E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milot-Kalimash,dy pamjet ekstreme të punimeve në autostradë

 

Nga i dërguari ynë në milot-rreshen, Ferdinand Dervishi

Me dhimbje, por kjo ka për të ndodhur. Shijen e trumbetuar të autostradës patriotike Durrës–Kukës ka të ngjarë që ta prishë segmenti i parë, ai Milot-Rrëshen.
Bëhet fjalë për atë shijen shumë të dëshiruar të inaugurimit në qershor 2009, përgjatë, apo në zenit të fushatës elektorale. Dhe kjo ka për të ndodhur edhe pse deri në vitin 2005, në kuadër të dëshirës dhe nismës “Majko”, në këtë segment punuan pa u paguar ushtarakët e reparteve të xhenios, edhe pse gjurma e dy korsive të vetme është dizajnuar dhe po zbatohet përmbi atë të ish-hekurudhës më të re të ish-komunizmit, që quhej Milot-Rrëshen-Klos... Shkurt, po t’u hedhësh një sy, punët në këtë segment duket sikur kanë mbetur si të bëhej fjalë për fillimin e tyre. Si e prerë me thikë, krejt tjetër është pamja në afërsi të Rrëshenit, aty ku Bechtel&Enka, që ka marrë pjesën e luanit, ka bluar peizazhin duke ngulur fort në tokë një lumë të betontë me katër korsi.   
Me thënë të vërtetën, dy nga gjithsej tri lotet e këtij segmenti prej 26 kilometrash kanë nisur punën vetëm në prill të këtij viti. Pra, pak më shumë se një vit me vonesë krahasuar me gjithë të tjerët. Dhe në pak muaj mbase nuk mund të bësh më shumë, edhe pse drejtuesit e punimeve tregojnë me gisht datën 23 tetor 2009, e fiksuar në kontratë për përfundimin dhe thonë të bindur, se ajo është koha zyrtare që duhet respektuar në çdo rast.
Fushë Milot–Skuraj,
pengesë mbikalimi
Një mbikalim gjigant mbi lumin Mat, që kryqëzohet duke kaptuar në lartësi urën e rrugës së vjetër për në Lezhë, duket se do të jetë një nga shkaqet e vonesave në këtë segment prej 9 kilometrash të autostradës. Në fakt, sllovenët e “SCT d.d. Ljubljana” e kanë nisur punën më herët, madje edhe më parë se Bechtel&Enka, më 1 janar 2007, por për një kohë të gjatë, për shkaqe që mbase kishin të bënin me lëvrimin e fondeve, ata e bënë pushim. Aktualisht, kjo shoqëri punon me firmën nënkontraktuese shqiptare “Arifaj”. Porse shumica e punëtorëve, kryesisht e specialistëve, janë kosovarë dhe rreth 10 punëtorë janë shqiptarë. Firma e ka mbushur gjithë trupin e rrugës në segmentin e saj prej 9 kilometrash, ka përfunduar të gjithë veprat e vogla të artit, por duket se është në hapat e parë të punës për realizimin e mbikalimit të lumit Mat dhe të një ure tjetër në afërsi të fshatit Skuraj, që ndërtohet po përmbi shtratin e lumit. Edhe pse duket qartazi se punohet me ngulm, një parashikim i thjeshtë thotë se ky segment nuk do të jetë aspak gati më 23 janar 2009, kur kontrata thotë se rruga duhet të dorëzohet e përfunduar.
Skuraj–Rubik, asgjë
përmbi urat e vjetra
Loti i dytë, ai Skuraj-Rubik, prej 9.2 kilometrash, me kosto 12.7 milionë USD, i është besuar një tjetër shoqërie sllovene të quajtur “CGP d.d. Novo Mesto, Slovenia”. Porse dita zyrtare e nisjes së punimeve është 23 prilli i këtij viti. Kjo sepse, pikërisht ky segment, por edhe loti i tretë, u tenderuan me një vonesë të pazakontë. Gjithsesi, punimet kanë ecur në të gjithë gjatësinë e segmentit, përmbi gjurmën e ish-trasesë së hekurudhës të zgjeruar nga ushtria. Gjatë ditës se djeshme të gjitha mjetet ishin përqendruar në ndërtimin e një ure në afërsi të Rubikut. Një drejtues punimesh, që nuk dëshironte të bëhej publik, pohoi se këtë segment po e realizon firma nënkontraktuese shqiptare “Kirshberger” dhe se gjithsej janë të punësuar rreth 50 punëtorë e specialistë vendas. Sipas të njëjtit, pothuaj gjithë trupi i rrugës në këtë segment është shtruar, janë bërë edhe veprat e artit, por kohë do marrin tre ura, një nga të cilat në gjatësinë 160 metër, ndërsa një e dytë, më e vogël, vetëm 30. Kur pyetet për afatin e mundshëm të përfundimit, drejtuesi i punimeve tregon i qetë tabelën me të dhënat për këtë segment dhe thotë me bindje se gjithsesi ajo do të jetë gati më 23 tetor 2009. Ndërkohë, aparati fotografik fikson në këtë segment të paktën dy ura të vjetra të hekurudhës të shkatërruara, mbi të cilat pothuaj nuk është vënë dorë.
Rubik-Rrëshen, urat
gjigante ende në bazament   
Loti i tretë i Milot–Rrëshen është fituar të ndërtohet po nga sllovenët e “CGP d.d. Novo Mesto, Slovenia”. Është i gjatë 7 kilometra dhe sërish vlen 12.7 milionë dollarë. Edhe në këtë segment punohet me një nënkontraktues shqiptar, “Delia Group sh.p.k Tiranë”, ndërkohë që problemi kryesor duket se do të jenë dy urat mbi lumin Fan. Pasi në të dyja ato, njëra gjendet në të dalë të Rubikut dhe tjetra në afërsi të Rrëshenit, është hedhur vetëm betoni në bazamentin e këmbëve. E gjithë puna e bërë që nga starti i datës 23 prill të këtij viti, duket në këtë segment ka shkuar më shumë për të ndërtuar dy urat. Pjesa tjetër e përfunduar janë veprat e artit dhe një zonë e trasesë, por pranë disa ish-urave të vogla të hekurudhës dhe një pjese të gjurmës së autostradës të zgjeruar nga ushtarët duket se nuk është prekur asgjë. “Llogaritë janë që të respektohet afati i përfundimit që është më 23 tetor 2009 edhe pse dy urat, nga 206 metra të gjata secila, duan kohën e tyre të jenë gati”, thotë Petrit Zefi, një drejtues punimesh vendas. I njëjti nuk rrudhet t’i përgjigjet edhe pyetjeve të vështira. Sipas Petritit gjurma e rrugës është bërë përmbi ish-hekurudhën për të pasur kosto sa më të vogël dhe për zgjerimin e saj deri në vitin 2005 ka punuar ushtria. Pyetjes, përse me dy korsi, i njëjti iu përgjigj: “Kjo është një rrugë emergjence. Dy korsitë e tjera janë llogaritur të bëhen më pas, pasi të inaugurohet dhe të bëhet lidhja me segmentin e Bechtel&Enka”...
Pak metra më tej, sikur të bënin një karshillëk të dukshëm, nisin katër korsitë e bëra pothuaj gati të Bechtel&Enka, madje e para, që duket, është një urë e dyfishtë mbi Fan, e ndërtuar me elegancë dhe e vendosur në atë terren sikur të ishte prej lodre. Një pamje që pikërisht këtu, në këtë pikë të autostradës patriotike Durrës–Kukës, realizon atë thënien e vjetër shqiptare “ca të nënës, ca të njerkës”, që përdoret rëndom për të shpjeguar një trajtim të pabarabartë.    

