Fytyra e absurdit në Kosovë
Sami Repishti
Manifestimi përkujtimor i lindjes së diktatorit, satrapit aziatik EHO, në Prishtinë dhe disa vende të tjera të Kosovës, nuk ashtë thjesht i pabesueshëm; ai ashtë bizar, grotesk, padyshim absurd. Ndërsa Nëna Shqipëri rënkon akoma nga plagët e përhershme të shkaktueme nga një regjim shtazarak, si ai i PKSH/PPSH dhe kryetarit të tyre maniak, në Kosovën e martirizueme nga komunistët jugosllavë, kryesisht serbë, festohet me thirrje histerike ditëlindja e njërës nga figurat ma të shëmtueme të historisë shqiptare, ndoshta ma e shëmtuemja.
Që nga nëntori 1944 deri në mars 1992, ma shumë se 6.000 burra a gra janë vra me gjyq e pa gjyq, ma shumë se 26.000 shqiptarë janë arrestue, torturue dhe burgosur, kryesisht për "faje verbale" ma shumë se 12.000 familje, pleq, gra dhe fëmijë të prindërve të persekutuem kanë kalue vite të gjata në kampe përqendrimi, e punë të rënda nën kërbaçin e policit të kuq; me qindra mijëra vëllazën e motra shqiptarë janë persekutue në mënyrën ma të egër, për 45 vjet me radhë e me format ma çnjerëzore që Sigurimi famëkeq i shtetit shqiptar mësoi nga të tjerët, ose zbuloi në kërkimet e tij me perfeksionue persekutimin. Vuajtja u ba ushqimi i përditshëm; gënjeshtra fitoi statusin e komunikimit social, terrori u përqafue me entuziazëm si mjeti ma i lehtë e ma efektiv me vulosë një status quo, ku liria ishte vra me plumb, ku e vërteta quhej krim, dhe ku dashuria për vëllain e motrën shqiptare ishte mbyt nga zhurma e një propagande, që kërkonte thellimin e përhershëm të "luftës së klasave", sinonim i pabarazisë sociale dhe i arbitraritetit pa rekurs.
Për 45 vjet me radhë, Nëna Shqipëri u izolue nga bota e jashtme; familjet në të dy anët e kufirit u ndanë për jetë. Qindra të rij e të reja që kërkuan lirinë u vranë nga rojet e kuqe ose u coptuen nga qentë e tyre. Vetëm "udhëheqja" udhëtonte për "shërbim", "kura mjekësore" dhe dëfrim. Nëna Shqipëri u ba sinonim i një vendi ekzotik, të çmendur dhe të rrezikshëm për racën njerëzore. Të vorfën pa kufi, të zhveshur, të lodhur deri në kockë, 3-milionë shqiptarë përkulën kurrizin në punë të rënda të planeve të çmendura pesëvjeçare, për një copë bukë, për një pras, për një domate...!
Kur më 1991, mbas përmbysjes së turpshme të regjimit gjakatar komunist në Shqipëri, një popull i rraskapitur nga frika e uria u vërsul si i çmendur me u largue nga vendlindja, larg nga toka nanë që u ndërrue në njerkë, të rinj e të reja shqiptare, shpresa e vendit, u arratisën me rrezikun e jetës, në vende të panjohura, në shtete që nuk i dëshironin, në mes të popujve të huaj që i përbuzeshin dhe i përçmonin, e sot jetojnë në mërgim.
Vëllazën e motra shqiptarë të indoktrinuar të Kosovës! Në qoftë se nuk keni turp që "respektoni" kujtimin e një tirani monstruoz, të paktën kini mëshirë për viktimat e pafajshme që ai krijoi dhe shtypi pa mëshirë. Mos harroni se "shqiptarët e Shqipërisë" janë vëllaznit dhe motrat tuaja që ju duan, që ju ndihmojnë dhe që dëshirojnë vetëm të mirën tuaj. Me mijëra janë vra nga EHO, që ju sot nderoni, vetëm sepse kundërshtuan politikën e tij pro-jugosllave që persekutonte "Shqipërinë Lindore" siç e quajmë ne. "Edhe flamuri kuq e zi/ Do të valojë përsëri/ Në Kosovë e Çamëri/ Plot me gaz, me gaz e në liri!" ka qenë kënga jonë djaloshare e mbytur nga pushka partizane e komunistëve shqiptarë. Ju lutem, mos harroni mijërat e të rinjve dhe të rejave kosovare që u vranë në 1944-'45 atje tek ju në Kosovë, e që u torturuan, u burgosën për vite të gjata nga Sigurimi i Shtetit, e që unë i kam pa në burgjet shqiptare, i kam dëgjuar, i kam prek me dorë dhe kam qarë kur kanë vdekur në burgjet e errëta komuniste dhe ma në fund i kam varros në vende të panjohura, pa shenja, pa gjurmë. Fytyrat e tyre të zverdhura nga uria e kamxhiku i rojës së kuqe shqiptare më ndjekin akoma sot, e sytë e thellë të kufomës sikur më thonë: "Mos na harroni! Erdhëm se deshëm Nënën Shqipëri. Kjo Nënë na vrau. Ju lutem mos na harroni!"
Por manifestimet e fundit enveriste në Kosovë tregojnë se ata viktima jo vetëm që janë harrue, por vriten sot për herë të dytë; kësaj radhe nga vëllaznit e mortat e tyre kosovare. Manifestimet e fundit enveriste në Kosovë janë padyshim fytyra e absurdit kosovar. Ata janë turpi i Kosovës dhe i kombit shqiptar. Ata janë shfaqja ma monstruoze dhe imorale e një pjese të popullit shqiptar të Kosovës, që nuk njeh të drejtën e çdo individi me jetue i lirë dhe me dinjitet, dy armiqtë ma të mëdhenj të komunizmit. Ata përfaqësojnë klasën që ka humbur arsyen dhe që ashtë zhveshur nga ndërgjegjja. Zëri i arsyes dhe i ndërgjegjes ka vdekur në mendjet e tyre të turbullta dhe në zemrat e tyre të akullta, sepse ata mohojnë sakrificat e shqiptarëve në luftën kundër komunizmit, në të dy anët e kufirit. Kam shumë frikë se këta janë fanatikë të pariparueshëm dhe elementi i hedhur përfundimisht jashtë kuadrit të shoqërisë njerëzore të qytetnueme.
Vëllazën e motra shqiptarë të Kosovës: Ju lutem kini mëshirë për ne, viktimat e komunizmit gjakatar. Dënoni diktatorin!