazhin në ish-shtëpinë e diktatorit, goditi Tom Rigde, sekretarin e parë të sigurisë kombëtare të presidentit Bush dhe ka mbi pesë muaj që mban peng ligjin "Për hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve". Në të vërtetë politika e tij në këtë aspekt nuk është asgjë tjetër, veçse një mbrojtje e të kaluarës së hidhur të vendit tonë", u shpreh zëdhënësi i deputetit demokrat. Në të njëjtën linjë, zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani i kërkoi kreut të PS-së të kërkojë publikisht falje, që përdori politikisht vrasjen e Kosta Trebickës. "Partia Demokratike i kërkon zotit Rama që publikisht t'i kërkojë ndjesë shpirtit të Kosta Trebickës, të cilin tentoi ta keqpërdorë në mënyrën më çnjerëzore, publikisht t'i kërkojë ndjesë familjes së tij, publikisht t'i kërkojë ndjesë shqiptarëve për mitingun e turpit që organizoi në qendër të Tiranës, për të manipuluar për qëllime të ulëta personale aksidentin e një njeriu", theksoi Bogdani gjatë një deklarate për mediat. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë rozë. Sekretari organizativ Blendi Klosi, tha se kryeministri Berisha duhet të largohet sa më shpejt nga jeta politike e vendit dhe jo vetëm nga drejtimi i qeverisë. "Për të kuptuar gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet Partia Demokratike, mjafton të vlerësosh zëdhënësit e saj më të rinj, të cilët janë transformuar në tellall të paturpshëm të liderit të tyre Sali Berisha, të cilët në deklarata të pakuptimta kërkojnë të shmangin vëmendjen. Ajo çfarë e gjithë qytetaria sot po kërkon, është që Sali Berisha, jo vetëm të largohet nga drejtimi i qeverisë, por ai urgjentisht duhet të largohet edhe nga jeta politike e vendit", tha Klosi.