E Diel, 1 Nëntor 2026

Asllani, drejt Premierligës skoceze

E ardhmja e Kreshnik Asllanit mund të jetë e lidhur me Premierligën skoceze. Futbollisti shqiptar gjatë verës mund t’i bashkohet ekipit skocez Dunfermline, ku la mbresa të mira në provat që pati. Mesfushori 21 vjeç, që aktualisht luan në divizionin e katërt suedez me ekipin Vaxjo BK, pritet të udhëtojë drejt Britanisë së Madhe në fund të qershorit, me shpresën që të nënshkruajë me klubin skocez.

Kreshnik Asllani mund të përfundojë shumë shpejt në Premierligën skoceze, respektivisht në ekipin Dunfermline. Futbollisti shqiptar, i cili aktualisht luan në ekipin nga divizioni i katërt suedez, Växjö BK, gjatë verës mund të zbarkojë në Britaninë e Madhe për të nënshkruar me klubin skocez.

Mesfushori 21 vjeç i ka kaluar me sukses provat që i kishte bërë në Dunfermline, drejtuesit e të cilit dëshirojnë ta kenë në dispozicion sa më shpejt. “Më pas kam marrë vesh se i kam pëlqyer drejtorit të Dunfermline dhe ky klub më dëshiron prapë. Ka mundësi që të shkoj atje kah fundi i qershorit, kur të fillojë faza përgatitore”, tha Asllani për mediat suedeze.

“Ata kërkojnë që unë të shkoj atje dhe të qëndroj 2-3 javë për të ushtruar dhe për të zhvilluar ndeshje miqësore me ta, në mënyrë që t’i shohin sërish cilësitë e mia dhe që ta kem mundësinë të përmirësohem”, vazhdoi ai.

Asllani është i kënaqur me provën e parë, të cilën e kaloi atje dhe dëshiron të rikthehet sërish për të treguar se e meriton kontratën në klubin skocez. Deri atëherë, ai ka mundësi të mirë që të përgatitet maksimalisht për t’i bindur drejtuesit e këtij klubi.

“Ishte një eksperiencë interesante t’i shoh se si punojnë futbollistët profesionistë dhe në nivelin në të cilin gjenden. Jam pritur mjaft mirë nga ta dhe jam ndier profesionist. E kam bërë një stërvitje dhe një ndeshje të vetme dhe në përgjithësi jam i kënaqur me paraqitjen që pata. Tash dua të përgatitem edhe më shumë, pasi e di se çka më pret dhe se çka nevojitet”, përfundoi Asllani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›