Vlorë, ngec në tunelin e Ujit të Ftohtë autobusi me pasagjerë
VLORE - Ngec autobusi në tunelin e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Për pasojë, për 1 orë qarkullimi i mjeteve është bllokuar plotësisht. Drejtuesi i një autobusi me targa të Tiranës me rreth 12 pasagjerë, duket se nuk e ka vënë re tabelën para se të futej në tunel, e cila paralajmëron se mjetet e tonazhit të rëndë si dhe ato urbane me lartësi mbi 3.2 metër nuk mund të kalojnë. Pasi është futur në tunel, 4 metra para se të arrinte të dilte prej saj, pjesa e sipërme e autobusit ka ngecur në shkëmb, duke dëmtuar mjetin e njëkohësisht duke mos lejuar vazhdimin e rrugës. Shoferi është përpjekur për të nxjerrë autobusin duke shfryrë pak gomat, por tentativa e tij ka rezultuar e kotë, pasi mjeti kishte ngecur në vend dhe nuk lëvizte as para dhe as mbrapa. Për pasojë pjesa e sipërme e autobusit është dëmtuar tërësisht si dhe është thyer një prej xhamave të mëdha të tij. Pasagjerët që janë ndodhur në autobus kanë përjetuar për disa minuta panik, sidomos në momentin kur mjeti është përplasur me anën e sipërme të shkëmbit. Policia mbërriti në vend dhe mori masa për të devijuar qarkullimin në një rrugë tjetër. Mbas shumë përpjekjesh të drejtuesit të mjetit si dhe të Policisë Qarkullimit Rrugor u bë e mundur nxjerrja e autobusit me indietro dhe rihapja e qarkullimit. Sipas policisë, mungesa e vëmendjes ndaj sinjalit tregues nga drejtuesi si dhe futja e gabuar e tij në tunel shkaktoi dëme të konsiderueshme të autobusit si pasojë e kapjes në shkëmb. Drejtues të mjeteve të rënda shpesh nuk respektojnë sinjalistikën, e cila tregon se këto mjete duhet të kalojnë nga rruga e ish-kampit të punëtorëve mbi tunel. Ata kalojnë për më shkurt nga tuneli, por bllokohen para se të dalin prej saj. Ministria e Transporteve ka në projektet e saj zgjerimin e tunelit në Vlorë, por ende nuk ka një afat të përcaktuar për ndërhyrje në të. q.b