E Diel, 1 Nëntor 2026

“Asnjë arsye morale”

25/03/2005  Një bioeticist jezuit beson se e djathta religjioze po shfrytëzon Terry Schiavon dhe se nuk ka asnjë detyrim moral apo ligjor për ta mbajtur atë gjallë

Richard McMormic, që ka qenë teologu i madh moral katolik i 25 viteve të fundit, ka shkruar një artikull brilant në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekëve në 1974, quajtur “Të shpëtosh apo të lësh të vdesin”. Ai tha se ka dy herezi të mëdha në epokën tonë (dhe herezi është një fjalë e fuqishme në teologji – këto janë doktrina false). Njëra është që jeta është një e mirë absolute dhe tjetra që vdekja është një e keqe absolute

Pavarësisht ndërhyrjes së Kongresit, një panel prej tre gjykatësish i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara për Qarkun 11, refuzoi të urdhëroi rivendosjen e tubit të ushqimit për Terri Schiavon, duke intensifikuar kështu luftën në lidhje me fatin e një gruaje që është kthyer tashmë në një simbol – disa thonë peng – si për lëvizjet e së drejtës për të jetuar, ashtu edhe ato të së drejtës për të vdekur. Prindërit e Schiavos, Robert dhe Mary Schindler, thanë të mërkurën se do të apelojnë edhe një herë në Gjykatën e Lartë.

Nga Uashingtoni në Romë, udhëheqësit e të djathtës fetare kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që gjykatat amerikane të mbrojnë Schiavon – një grua romane katolike, për të cilët ekspertët mjeko-ligjorë thonë se është në një gjendje të vazhdueshme vegjetative, pa asnjë shpresë për t’u shëruar – nga vdekja e sigurtë, që do të vijë nëse nuk zëvendësohet tubi i ushqimit. Bioetiku kryesor i Vatikanit e quajti një vdekje të tillë “një mënyrë të pamëshirshme për të vrarë dikë”.

Por ashtu si edhe në SHBA, ku konsensusi është një luks i rrallë, edhe Kisha Katolike Romane nuk është e bashkuar në qëndrimin e saj ndaj çështjes “Schiavo”. Profesori John Paris, i Universitetit të Bostonit dhe ekspert për rastet kur ndërthuren ligjet, mjekësia dhe etika, beson se deklarimet e mëparshme të Papës janë shkëputur nga konteksti i tyre, janë keqinterpretuar si doktrinë e Kishës dhe janë zbatuar për rastin “Schiavo”. Ai thotë se Schiavo, që ka të drejtë morale që të vdesë, është shfrytëzuar nga e djathta besimtare për të çuar më tej axhendën e saj – dhe nëse vetë Papa, do të ishte në një gjendje të njëjtë, atëherë ky do të ishte një “ftesë për kaos” në Vatikan. Paris foli me Newsweek në lidhje me euthanazinë, ndihmën teknologjike për jetën dhe detyrimet morale.

Kisha ka thënë se të ofrosh ushqim dhe ujë nuk do të thotë një mënyrë e jashtëzakonshme për të mbrojtur jetën.

Ajo që ju citoni është një deklaratë e bërë nga Papa gjatë një takimi me shoqatën ndërkombëtare të mjekëve, vitin e kaluar, në Romë. Në fakt, ai ishte një takim mes doktorësh me orientim nga e drejta për jetën. Ishte një fjalim i rastit. Papa takohet me 150 grupe në javë – vjen një grup dhe Papa mban një fjalim. Nëse Papa u thotë Shoqatës së Çiklistëve Italianë se çiklizmi është sporti më i mirë që ne kemi, kjo nuk do të thotë që ky është mësim i kishës, dhe që tenistët apo skiatorët nuk bëjnë. Nuk ishte një fjalim doktrinor.

Pra, është shkëputur nga konteksti?

Duhet të shihet brenda kontekstit. Kjo duhet parë në kontekstin e Deklaratës së Papës të vitit 1980 mbi Euthanazinë, që thotë se nuk duhen përdorur masa të rënda të tepruara për të mbajtur njerëz në jetë. Edhe nëse ndodh trajtimi, nëse rezulton i rëndë, duhet hequr. Termat që ju dëgjoni janë “e zakonshme” dhe “e jashtëzakonshme”. Këto fjalë ngatërrohen kaq shumë në mendjet e publikut, saqë nuk i shërbejnë më një qëllimi të dobishëm. Njerëzit mendojnë si të jashtëzakonshme aparatet frymëmarrës apo transplantet e zemrës. E jashtëzakonshme nuk do të thotë teknike apo aparate – ajo i referohet detyrimit moral. Çfarë jemi të detyruar të bëjmë?

Cila është doktrina e Kishës?

