E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Kasiljas, forca e Spanjës nis që nga porta!

Përgatiti: Admir Gremi

Numri 1 i Spanjës ka qenë vendimtar me pritjet e tij në ndeshjen ndaj Kroacisë, ndërsa Del Boske pohon: Marrëveshje për 2-2? Ne jemi shembulli i korrektësisë.

Një pjatë pa kalori, në vend të biskotave. Një ndeshje pa shije, e lirshme ndaj emocioneve, rrahjeve të zemrës dhe ankthit, e përjetuar gjatë, para nisjes, edhe pse nuk dihet ende se për çfarë.

Sfida mes Spanjës dhe Kroacisë ka mbyllur në mënyrën më të paparashikueshme një ditë të çuditshme, duke nisur prej mëngjesit, kur në qendër të Gdanskut, dy tifozeritë e mbledhura këndonin në italisht Arrivederci (Mirupafshim), duke lënë të nënkuptohej edhe për polakët se në fund të ndeshjes do të kishim një rezultat 2-2, por, u desh durim.

Tashmë, biskota e zhdoganuar (në të tilla rrethana u bë sinonimi i veçantë i ndeshjes së paravendosur) është e pranishme në çdo bisedë. Por, për fat të mirë nuk ishte e pranishme në fushë, edhe për shkak se dy skuadrat e kishin marrë me një ritëm tepër të ngadaltë, saqë të bëje 4 gola dukej e pamundur.

Ndërsa në fund, ekzistonte frika ndaj rezultatit 1-1, ende nuk dihet pse u nënvlerësua nga mediat (rezultat, i cili do të detyronte Italinë të shënonte 3 gola ndaj Irlandës), gjithsesi u duk e vështirë të aplikohej, duke parë se për më shumë se 1 orë nuk kishte raste të denja për tu përmendur.

Super Kasiljas - Kur secila prej skuadrave kuptuan se kishin diçka për të humbur (Spanja vendin e parë, Kroacia kualifikimin) nisi një mini-ndeshje, në të cilën mund të ndodhte gjithçka dhe ku, e parë nga këndvështrimi i italianëve, gjëja më e rëndësishme ishte që goli i parë të vinte sa më vonë të mundej.

E kur Hezus Navas shënoi golin e tij të dytë në 19 ndeshje me kombëtaren, Kroacia nuk kishte as kohën e mjaftueshme për të shpresuar. Në fund, kafshata e pakapërcyeshme është për skuadrën e Biliç, e cila gjithsesi bëri një figurë të mirë.

Në fakt, edhe pse çmimin Lojtari më i mirë në fushë e mori Injesta, momenti që ndryshoi historinë, që shpëtoi Spanjën, që dogji Kroacinë dhe që fshiu çdo dyshim për një biskotë, mban firmën e Iker Kasiljasit.

Pothuajse gol – Në më pak se 30 minuta nga fundi, Modriç bën të drithërohet gjysma e Spanjës dhe jep një krosim spektakolar me të jashtmen e këmbës drejt Rakitiç, i cili kishte në dorë të ndriçonte të ardhmen e kroatëve.

Goditja me kokë ishte e menjëhershme dhe Kasiljas përgjigjet në kohën dhe vendin e duhur për ti evituar shokëve të skuadrës një fund me ankth, duke i kursyer shumë frikë edhe italianëve: nëse Rakitiç do të kishte shënuar, faktikisht Spanja do të ishte virtualisht e eliminuar, por me një gol të vetëm do të kishte çuar në shtëpi axurrët.

Në lidhje me efektin Kasiljas drejt biskotës së mundshme nuk u diskutua pothuajse fare në vigjilje të takimit: Iker është një kampion i vërtetë dhe nëse pësonte 2 gola, pavarësisht se jo të dhimbshme për skuadrën e tij, me siguri nuk do ti kishte pëlqyer.

Del Boske krenar – Tashmë që ndeshja ka përfunduar, Sllaven Biliç shpërthen (Mjaft! Është një turp që vazhdoni të më pyesni rreth biskotës: jam një njeri serioz.) ndërsa fytyra e mërzitur e Visente del Boskes duhet të shërbejë si leksion: E kisha thënë edhe më parë dhe po e përsëris, ne luajmë pastër dhe duam të jemi një shembull për të gjithë.

Do të ishte vërtet kulmi, nëse binim dakord për rezultatin. Cili është kulmi për një spanjoll? Jo, nuk do ti bënte për të qeshur. Herën tjetër, ndoshta, italianët duhet të mendohen përpara se të dyshojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›