E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekste shkollore për kulturën mjekësore

Kërkohet përfshirja e orëve ekstra kurrikulare të mësimit, me informacionin bazë për edukatën shëndetësore

Higjiena vetjake, duke nisur nga mënyra se si duhet të lajmë duart e deri tek informacioni “i përbërë” që duhet të kemi për vetveten dhe shëndetin tonë, do t’i mësojmë në vogëli.
Hap pas hapi, duke nisur nga “A” deri te “ZH” çdo vit shkollor nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve do të mësojnë, si pjesë të lëndëve në shkolla rregullat kryesore për higjienën vetjake, të dhënat e sëmundjeve, simptomave të tyre, si dhe ruajtjen apo mënyrën e imunizimit të organizmit nga mikrobet e “rrezikshme”. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë planifikuar të përfshijnë në tekstet mësimore, në orë ekstrakurrikulare, kapituj lidhur me trupin, shëndetin fizik dhe mendor të individit.
Programi
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky projekt i ri, tepër i rëndësishëm si për nxënësin ashtu edhe familjen ku jeton, do të sjellë zgjerim të horizontit të fëmijëve për sa i takon kujdesit vetjak, ruajtjen nga sëmundjet, si dhe do t’u kultivojë atyre mendësi se si të jenë më të shëndetshëm, fizikisht dhe mendërisht. Sipas këtij projekti, ata që do të kenë rolin kryesor në shpërndarjen e informacionit, në krijimin e orëve interesante suplementare dhe këshillim, do të jenë specialistët e shërbimit shëndetësor që punojnë në shkolla. Ata do të bëjnë punën kryesore duke krijuar në këtë mënyrë një pikëpamje të re për të gjithë nxënësit në shkolla. Ashtu sikundërse në edukatë qytetare nxënësit sot mësojnë se çfarë janë vijat e bardha, kur duhet ta kalojmë rrugën, dhe rregulla të tjera qytetare, ata do të mësojnë edhe “alfabetin” për t’u kujdesur për shëndetin e tyre dhe të familjarëve. Vitet e fundit, kjo mënyrë mësimi, me tekste dhe programe ekstrakurrikulare, të cilat janë të thjeshta, por edhe shumë të vlefshme për qytetarët e ardhshëm europianë është parë si tepër efikase nga specialistët. Lëndët e para ekstrakurrikuale apo edhe të përfshira në tekstet shkollore, kanë qenë lidhur me problemet e mjedisit. Nëpërmjet teksteve të shkurtra, figurave me ngjyra, problemeve, por edhe pyetjet të cilat stimulojnë nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike marrja e informacionit bëhet më e këndshme, por njëkohësisht edhe më argëtuese për auditorin.
Kurrikulat shtesë
Me të njëjtin motiv, “për të kultivuar një brez sipas standardeve europiane”, në sajë të një bashkëpunimi multidisiplinor është realizuar botimi më i ri, për nxënësit e shkollave. Ky libër i cili do të shpërndahet në shkolla, do të jetë një material shtesë, kurrikula ekstra me qëllimin për të dhënë informacion të vlefshëm, por edhe bashkëkohor në të njëjtën kohë.
Botimi është përgatitur nga një grup i kualifikuar autorësh të njohur në fushat përkatëse, është i ndarë në 8 kapituj që trajtojnë përkatësinë gjinore lidhur me çështjet të tilla si të drejtat e njeriut dhuna në familje, shëndeti riprodhues, qytetaria, mjedisi, zhvillimi i karrierës dhe integrimi europian. Libri është me vlera njohëse dhe praktike për çdo qytetar të interesuar në barazinë e drejtësinë gjinore.
Ky botim mendohet se do të ketë hapësira për promovimin e vlerave europiane të lidhura ngushtë me çështje tepër të ndjeshme, për të cilat brezat e vegjël duhet të kenë mendime të konsoliduar dhe të vërteta duke stimuluar kështu një klimë më të “ngrohtë” për të ardhmen e Shqipërisë dhe tolerancë mendimesh me BE-në.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›