Doktrina e Kishës, që ka qenë e qëndrueshme për 400 vjet, është që askush nuk është moralisht i detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje. Dhe natyrisht, 400 vjet më parë, nuk flisnin për teknologjinë e lartë. Ja shembulli që jepte një prej moralistëve të shekullit 16: nëse mund të mbahesh në jetë me vezë thëllëze, të cilat ishin shumë të shtrenjta dhe ekzotike, çfarë je i detyruar të bësh? Përgjigjja është jo, janë shumë të shtrenjta. Janë shumë të rralla. Nuk mund t’i gjesh. Do të ishin një detyrim shumë i rëndë për njerëzit.

A mund të kualifikohet traketomia e Papës si vezë thëllëze?

Jo. Kjo u sqarua shumë mirë nga gjykatësi në rastin e Brofit, në Angli. Ai tha se edhe gjëra të tilla si ushqimi artificial mund të bëhen të jashtëzakonshme, nëse shërbejnë për të mbajtur në jetë dikë për më shumë se 15 vjet. Kjo është natyrisht një barrë e rëndë morale. Nuk ka aspak të bëjë me teknikën në vetvete. Antibiotikët mund të jenë barrë e rëndë, nëse pacienti është duke vdekur dhe ato nuk shërbejnë për asgjë. Edhe peshkopët e Floridas janë marrë me deklaratën e Papës. Mbështetësit e të drejtës për jetën nuk sulmojnë priftin jezuit, domethënë mua; ata sulmojnë peshkopët e Floridës, duke thënë se po devijojnë nga Papa. Ajo që ata duan të theksojnë është se Papa ka thënë që duhet të përdorësh gjithmonë ushqimin artificial për pacientët në gjendje permanente vegjetuese – dhe nuk ka përjashtim. Peshkopët e Floridës thonë që kjo nuk është ajo që ka mësuar Kisha.

Por në Vatikan, Monsinjor Enriko Sgreccia tha se, duke i shkaktuar Schiavos “uri për vdekje” është një mënyrë e pamëshirshme për të vrarë dikë.

Njerëzit në Vatikan janë njësoj si njerëzit në Shtetet e Bashkuara. Ai përfaqëson mënyrën e të djathtës radikale në të menduar. Por, ai nuk është zëri i vetëm në Kishën Katolike. Nuk ka asnjë dyshim që ka qenë ai që ka shkruar atë fjalim të Papës. Dhe tani thotë: “E shihni? Papa e pati thënë!”

Pra, po thoni që t’i ofrosh ushqim dhe ujë Schiavos nuk është një detyrim moral?

Për 400 vjet, tradita morale katolike romane ka thënë se askush nuk është i detyruar të përdorë mënyra që janë një barrë e rëndë për të mbajtur dikë në jetë.

Pra, ju, në këtë rast, shihni mënyra të tilla?

Po, do të thoja se 15 vjet ushqim përmes një tubi, është e tillë, një barrë e rëndë.

Faqja e editorialeve në “New York Times” thoshte se ajo është shfrytëzuar nga e djathta besimtare e këtij vendi.

Jam dakord. Pikësëpari, kjo nuk është një betejë për një tub ushqimi të një gruaje në Florida. Kjo është një betejë për pushtetin politik të së djathtës fetare. E vërteta është se tubat e ushqimit hiqen çdo ditë në spitalet e këtij vendi. Këtë çështje ne e zgjidhëm nga ana mjekësore në 1984 në SHBA, kur Shoqata Amerikane e Mjekëve tha që, kur pacientët janë përjetë të sëmurë, apo në gjendje të përhershme vegjetuese, është e pranueshme nga pikëpamja etike që të hiqen gjithë ndërhyrjet mjekësore, përfshirë ushqimin artificial dhe lëngjet. Kjo është deklarata zyrtare e Shoqatës Amerikane të Mjekëve.

Papa, që është edhe vetë i sëmurë, duhet të bëjë të qartë vullnetin për të jetuar. Çfarë mendoni se do të ndodhte po të ishte ai në një situatë të ngjashme?

Kjo është një ftesë e hapur për kaos. Nuk ka rregulla në Vatikan për këtë lloj situate, sepse deri në 1950, ajo nuk mund të ndodhte. Doktorët kishin prirje t’i vrisnin njerëzit, më shumë se t’i shpëtonin. Nëse nuk ka ndonjë dokument të fshehtë që mund të ketë shkruar Papa, ai do të kthehet në një gur shahu në duart e burokratëve. Kjo organizatë nuk është e ndryshme nga të tjerat.

Si e reflekton qëndrimi i mbështetësve të Schiavos në Kishë mësimet fetare në lidhje me vdekjen?