Loti i parë

Segmenti: Fushë Milot–Skuraj
Gjatësia: 9 km
Vlefta: 11.5 milionë USD
Zbatues: “SCT d.d. Ljubljana, Slovenia”
Fillimi i punimeve: 23.01.2007
Përfundimi: 23.01.2009
Mbikëqyrës: “Scetauroute” - Francë

Loti i dytë

Segmenti: Skuraj-Rubik
Gjatësia: 9.2 km
Vlefta: 12.7 milionë USD
Zbatues: “CGP d.d. Novo Mesto, Slovenia”
Fillimi i punimeve: 23.04.2008
Përfundimi: 23.10.2009
Mbikëqyrës: “Scetauroute” - Francë

Loti i tretë

Segmenti: Rubik -Rrëshen
Gjatësia: 7 km
Vlefta: 12.7 milionë USD
Zbatues: “CGP d.d. Novo Mesto, Slovenia”
Nënkontraktues: Delia Gruop sh.p.k Tiranë
Fillimi i punimeve: 23.04.2008
Përfundimi: 23.10.2009
Mbikëqyrës: “Scetauroute” - Francë

Probleme edhe në Kalimash-Morin
Edhe 8 lotet e autostradës që gjenden në veri të pjesës së Bechtel&Enka nuk do të jenë gati në afatet e përcaktuara. Disa ura të mëdha, gjithsej 9, në bazë të kontratës së parë, duheshin dorëzuar më 3 shkurt të këtij viti. Por në kohën kur ato kishin nisur të ndërtoheshin, projekti ndryshoi, pasi urat duheshin bërë 4–kalimëshe, Kjo shtoi dyfish jo vetëm vlerën, por edhe kohëzgjatjen e ndërtimit. Kështu që në këtë segment duket se nuk ka asnjë llogari përfundimi në vitin 2009

