E Diel, 1 Nëntor 2026

E vrau dhe e grabiti, për 100 mijë lekë,

25/03/2005  FIER/ “Burg pa afat”, vrasësit të takistit

FIER - Vetëm për 100 mijë lekë të vjetra e rrëmben dhe më pas e masakron taksistin që e kishte marrë gjoja për qëllime familjare. Ky është konkluzioni i prokurorisë së Fierit, dje, gjatë seancës së vlerësimin të masës për personin e dyshuar si vrasës i taksistit, tri ditë më parë në Lushnjë.

Për të arrestuarin Neim Behari, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Femi Qose, Gjykata e Fierit vendosi “burg pa afat”.

Sipas organit të akuzës, i cili përfaqësohej nga prokurori Petrit Vukaj, shtetasi Neim Behari, 20 vjeç, banues në fshatin Lapardha, të Beratit, në orët e para të drekës, ka marrë gjoja, për motive familjare, një taksi në dispozicion, ndodhur kjo në stacionin e trenit në Lushnjë, për ta çuar në Lapardha të Beratit. Pasi ka shkuar deri në fshatin Poshnjë, autorit i është ndryshuar mendja dhe i ka kërkuar taksistit të kthehej mbrapsht për në Fier. Në vendin e quajtur Kthesa e Marinzës, autori i ka kërkuar taksistit 100 mijë lekë të vjetra, por taksisti jo vetëm që s’i ka dhënë, por i ka thënë atij se duhej t’i jepte 50 mijë lekë të vjetra për shërbimin e kryer. Në këto momente e sipër kur gjaknxehtësia ka arritur kulmin, autori e ka goditur taksistin 17 herë me thikë në bark dhe pasi e ka çuar në një kabinë elektrike në Marinëz, e ka hedhur atë poshtë. Ka marrë makinën dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Beratit. Më pas e braktis mjetin në një shkurre, pasi ka larë gjurmët e gjakut dhe ka djegur rrobat e trupit, që kishte veshur gjatë momentit kur kreu krimin.

Kapja e tij nga forcat e policisë u realizua disa orë më pas, në fshatin e tij të lindjes, bëri të dtur prokurori.

Avokati Dhimitër Muço, i cili ka marrë përsipër të mbrojë të pandehurin, mohoi që ngjarja të ketë ndodhur ashtu siç paraqitet nga ana e organit të akuzës.

Sipas tij, shoferi i ka kërkuar pasagjerit (autorit) 50 mijë lekë, ndërsa rruga deri në Marinzë kushton disa herë më pak. Ky ka qenë momenti i nervozizmit dhe i përplasjes midis të arrestuarit dhe viktimës, i cili përfundoi me vrasjen e shtetasit Femi Qose.

Gjyqtari Piro Sota, pasi ka dëgjuar pretencën e prokurorit dhe pasi ka dëgjuar fjalën e avokatit Dhimitër Muço, i cili i ka kërkuar mëshirë trupit gjykues, ka vendosur masën e “arrestit me burg” dhe ka urdhëruar togën e shoqërimit që këtij të fundit t’i vendosnin prangat dhe ta shoqëronin për në dhomat e paraburgimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›