Ja pyetja që u bëj unë aktivistëve të së drejtës për të jetuar, përfshirë peshkopët e Vatikanit: teksa hyjmë në Javën e Shenjtë dhe themi që vdekja nuk është triumfuese dhe se me fuqinë e ringjalljes dhe lavdinë e Pashkës, ne kemi triumfin e Krishtit mbi vdekjen, për çfarë e kanë fjalën kur e paraqesin vdekjen si një të keqe të pazvogëlueshme? Kjo nuk hyn në kontekstin Kristian. Richard McMormic, që ka qenë teologu i madh moral katolik i 25 viteve të fundit, ka shkruar një artikull brilant në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekëve në 1974, quajtur “Të shpëtosh apo të lësh të vdesin”. Ai tha se ka dy herezi të mëdha në epokën tonë (dhe herezi është një fjalë e fuqishme në teologji – këto janë doktrina false). Njëra është që jeta është një e mirë absolute dhe tjetra, që vdekja është një e keqe absolute. Ne besojmë se jeta është krijuar dhe është një e mirë, por një e mirë e kufizuar. Si rrjedhim, detyrimi për ta mbështetur atë është i kufizuar, edhe ai. Parametrat që shenjojnë këta limite janë kapacitetet tuaja të funksionimit si qenie humane.

Por askush nuk po thotë që në rastin e Schiavos vdekja është e keqe absolute. Ata thjesht që nuk e dëshirojnë vdekjen e saj të ndodhë kur s’është e nevojshme.

Nuk është kështu. Po ndodh sepse ataku në zemër e ka bërë atë të paaftë për çfarëdolloj marrëdhënie njerëzore.

Tjetër “JO” për Terrin

Pas vendimit të parë, edhe Gjykata e Apelit e SHBA ka kundërshtuar kërkesën e familjes së Terri Schiavo, 41-vjeçares nga Florida prej 15 vjetësh në gjendje koma vegjetative, për të rivendosur tubin ushqyes që i është hequr që të premten. Prindërve, Bob e Mary Schindler nuk u mbetet veç tentativa e fundit: Gjykata e Lartë. Ndërkohë që Amerika është e ndarë, në besim, politikë dhe etikë.

Matteo Durante

Ka ardhur JO-ja e dytë për Terri Schiavon nga drejtësia federale e SHBA, e cila ka juridiksion mbi magjistraturat autonome të shteteve të veçantë. Apeli ka refuzuar kërkesën e prindërve të gruas në gjendje koma për të vendosur kundër gjykimit të gjykatës së shkallës së parë. Schindlerët kërkonin të rivendosej tubi i ushqimit artificial për të bijën. Të martën, gjykatësi ka vendosur që kjo nuk duhet të ndodhë.

Vendimi i tij erdhi pas kthesës që pësoi procesi, kur Kongresi dhe më pas Presidenti Bush firmosën një ligj që rihapte mundësinë e riekzaminimit të gruas, në koma prej 15 vjetësh, nga drejtësia federale.

Më parë janë marë 19 vendime të tjera nga ana e magjistraturës shtetërore të Floridas. Ky i gjykatës së Apelit ishte vendimi 21 mbi këtë rast. Terri nuk ushqehet më që nga dita e premte dhe mund të vdesë brenda pak ditëve (më pak se 10 ditë thonë mjekët: afro 200 orë, nëse fiziku i saj do të jetë i fortë). Ndërkohë, tani prindërve të saj u mbetet shpresa e fundit, ajo e vendimit të Gjykatës së Lartë.

DY AMERIKA

Republikanët e Kongresit dhe Presidenti Bush kanë përqafuar kauzën e prindërve të Territ, në emër të “kulturës së jetës”. Por republikanët, dhe vetë Bushi janë mbështetës të dënimit me vdekje – për të mos folur pastaj për ata shumë pacientë në gjendje të pakthyeshme vegjetuese, të cilëve u është hequr tubi i ushqimit në spitalet publikë pasi, mbajtja e tyre në jetë ka qenë shumë e kushtueshme – në Teksas, falë një prej ligjeve të fundit që Bush nxori kur ishte Guvernator.

Rasti Schiavo ka risjellë edhe një herë në vëmendje ndarjen e vendit, që ishte bërë e qartë që gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004: mes republikanëve dhe demokratëve, mes grupeve fetarë ukltrakristianë dhe qytetarëve laikë, që këmbëngulin se besimi fetar është një çështje private.

