SuperMario, gol dhe fyerje, po kundër kujt?
Pas golit ndaj Irlandës, sulmuesi 21-vjeçar ka festuar duke shfryrë, bij k….., deri në momentin që Bonuçi ia ka mbyllur gojën
Luan apo qëndron në stol, shënon apo jo, Mario Baloteli është gjithnjë në qendër të vëmendjes. I pritur nga vërshëllima të mëdha dhe nga buuuu-të e tifozëve, sulmuesi i Mançester Sitit, u përgjigj të hënën me një super gol dhe një bij k….., në adresë që deri tani akoma nuk është kuptuar akoma kundër kujt.
Ndoshta ndaj tifozëve kundërshtarë, ndoshta naj stolit irlandez, ndoshta ndaj kritikëve në përgjithësi. Megjithatë, ndërhyrja e Bonuçit për ti mbyllur gojën teksa shfrynte dhe fyente ishte vendimtare.
Pra, i zakonshmi Baloteli, që përzien goditjet e klasit, me inatin e tepruar dhe ndonjë gjest, si përpjekje për të reaguar ashpër ndaj kundërshtarit të tij pak minuta pasi hyri në fushë. Kështu, fjalët e vetme që u arritën ti kuptoheshin Marios prej shumë kohësh, janë këto fyerje pas golit të dytë kundër Irlandës së Trapatonit.
Nuk e di çfarë kërkonte të thoshte, – tregon Leonardo Bonuçi, i cili shkoi i pari të festojë golin me sulmuesin axurr, duke i mbyllur gojën më pas. Po fliste anglisht, filluan ti dilnin ca fjalë të tepërta nga goja. Ai kështu është gatuar. Kishte shumë inat përbrenda, e shfryu. Para së gjithash e shfryu me një gol.
Duke festuar më shumë me inat se sa me gëzim. Por në dhomat e zhveshjes qeshi edhe ai teksa po festonim të gjithë, – zbulon Andrea Barzalji, duke iu përgjigjur atyre që vërejtën se Baloteli doli i mërzitur nga dhomat e zhveshjes, me një kapelë në kokë dhe kufje në vesh, duke dëgjuar muzikë.
Saktësisht si në momentin që hyri në stadium. Në atë rast mund të ketë pasur të drejtë, pasi kishte mësuar vendimin e trajnerit italian për ta lënë në stol dhe futur në vend të tij si titullar Antonio di Natalen.
Një shfryrje kundër Prandelit do të ishte e tepërt, pasi tekniku i kombëtares e ka mbrojtur gjithnjë me shpatë në dorë, edhe kur prapësitë e tij kalonin çdo kufi, madje edhe kur shokët e skuadrës inatoseshin me gjestet apo fjalët e tij.
Ka shumë trysni rreth tij, – ka vazhduar Barzalji. Nuk është e lehtë të bashkëjetosh me këto situata. Kritika ndaj shokëve apo trajnerit, nuk e kam idenë se cili ishte objektivi i shfryrjes së tij. Nëse nervozizmi i tij shndërrohet në gol, – përfundon kapiteni Xhixhi Bufon, – aq më mirë edhe për ne.
