E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harbuzi bëhet amator?

Labinot Harbuzi ka gjasa që karrierën ta vazhdojë te klubi nga divizioni i tretë suedez FSK Prespa Birlik. Mesfushori kosovar aktualisht po stërvit me këtë klub pasi kontrata me klubin turk, Manisaspor i ka skaduar.

Afati i transferimeve është mbyllur në shumicën e vendeve dhe kjo mund të detyrojë kosovarin me pasaportë suedeze që të nënshkruajë kontratë amatore.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i kësaj skuadre, Naser Kerimovski. Sipas tij, Harbuzi te FSK Prespa Birlik mund ta mbajë formën deri në verë, edhe kur të hapet afati kalimtarë i verës.

“Nuk ka asgjë konkrete deri më tani. Ai është në pushim dy ose tre muaj dhe ne do të dëshironim ta kem¡ në skuadër. Ajo do të jetë reklamë e mirë për ne. Ne kemi kontakte shumë të mira me Labinotin. Gjithçka është e hapur”, tha Kerimovski për media suedeze.

“Gjithashtu mbetja në klub është e mirë edhe për Labinotin për ta mbajtur formën, atij i nevojiten ndeshje për të qenë në formë para se të kalojë te ndonjë klub tjetër”, shtoi Kerimovski. 26-vjeçari nuk ka pasur eksperiencë të mirë te skuadra turke, Gençlerbirligi, ku u transferua nga Malmo në vitin 2009.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›