Ulet çmimi i naftës në bursa
Çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare është ulur sërish. Sipas mediave të huaja, tregjet botërore po tronditen nga rënia drastike e çmimeve. Nafta ka rënë me 2.6 dollarë për fuçi krahasuar me një ditë më parë, duke u shitur me 67 dollarë për fuçi. Ky është edhe niveli më i ulët në 15 muaj dhe sipas ekspertëve pritet të shkojë deri në 50 dollarë për fuçi. Në krahasim me muajin korrik të këtij viti çmimi i arit të zi në bursat e huaja është ulur me gati 50 për qind. Por në tregun vendas kjo ulje ka qenë simbolike. Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë kushton mesatarisht me 145 lekë, ndërsa 1 litër benzinë me 150 lekë. Më shumë se 85 për qind e kërkesave për karburant plotësohet nga importi, për rrjedhojë tregu i karburanteve në vend është shumë i ndjeshëm ndaj luhatjeve të bursave të huaja. Por sa herë që çmimi i arit të zi në bursa rritet, ky ndryshim reflektohet menjëherë në tregun vendas ndërkohë që e kundërta ndodh kur çmimi i karburanteve pëson ulje.