Më 13 qershor përurohet rruga Rrëshen-Kalimash

Nga i dërguari ynë në Thirrë, Aristir Lumezi

"Në 13 qershor 2009 do të dorëzojmë segmentin Rrëshen-Kalimash". Kjo është sfida që kompania "Bechtel-Enka" ka vënë me afatet e përfundimit të kësaj vepre gjigande, parashikimi i të cilës është fundi i muajit qershor të 2009-ës. Pas qershorit të ardhshëm, ditë të tilla vjeshte me diell, nuk do të jenë më mundim për t'i kaluar rreth kryeqytetit. Vetëm për 2 orë e gjysmë do jemi në Prizren, qytetin e parë përtej kufirit me Kosovën, përmes autostradës Durrës-Morinë. Të udhëtosh sot në këtë segment, është një torturë e vërtetë, pasi gjithçka është në punim e sipër, ndërsa pas përfundimit të tij, ky udhëtim premton të jetë mbresëlënës. Rreth 170 km e gjatë deri në Morinë, autostrada do të kalojë luginën e Fanit përmes 27 urave, ku më e larta do të jetë 80 metra, ndërsa shpejtësia e lëvizjes rreth 100 km në orë.
Të nisur në orët e para të mëngjesit nga Tirana, dita premtonte të ishte e lodhshme dhe e mundimshme. Donim të të shikonim punimet e këtij segmenti kaq të përfolur nga të gjitha palët, me idenë se pas përfundimit të tij, s'do mundja të bëja  krahasimin me atë ç'ka qenë më parë. Sapo kemi lënë pas urën me harqe të Milotit, të ndërtuar që në kohën e Italisë, marrim luginën për të kapur fillimisht Milotin. Na tregojnë vendin ku dikur ishin bërë dy herë inaugurime për nisjen e punimeve në prezencë të forcave dhe mjeteve të xhenios. Disa qindra metra trase dhe gërmime anësore të shpatit të malit dhe më tej pamja nuk premtonte asgjë. Ishim pikërisht në Lotin 1, Milot-Skurraj 9 km, një kontratë e lidhur në shkurt të 2007-ës me kompaninë sllovene SCT Ljublijana dhe të financuar nga Banka Botërore. Pak punime të kryera, ndërsa mjetet e rënda transportuese nuk i shihje gjëkundi. Paskan të drejtë një pjesë, thamë me njëri-tjetrin, që flasin se rruga nuk përfundon dhe komente si këto. Për momentin u vumë në dilemë nëse ia vlente udhëtimi, i cili nuk do të ishte i shkurtër. Rruga vazhdon përmes luginës së lumit Mat, lëmë pas Milotin dhe në Rrëshen shfaqen këmbët e një ure të madhe, që ishte në ndërtim e sipër. Kishim hyrë në segmentin e Bechtel-Enka! Si për ironi të fatit, përbri urës në ndërtim, ishte dhe një urë e linjës hekurudhore e ndërtuar para viteve '90 që të çonte në Rrëshen. Edhe pse i rezistoi kohës, sot jashtë përdorimi, tek të dyja ato kishte shenja të epokave të ndryshme. Më pas, rruga jonë ngjitet përmes Shpalit, një segment gjithashtu i para '90, i cili përshkon qafa malesh. Gjatë një ndalese për kafe, një shofer i vjetër i zonës, i cili kishte punuar në minierë, thotë se deri në Kukës kjo rrugë ka 2700 kthesa!
Edhe pse zgjati ca, rruga na nxori në luginën e Fanit, i cili, edhe pse një javë më parë kudo patëm ditë me shumë shi, ai "flinte" si të ishte verë. Me një ujë të kthjellët, Fani, në anën e kundërt të rrjedhës, na orienton drejt Repsit e më pas Thirrës. Gjatë gjithë luginës shohim miliona m3 dhera të lëvizura, por dhe ura të gjera dhe të larta që e bëjnë rrugën e re sa është e mundur, një trajektore të drejtë për t'u përshkuar. Në të janë shmangur shumë kthesa, ndërsa traseja që kalon në rrëzë të shpatit të malit, të