E Diel, 1 Nëntor 2026

Stalini paralajmëron Enverin të mos marrë verbërisht përvojën sovjetike

25/03/2005  Cilat ishin udhëzimet e Stalinit për faktorin fetar në Shqipëri? Cilat ishin këshillat e udhëheqësit rus për kolektivizimin dhe borgjezinë, pasi Enveri u kish marrë pasurinë?

Çfarë parashikonte programi i ndërtimit socialist? A e kishte Shqipëria fuqinë financiare për ndërtimin e ekonomisë socialiste? Cila ishte ndihma që i dha Moska?

“Hozrashoti”, metoda ruse në ekonomi, që nuk u përkthye në shqip. Cilat ishin ndihmat që Shqipëria mori nga vendet komuniste të Lindjes?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Stalini bëri disa udhëzime politike. Ai, në veçanti, vuri në dukje se veprimtaria e nacionalistëve jugosllavë në Shqipëri, ishte jo vetëm antishqiptare dhe antisovjetike, por dhe “anti-myslimane”. Krejt e papritur qe këshilla e komunistit ateist Stalin për komunistin ateist Hoxha, për të pasur parasysh gjatë formimit të qeverisë faktorin fetar dhe për të emëruar në krye të saj një mysliman. Ishte një propozim i beftë, po të kihet parasysh se kryeministri qe mysliman dhe ky ishte vetë E.Hoxha. E vërteta është se babai i tij i përkiste një rryme jo tradicionale të islamizmit, bektashizmit si dhe prindërit e disa personaliteteve të tjera partiake e shtetërore, Bedri Spahiut, Myslym Pezës, Mestan Ujenikut e të tjerë. Hoxha nuk ia përmendi asnjëherë këtë këshillë Stalinit.

Stalini bëri dhe udhëzime të tjera: të mos nxitoheshin për kolektivizimin, veçanërisht në zonat malore dhe të afronin inteligjencën. Kur mësoi se borgjezisë i qenë marrë fabrikat, dyqanet dhe shtëpitë, në mënyrë këshilluese tha se, bashkëpunimi me borgjezinë kombëtare, për një periudhë të caktuar kohe, e quante të domosdoshëm dhe vetë Lenini. Si shembull pozitiv, ai solli politikën dhe praktikën e komunistëve kinezë.

Programi i zhvillimit ekonomik, i skicuar në vija të përgjithshme në kongres, nënkuptonte korrigjimin e të gjitha projekteve që ishin hartuar dhe u mëshirua në detyrat e planit dyvjeçar të zhvillimit të ekonomisë popullore 1949-1950, drejtimet kryesore të të cilit u miratuan nga kongresi. Programi i ndërtimit socialist parashikonte elektrifikimin dhe industrializimin e vendit, kryerjen e shkallëzuar të kolektivizimit të bujqësisë si dhe kryerjen e revolucionit kulturor. Por, Shqipëria nuk kishte mjetet e nevojshme financiare. Prandaj gjatë hartimit të planit dyvjeçar, u morën parasysh investimet kapitale të premtuara nga Moska. Duke shpjeguar tezat kryesore të planit, gjatë miratimit të tij në Kuvendin Popullor, në korrik të vitit 1949, E.Hoxha vuri në dukje se ndërtimi i bazës së socializmit në Shqipëri qe i pamundur pa ndihmën materiale, politike dhe morale të Bashkimit Sovjetik.

U vendos zgjerimi i prodhimit në degët e industrisë së lehtë nxjerrëse dhe energjetike. U parashikua në veçanti ndërtimi i kombinatit të tekstileve në Tiranë, i fabrikës së sheqerit në Maliq, i hidrocentralit të Selitës, me fuqi 5 mijë kilovat, modernizimi i vendburimeve të naftës në Kuçovë e Patos, etj. Veç kredive për ndërtimin e këtyre objekteve, Bashkimi Sovjetik siguroi dhe ndihmën teknike gjatë ndërtimit e montimit të makinerive dhe mori përsipër përgatitjen e kuadrove me kualifikim të lartë e të mesëm. Sapo filluan punimet për ndërtimin e kombinatit të tekstileve në Tiranë, një grup teknikësh shqiptarë u dërgua në Tashkent, ku qe vënë në punë një ndrëmarrje e tillë, e ndërtuar sipas të njëjtit projekt.

