Asllani synon Lojërat Olimpike

Lëndimi në gju i kishte kushtuar një vit më parë me mospjesëmarrje në Kupën e Botës. Mirëpo tash, Kosovare Asllani shpreson të jetë pjesë e përfaqësueses së Suedisë në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, të cilat fillojnë muajin e ardhshëm.
“Nuk e kam nisur kurrë një sezon më mirë se ky. Pjesëmarrja në Olimpiadë do të ishte konfirmimi definitiv se jam duke luajtur mirë”, deklaroi futbollistja kosovare.
Ajo e ka kujtuar edhe momentin e errët të vitit të kaluar, kur ishte lënduar dhe ishte ndier mjaft keq.
“Ajo ka qenë periudha më e keqe e karrierës. Ka qenë një lajm i keq për mua që nuk u ftova për Botëror, nuk flisja me askënd”, vazhdoi futbollistja e Kristianstad. Selektori i Suedisë, Thomas Dennerby do ta publikojë listën përfundimtare të futbollisteve të ftuara në Olimpiadë më 27 qershor dhe 22 vjeçarja shpreson të jetë pjesë e saj.