jep përshtypjen e një pllaje. Ka vende të trasesë ku ajo ngrihet me dhjetëra metra mbi shtratin e lumit, duke e bërë segmentin një rrugë fare të drejtë dhe pa pjerrësi. Një nga miqtë e mi, i cili kishte qenë atje me kryeministrin Berisha gjatë vizitës së tij të fundit, shihte se që nga ajo ditë kompania kishte bërë punë të dyfishtë. Njëkohësisht me trasenë e autostradës, "Bechtel-Enka" kishte ndërtuar dhe rrugë dytësore, përmes të cilave lëviznin kamionët e tonazhit të rëndë nga një kantier në tjetrin, rreth 35 km rrugë aksesi. Përmes luginës së Fanit, në krahun e kundërt të trasesë së autostradës, të zë syri shtëpi të reja. Janë shtëpitë e atyre banorëve që edhe pse rruga ua prishi të vjetrat, ata nuk u larguan prej fshatit, por i ndërtuan ato përkarshi me paratë e shpronësimit. Gjatë gjithë rrugës deri në Thirrë, mjete moderne lëvizin pa pushim nga një kantier në tjetrin. Një vinç modern i projektuar vetëm për montime urash, bënte vendosjen e trarëve beton-arme të pararendur me gjatësi standarde 40 metra. Sipas menaxherit të përgjithshëm të projektit, Mike Sëinford, nga 27 ura që ka i gjithë projekti, 22 janë në përfundim apo në montim. Janë plot 4.5 km rrugë që kalojnë përmes urave.
Tuneli
Pasi përshkuam disa kantiere, ku uniformat portokalli me helmeta lëviznin pa pushim, mbërritëm në hyrjen e tunelit të Thirrës. Një teknik turk nuk na lejoi të shkonim më tej pa marrë helmetën dhe uniformën fosforeshente. Një grup punëtorësh, në orën e pushimit bisedonin përpara kantinës prej plastmasi që shërbente si kafene. Njëri prej tyre na ofroi çaj turk, por dhe nescafe! Janë rreth 170 punëtorë që punojnë në tunelin e Thirrës përgjatë 24 orëve pa pushim. Përmes makinerive moderne për shpimin e tuneleve, që përdoren për herë të parë në Shqipëri, teknikët kanë avancuar deri dhe 12 metra në ditë. Ndërsa ditët e fundit, ky ritëm është më i ulët, për shkak të formacionit të butë të dheut në zemër të malit në gjatësinë e 3.6 km, nga 5.5 që është gjatësia e tij. Ditët e fundit avancohej rreth 6 metra në ditë. Sipas menaxherit të përgjithshëm të projektit, Mike Sëinford, "punimet e tunelit po ecin shumë mirë. Deri tani janë realizuar 68 për qind e punimeve, me ritmin dhe përpjekjet tona tunelet do të bashkohen në mes të marsit". Deri në bashkimin e Thirrës me Kalimashin mbeten akoma 1.7 km tunel për t'u hapur, ndërkohë që nga krahu i Kalimashit ka filluar dhe asfaltimi i një pjese të tij". Turqit si supersticiozë që janë, kanë dashur ta mbrojnë një vepër të tillë. Në hyrjet ballore të tunelit, në të dy anët e tij, ata kanë vendosur nga një hajmali, një sy mbrojtës prej qelqi blu, si ato që u vënë fëmijëve të porsalindur për t'i mbrojtur nga përgojimet dhe syri i keq. Deri tani ka funksionuar. Nëse nuk e përshkon vetë segmentin Rrëshen-Thirrë, është e pamundur të kuptosh punën që është bërë dhe bëhet në të, ndërsa rrugën e përfunduar le t'ia lëmë kohës ta vërtetojë. Nuk e teproj të them se dy do të jenë verën e ardhshme itineraret piktoreske më të bukura drejt Veriut, Rrëshen-Morinë, përmes luginës së Fanit dhe Koman-Fierzë me traget përmes Liqenit të Komanit. Qershori nuk është larg!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›