Pas pranimit të Shqipërisë në KNER, zuri fill dhe bashkëpunimi, në kuadrin e kësaj organizate. Në vitet 1949-1950, mbi bazën e kredive të dhëna, Shqipëria mori nga Polonia dy anije të vogla, motora diesel, çisterna; nga Çekosllovakia, sheqer, kamionë, torno, pajisje shkollore, makina bujqësore, tekstile; nga Hungaria pajisje për stacione telefonike e telegrafike dhe lëkurë të llojeve të ndryshme; nga Rumania lëndë djegëse, çimento, xhama, gozhdë, sheqer, misër, tërshërë; nga Bullgaria tela, komposto, oriz, fidanë cilësorë hardhish e drurë frutorë si dhe bagëti race.

Kapitale të dukshme u caktuan për nevojat e zhvillimit të bujqësisë. Sipas llogaritjeve optimiste të ekonomistëve shqiptarë, realizimi i detyrave të planit dyvjeçar do ta çlironte vendin nga importimi i drithit dhe do të arrinte atë prodhim të kulturave teknike (kryesisht të panxharsheqerit dhe pambukut), i cili qe i nevojshëm për të përballuar plotësisht me lëndë të parë industrinë përkatëse. Parashikohej zgjerimi i sipërfaqes së mbjellë nga hapja e tokave të reja, tharja e kënetave, përmirësimi i agroteknikës dhe realizimi i punimeve bonifikuese. Prodhimi i produkteve blegtorale qe përcaktuar të arrinte atë nivel, që jo vetëm do të plotësonte nevojat e vendit, por do të shtonte dhe eksportin. Detyrat ishin dukshëm të fryra. Mangësitë profesionale në nivel drejtues, prodhimi i ulët i ekonomive individuale, që mezi prireshin ndaj presionit rregulltar të shtetit, nuk e ndihmonte realizimin e detyrave. Sektori socialist mezi dha 6% të vlerës së përgjithshme të prodhimit bujqësor. Në takimet me Hoxhën në Moskë, Stalini e paralajmëroi të mos kopjonte verbërisht përvojën sovjetike. Por, në jetën e përditshme, filloi të futej pikërisht kjo praktikë. Në ndërmarrjet ekonomike u vu në zbatim “hozrashoti” (madje, ky term as që u përkthye në gjuhën shqipe). Nga BRSS-ja erdhën në Shqipëri format dhe metodat e garave socialiste. U shfaqën sulmuesit dhe stahanovistët, por titulli i dytë, i cili nuk kishte ndonjë përmbajtje konkrete për punonjësit shqiptarë, nuk u përdor gjatë. Me kalimin e kohës, atë e zëvendësoi urdhri “Hero i Punës” e më pas “Hero i Punës Socialiste”. Brigadat sulmuese të rinisë, që shkonin në ndërtimet e reja, në fillim qenë të frutshme. Ato morën pjesë në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë (37 km) dhe Peqin-Elbasan (30 km), që qenë degë të hekurudhës së parë të vendit, Durrës-Peqin (143 km), e cila filloi të ndërtohej në vitin 1947. Por forca tërheqëse e brigadave vullnetare e, njëkohësisht, të detyruara, u zbeh shpejt. Nga këto brigada, që u praktikuan thuajse gjatë gjithë 50 viteve të “ndërtimit të socializmit”, rinia filloi të bishtënojë, siç ndodhi në ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Mat, që, për kushtet tepër të vështira të punës dhe jetesës, u quajt “Burgu i Ulzës”.

Realizimi i planit hasi në vështirësi, në radhë të parë, nga mungesa e përvojës së kuadrove drejtuese të ekonomisë dhe të rendimentit të ulët të punës së punonjësve të thjeshtë. Në raportin e mbajtur në plenumin e KQ të PKSH-së, në tetor të vitit 1949, mbi rezultatet e gjysmës së vitit, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, S.Koleka, vlerësoi si shkak kryesor të mossuksesit mungesën e interesimit të duhur nga ana e organeve të pushtetit e të partisë për kapërcimin e vështirësive, si pasojë e veprimtarisë armiqësore të klikës së Titos. Deri në njëfarë mase, ky pohim kishte bazë reale, sepse kërkimi i agjentëve brenda radhëve të veta nga njëra anë dhe shpresa te ndihma e madhe sovjetike, nga ana tjetër, e kishin larguar udhëheqjen e partisë nga punët e përditshme të ekonomisë. Stalini e kishte kuptuar këtë rrezik, kur e kishte pyetur E.Hoxhën se a do të punonin vetë shqiptarët, pasi të merrnin atë ndihmë të madhe e të gjithanshme në mjete financiare e kuadro. E.Hoxha i qe përgjigjur në mënyrë pohuese, por, më pas, në kujtimet e veta, këtë mendim të Stalinit ia vesh “pasojës së informimit qëllim keq të tregtarit armen, Mikojan”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›