Për ca djem që na bëjnë krenarë!
Martin Leka
Të mërzitur, të përhumbur e të demotivuar nga politika e Tiranës, ne përsëri vazhdojmë (e kam fjalën për veten e kolegët e mi) të endemi po në këtë vorbull. Fundja, edhe ne jemi në njëfarë mënyre, me veprimet apo mosveprimet, me dëshirën apo mosdëshirën tonë, pjesë e këtij realiteti që thuhet se prodhon vetëm politikë…
Po të ishte kështu, s'ka ku shkon më mirë?!... Por, a prodhohet vërtetë politikë?
Pseudopolitikë po! Sepse aty ku prodhohet politikë, aty prodhohet demokraci, mirëqenie, prosperitet. Në këtë kaos politik që ka në Tiranë, domosdo që edhe këto "fryte" të prodhimit të politikës do të mungojnë ...do të jenë me "cene".
***
Gjatë një jave në Tiranë, politika e vetme kanë qenë akuzat e ndërsjella, si gjithnjë permanente, mes pushtetit dhe opozitës, herë me tone të ulëta e rutinë, herë me tone të ashpra e armiqësore.
Gjatë një jave e më shumë, në Tiranë, politika më shumë, vazhdon të flasë për një farë Damir Fazlliç, një tip mashtruesi për të cilin dyshohet se është marrë me pastrimin e parave në Shqipëri. Ky serbo-boshnjak me pasaportë angleze, thuhet dhe pohohet madje, se është mik i kryeministrit dhe që përveç të tjerash, na paska bërë goxha pasuri duke blerë e shitur tokë, madje duke arritur gjer atje sa i paska shitur vetvetes një sasi toke?!... Pakkush mund ta besojë e kuptojë këtë, por edhe ekonomisti më mediokër e sqaron fare qartë se ky operacion quhet pastrim parash …
Damiri erdhi e iku dhe ndërsa prokuroria bënte punën e saj në bazë të rregullave e ligjit, dy ministra të qeverisë ushtruan presion absurd mbi këtë organ të pavarur nga qeveria, duke bërë që kjo sjellje të tërheqë vëmendjen e përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë në vend, të cilët nuk nguruan menjëherë të bëjnë publike tërheqjen e vëmendjes ndaj qeverisë shqiptare për ndërhyrje në punët e gjyqësorit.
Madje, për herë të dytë pas vetëm pak ditëve, ambasadori i SHBA Withers, u desh të ripërsëritë, këtë herë përballë kryeministrit shqiptar, se fenomenet e kritikuara prej tij dhe ambasadorëve të BE-së lidhur me ndërhyrjet dhe presionin ndaj prokurorisë, janë reale dhe jo keqkuptime, duke e zhveshur gjuhën diplomatike nga frazat e përgjithshme.
Opozita nga ana e saj, vazhdon të bëjë punën e vet, herë e ndarë e herë e bashkuar, herë e ashpër e herë e moderuar…
Të vetmit që bëjnë punët e përditshme dhe që shikojnë, presin e vuajnë mungesat që mund t'i kishin në rast të një tjetër politike e qeverisjeje, janë qytetarët.
***
E ndërsa të gjitha këto që ndodhin në Shqipëri nuk e bëjnë qytetarin shqiptar të ndihet mirë, ka ca djem që na largojnë nga gjullurdia e jetës së përditshme dhe që na bëjnë të gjithëve të jemi krenarë. Javën e kaluar, ekipi kombëtar i futbollit, arriti një rezultat të denjë për çdo ekip elitë të futbollit evropian e botëror. Djemtë e drejtuar nga tekniku holandez Han, arritën një barazim historik, përmasat e të cilit rriten nëse marrim parasysh faktin, se për një kohë të gjatë ekipi u detyrua të luajë me 10 lojtarë. Këtë fakt, pra rezultatin e ekipit tonë kombëtar me Portugalinë, një prej ekipeve elitare të futbollit evropian, e zbuluan më shumë mediat e huaja sesa ato shqiptare, përjashto gazetat sportive.
Por kjo nuk ka më shumë rëndësi sesa fakti se djemtë shqiptarë, Bogdani, Skela, Lala, Beqaj, Berisha (jo Saliu), Cana, Beqiri, Duro, Bulku etj., na kanë bërë të ndihemi krenarë. Krenarë që jemi një vend ku nuk njihemi vetëm për konflikte politike, për mungesë demokracie apo për korrupsion …