E Hënë, 2 Nëntor 2026

Organizatorët ndoqën vrasjen e Lames në kompjuter

03/03/2005  3 mikrokamera fokusuan atentatin në “Laptop-in” e vëzhguesve

Në ashensorin ku mëngjesin e së hënës humbi jetën biznesmeni i njohur, Vajdin Lame dhe miku i tij, Artan Arsi, pas një shpërthimi të fuqishëm eksplozivi, dyshohet të kenë qenë të montuara tri mikrokamera. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime pranë grupit hetimor të kësaj çështje te Krimet e Rënda.

Hetimi

Sipas këtyre burimeve, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe rindërtimi i skemës së saj, mendohet se në ashensor ka pasur mikrokamera. Fakti mbi të cilin kanë lindur dyshimet e hetuesve është se, atentatorët kanë pasur si synim që të mos kishte asnjë mundësi për dështimin e planit të tyre. Gjithashtu, dyshimet e një lidhjeje të mundshme të atentatit të parë te TVA-ja, kanë ngritur arsyetimin se atentatorët kanë dashur me domosdoshmëri eliminimin e Lames, këtë herë. Sipas ekspertëve, të cilët janë kontaktuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda, që po hetojnë çështjen, pamjet e fiksuara nga mikrokamerat kapen nga antena jo shumë të sofistikuara në një largësi të caktuar dhe shfaqen të qarta në kompjuterat “Laptop”. Burimet nga organi i akuzës pohojnë se, dyshohet se prezenca e shenjestrës në ashensor mund të jetë ndjekur nëpërmjet këtyre mikrokamerave, çmimi i të cilave, sipas informacioneve, në tregun e zi nuk i kalon 7 mijë lekë të reja dhe mund t’i sigurosh me lehtësi.

Dyshimet

Kështu, dyshohet që atentatorët ta kenë ndjekur në ekranin e kompjuterit Lamen dhe kanë vënë në lëvizje telekomandën e montuar mbi eksploziv, duke mos i lënë asnjë shans për të shpëtuar. Ndërsa, përsa i përket hetmit, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka arritur në asnjë version zyrtar apo emër konkret si autor të ngjarjes. Burimet shprehen se është konkluduar se për atentatin kanë bashkëpunuar disa persona dhe se gjithçka ka qenë e mirorganizuar që më parë. Por nuk është arritur deri në stadin e tanishëm të hetimeve të identifikohet asnjë prej tyre, pasi nuk ka mbetur asnjë provë për të çuar tek ata. Burimet theksojnë se, edhe shoqërimi i dhjetëra personave të dyshuar se mund të kenë pasur dijeni mbi ngjarjen, nuk ka nxjerrë gjë në dritë për hetimin. Ato thonë se po hetohet dhe po verifikohet mbi të gjitha pistat e mundshme, por deri tanimë nuk është arritur në emra apo motiv konkret të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›