E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari Resmja, rival i Messit

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi është aktualisht golashënuesi më i mirë në Evropë me 63 gola në të gjitha garat. Por, nëse kthehemi prapa, e gjejmë një futbollist shqiptar që rivalizon statistikën e argjentinasit. Sulmuesi i Partizanit të Tiranës, Refik Resmja, shënoi 59 herë brenda një sezoni në Kampionatin shqiptar (1950-1951) dhe atë pas vetëm 23 ndeshjesh.

Të gjithë e dinë se Lionel Messi është thjesht makinë e golave. Sulmuesi argjentinas i Barcelonës në sezonet e fundit ka krijuar shprehi për shënimin e golave në vazhdimësi, kurse gjatë këtij edicioni në La Liga ka thyer kuotën 40, (aktualisht 41) në La Liga.

Kurse, nëse llogarisim paraqitjet e tij në të gjitha garat, atëherë magjistari argjentinas mbërrin në 63 gola të realizuar, ende pa përfunduar sezoni. Edhe pse ende 24 vjeç, Messi, tri herë fitues i Topit të Artë, është bërë golashënuesi më i mirë në histori të gjigantit katalan.

Kur është fjala për futbollistët e sotëm, vlen të përmendet edhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo i cili gjendet në kuotën e 42 golave në La Liga, kurse 54 në të gjitha garat.

Por, nëse kthehemi prapa në kohë dhe i krahasojmë këta të dy me disa prej futbollistëve nga e kaluara, atëherë del që një shqiptar – edhe pse për një sezon të vetëm – është paraqitur në nivelin e tyre, sa u përket golave të shënuar.

Refik Resmja, (i lindur më 1 janar 1931 në Tiranë, vdiq më 1997) është golashënuesi i dytë më i mirë në histori të futbollit shqiptar pas Vioresin Sinanit. Resmja, si sulmues i Partizanit të Tiranës, arriti të realizojë 59 gola në ligë më 1950-1951.

Edhe më interesant është fakti se ai e bëri këtë brenda vetëm 23 ndeshjesh. Përveçqë vazhdon të jetë rekordmen për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni në Kampionatin shqiptar të futbollit, Resmja në po të njëjtën kategori renditet i pesti në botë.

Sulmuesi shqiptar, edhe pse i kufizuar nga mungesa e paraqitjeve në garat evropiane, gjendet edhe në mesin e 10 golashënuesve më të mirë në histori të futbollit evropian, duke llogaritur totalin e shënimeve në të gjitha garat.

Resmja renditet i shtati në listë. Atë e kryeson legjenda e Bayern Munichut, Gerd Mullet, i cili shënoi 67 gola në të gjitha garat në sezonin 1972-73. Ai përcillet nga Ferenc Deak, i cili më 1945-46 për skuadrën e tij Szentlorinc realizoi një më pak, 66.

Guyla Zsengeller me Ujpestin shënoi 65 herë në edicionin 1938-39. Por, të gjithë këta mund të tejkalohen nga Messi, i cili gjendet në kuotën 63, kur deri në fund të sezonit në La Liga kanë mbetur të zhvillohen edhe katër ndeshje.

Po ashtu, gjiganti katalan është kualifikuar në finale të Copa del Rey, kurse të mërkurën zhvillon ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Chelseas.

Kurse, derisa është mposhtur nga Messi, Resmja rrezikohet nga Ronaldo, i cili e ndjek nga pas në kuotën e 54 shënimeve në të gjitha garat e këtij edicioni.

Resmja përveç 59 golave rekord të tij, fitoi shtatë herë titullin e kampionit të Shqipërisë me Partizanin e Tiranës (1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964) si dhe katër herë Kupën e shtetit, (1957, 1958, 1961, 1964).

Golashënuesit më të mirë në Evropë brenda një sezoni:

Futbollisti Klubi Golat Sezoni

Gerd Muller Bayern Munich 67 1972-73

Ferenc Deak Szentlorinc 66 1945-46

Gyula Zsengeller Ujpest 65 1938-39

Lionel Messi Barcelona 63+ 2011-12

Dixie Dean Everton 63 1927-28

Jimmy McGrory Celtic 62 1927-28

Refik Resmja Partizani Tirana 59 1950-51

Jimmy McGrory Celtic 59 1926-27

Fred Roberts Glentoran 59 1930-31

Ferenc Deak Ferencvarosi 59 1948-49

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›