E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha po përsërit 1997

 

Aristir Lumezi

Përplasja e fundit mes Partisë Dem-okratike të Sali Berishës dhe  Ambasadës amerikane ndodhi më 1997.    Sekretarja e marrëdhë-nieve me jashtë në PS, Arta Dade i bëri apel kryeministrit Berisha të kuptojë mirë deklaratat që vijnë nga ambasadori amerikan Xhon Uidhërs. Sipas saj, deklaratat e zhveshura nga gjuha diplomatike tregojnë ashpërsimin e marrëdhënieve mes qeverisë dhe SHBA-së. 
"Kur një ambasador flet publikisht, kjo do të thotë se ai i ka ezauruar të gjitha mjetet e tjera diplomatike, deri në momentin që flet publikisht dhe është vërtet për të ardhur keq, që këto mesazhe të përsëritura publikisht nuk janë dëgjuar dhe nuk janë marrë në konsideratë nga kryeministri shqiptar", tha Dade. Në këtë mënyrë, sipas sekretares socialiste, është përgjegjësi direkt e kryeministrit Berisha përkeqësimi i marrëdhënieve të qeverisë me SHBA. Ajo i kërkoi intelektualëve të Partisë Demokratike të frenojnë një gjë të tillë. "Vetë PD duhet të reflektojë sepse na përsëriten të njëjtat praktika, si në '97, kur armiku kryesor i PD-së u bënë SHBA, kur ata flisnin pikërisht për cenimin e vlerave të demokracisë. Unë personalisht dhe PS nuk do të dëshironim që kjo parti të mbetej e ngërthyer në këto skema të së shkuarës dhe me kënaqësi kam konstatuar që një numër intelektualësh edhe me vizion që nuk i mungojnë PD-së, kanë filluar të artikulojnë qëndrime ndryshe nga ato që mban Sali Berisha", tha Dade. Përfaqësuesja e lartë e PS-së tha dje se kryeministri Berisha ka gabuar rëndë me përplasjen me Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas saj, reagimi i opozitës është një proces dinamik që nuk përjashton hapa konkretë në të ardhmen kundër qeverisë. "Në një vend normal kryeministri duhet të ishte larguar që në momentin që ndodhi shpërthimi në Gërdec", tha Dade. 
Përplasja
Pas zgjedhjeve të kontestuara të majit 1996, opozita doli në protesta masive, ndërsa departamenti amerikan i shtetit dhe Bashkimi Evropian i kërkuan qeverisë së maxhorancës së djathtë të reflektonte ndaj manipulimeve që pretendonte opozita. Kështu ata kërkuan zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në 40 zona elektorale, gjë që nuk u pranua nga Berisha. Parlamenti Evropian hartoi një rezolutë, ndërsa departamenti amerikan kritikoi këtë qëndrim të qeverisë shqiptare. Kulmi i acarimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe qeverisë së asaj kohe, ishte vizita e zv.sekretarit amerikan të Shtetit. Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha refuzoi ta priste në zyrën e tij, duke u justifikuar me axhendën e tij të ngjeshur. Pas kësaj, nisi ftohja e plotë e marrëdhënieve mes maxhorancës dhe PD-së e Sali Berishës. Atëherë Ambasada e SHBA-së doli hapur kundër skemave piramidale, ashtu si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Dorëheqja
Partia Socialiste artikuloi qartë edhe njëherë kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, e cila një ditë më parë u kërkua nga kryetari Rama, ndërsa është në pritje të përcaktimit të ditës se kur kreu i qeverisë do të paraqitet në Kuvend për mocionin e debatit, për çështjen "Fazlliç". Por që pas shprehjes së shqetësimit të Ambasadorit të SHBA-së, si për hetimin ndërkombëtar dhe për Komisionin Parlamentar ka një heshtje nga ana e maxhorancës, për të treguar nëse ka prej tyre në reflektim apo jo për këtë shqetësim. "Berisha duhet të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas Gërdecit, meqë kryeministri ynë nuk e bëri, atëherë duhet të largohet tani për të shpëtuar edhe Partinë Demokratike, por edhe për të shpëtuar Shqipërinë" u shpreh Dade. Lidhur me kritikat e fuqishme që erdhën nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Euroatlantik, sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare të PS-së, Dade, tha se "duhet të ketë një reflektim nga vetë zoti Berisha dhe të ndalet në hapat e tij thellësisht të gabuara, për të krijuar një Komision Parlamentar investigativ për prokurorinë, por edhe thirrja që bën për të pasur një trupë ndërkombëtare për të mbikëqyrur Prokurorinë Shqiptare. Shpresoj që Berisha të jetë tërhequr nga këto dy praktika antidemokratike dhe antikushtetuese." "Sulmi ndaj institucioneve të pavarura dhe tentativa për t'i marrë ato nën kontroll kanë të bëjnë me mendësitë që ky individ ka manifestuar sa herë që ka qenë në krye të shtetit", shtoi më tej Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›