E Hënë, 2 Nëntor 2026

Asnjë gjurmë gishti në pistoletën e shefit të Krimeve

03/03/2005  Ekspertiza në prokurori. Çështja i kalon akuzës ushtarake

Përfundon ekspertiza e pistoletës së shefit të Krimeve të Komisariatit nr.4 në kryeqytet, Artan Cuko, me të cilën u vetëvra Astrit Daka, disa ditë më parë. Ekspertët kanë konkluduar se në armë nuk janë gjetur as gjurmët e gishtërinjve të shefit të Krimeve dhe as të viktimës, Astrit Daka. Por specialistët kanë konkluduar se në njërën dorë të Dakës janë gjetur shenja baruti, ndërsa në duart e Artan Cukos jo. Dyshohet sipas provave që disponohen deri tani, që thërrimat e barutit të kenë mbetur në dorën e Dakës, kur ky ka shkrehur armën në kokën e tij, pasi ia rrëmbeu pistoletën nga brezi shefit të Krimeve.

Ekspertiza

Burime të sigurta nga Prokuroria e Tiranës, thanë dje për gazetën “Metropol”, se këto ditë ka mbërritur aty rezultati i ekspertizës, që u krye mbi pistoletën e shefit të Krimeve, Artan Cuko, me të cilën dyshohet se u vetëvra Astrit Daka. Sipas burimeve nga ekspertiza, është konkluduar se aty nuk janë gjetur fare gjurmë gishtërinjsh. Në materialin e rezultatit të ekspertizës, rezulton që në armë të mos ketë pasur gjurmë gishtërinjsh të Dakës dhe as gjurmë të gishtërinjve të Cukos. Por nga një ekspertizë paraprake, që është kryer në duart e të dyve, rezulton që të jenë gjetur thërmija baruti në një dorë të Dakës, ndërsa në duart e shefit të Krimeve nuk është gjetur asgjë. Burimet pohojnë se, kjo ekspertizë u krye fillimisht për të konkluduar në vërtetësinë e deklarimeve të shefit të Krimeve, se Astrit Daka u vetëvra.

Hetimi

Hetimin për vetëvrasjen e Astrit Dakës do ta kryej Prokuroria Ushtarake. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se dosja do të kalojë për shqyrtim hetimor në Prokurorinë Ushtarake, për shkak të vendit të ngjarjes. Kjo, pasi Daka, i cili dyshohet të jetë vetëvrarë, ishte në zyrën e shefit të Krimeve në Komisariatin nr.4, kur kreu aktin. Gjithashtu do të shikohet edhe pozicioni i Cukos, ku, sipas dëshmisë së tij, Daka i rrëmbeu pistoletën nga brezi, ndërsa po nderte xhaketën në varëse. Burimet sqarojnë se do të vendoset nëse do të ketë ndonjë masë ligjore ndaj shefit të Krimeve për shkelje të rregullave gjatë shërbimit ushtarak. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e ndjekjes së hetimit të kësaj çështjeje nga Prokuroria Ushtarake, sqarojnë burimet. Ato përfundojnë se do të rishikohen edhe njëherë rrethanat në të cilat Daka i ka rrëmbyer pistoletën Cukos dhe mundësisë së këtij të fundit për të shmangur aktin e vetëvrasjes së vëllait, të arratisurit nga Burgu i Shkodrës, Bujar Daka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›