Por në këtë rast po ngrejnë krye edhe kontradikta të tjera, që në të ardhmen mund të rezultojnë një bumerang për të djathtën republikane, e cila kishte thirrur të shtunën në mbrëmje, në Uashington, parlamentarët për të votuar ligjin “Shpëtoni Terrin”. Një dekret i sulmuar nga mediat e SHBA jo vetëm si antikushtetues, por edhe i rrezikshëm për drejtësinë amerikane. Një ligj, të cilin edhe shumë republikanë e kanë votuar kundër dëshirës, sepse kjo parti ka qenë tradicionalisht kundër ndërhyrjes së pushtetit federal në çështjet e shteteve të veçantë.

Nuk ka qenë i rastësishëm fakti që, në një sondazh të shpejtë të kryer nga ABC News, 70 për qind e amerikanëve është kundër ndërhyrjes së Kongresit dhe se 63 për qind e tyre ka qenë pro heqjes së tubit të ushqimit të Terri Schiavo, një vendim i marrë nga Gjykata e Kontesë së Puinellas, në Florida. 67 për qind e amerikanëve mendojnë se zgejdhja e kongresmenëve republikanë ka qenë e nxitur nga oportunizmi politik.

Ndërkohë, që Peshkopata katolike në SHBA ka zgjedhur pikërisht këtë ditë për të nisur fushatën e saj kundër dënimit me vdekje. Debati, i një natyre jo vetëm juridike, në lidhje me kompetencat e qeverisë federale përkundrejt shteteve të veçantë dhe Unionit – jo më pak i rëndësishëm – ka nisur sërish dhe është vënë në qendër të vëmendjes.

Shtëpia e Bardhë mbrohet, duke thënë se ligji i firmosur në mesin e natës nga Presidenti Bush i kthyer nga pronat e tij në Teksas, ka të bëjë vetëm më Terry Schiavon – një çështje gjithsesi me legjitimitet të dyshimtë konstitucional – dhe i takon një “rasti të veçantë”.

Nga pikëpamja mjekësore...

Dhe pasi ka ndarë opinionin publik dhe politikën, e shkreta Terri, për fatin e saj të keq ka bërë të bien dakord të gjithë mjekët: për gruan 41-vjeçare, ka shumë pak shpresa për t’u rikthyer në jetë, pasi ka kaluar 15 vjet në gjendje koma.

Ndërkohë që vazhdojnë të diskutojnë domethënien e “gjendjes së përhershme vegjetuese”, neurologët ridimensionojnë pohimet e familjarëve të Territ, të cilët thonë se kanë marrë reagime dhe përgjigje.

Specialistët, të gjithë, thonë se, edhe nëse do të rikthehej dhe rivendosej gypi i ushqimit, “kush është në gjendje të përhershme vegjetative nuk mund të rikthehet kurrë në jetë dhe do të mbetet gjithnjë i pavetëdijshëm”, siç thuhet në guidën më të fundit mbi gjendjen e përhershme vegjetuese të Akademisë Amerikane të Neurologjisë.

Koha maksimale e një gjendjeje vegjetuese, në të cilën është regjistruar një rikthim i vetëdijes ka qenë tre muaj, ndërkohë që në rastin e Territ, kjo gjendje ka zgjatur 15 vjet.

Nëse Bob Schindler, babai i saj këmbëngul se “Terri na ka lënë të kuptojmë që është ende mes nesh”, mjekët e intervistuar nga mediat amerikane konfirmojnë se lëvizjet e trupit të saj janë lëvizje refleksive të bëra në mënyrë të pandërgjegjshme, fjalë këto të profesorit të neurologjisë në Universitetin e Gllasgout, Brajan Xhenet.

Xhejms Bernat, profesor i neurologjisë në qendrën mjekësore në universitetin e Hanover, Nju Hempshir, thotë se, “nëse ka lëvizje që do të tregonin shpresë të një vullneti, atëherë mjekët do t’i kërkonin pacientit ta përsëriste, do t’i bënin pyetje, do t’i tregonin fotografi apo pamje filmike”. Në rastin e Schiavo, sipas tij, nuk ka rezultate që të japin shpresë.

Doktor Lorenc Shnaiderman, specialist i bioetikës në Universitetin e San Diegos, kujton: “Mjafton të mbetesh 4-6 minuta pa oskigjen për të shkatërruar korteksin cerebral”, siç i ndodhi, pikërisht Territ në 1990.

“Pjesa tjetër e trurit – kujton profesori, që bëri pikërisht këtë dëshmi përpara gjykatës – e në mënyrë të veçantë telencefali mund të mbijetojë edhe njëzetë minuta pa oksigjen”.

Por është pikërisht korteksi cerebral që “përbën personalitetin tonë, kush jemi, si mendojmë, dhe që na jep mundësi të shohim, ndjejmë, provojmë emocione e përjetime”. Të gjitha gjëra që, sipas profesorit dhe kolegëve tij, Terri nuk i ka dhe nuk do të mund t’i ketë më kurrë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›