E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana e gdhin në festë natën e çlirimit të atdheut

Një natë e paharruar, krejt ndryshe nga festimet e deritanishme. Tirana ka qenë e pagjumë, pavarësisht motit të keq. E para që ka hapur dyert për të gjithë qytetarët kureshtarë, por edhe për dashamirësit ka qenë Bashkia e Tiranës. Aty ku nuk është e thjeshtë të hysh çdo ditë, në Natën e Bardhë kanë mundur që ta inspektojnë të gjithë ata që kanë dashur. Të ndezur kanë qenë edhe disa nga sheshet kryesore në kryeqytet, por jo vetëm "Skënderbej" dhe "Nënë Tereza". Në vitin e pestë të festimeve për Natën e Bardhë të përkujtimit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë, edhe festa është shpërndarë në të tjera pika të rëndësishme kryeqytetase. Partizani i Panjohur ka marrë sërish vëmendje këtë vit pas festimeve të Ditës së Çlirimit të Tiranës më 17 nëntor. Në sheshin e rikonstruktuar rishtazi, një grup të rinjsh ka përcjellë atë që u quajt "ndjesitë e bardha". Një skenë artistike, tinguj të ngrohtë pianoje dhe recitime poezish të autorëve më të njohur shqiptarë e të huaj, si dhe krijime të vetë të rinjve i kanë dhënë një pamje tërësisht evropiane mbrëmjes në këtë shesh. Ndërsa një kuartet harqesh ka luajtur pjesë të ndryshme klasike për kryeqytetasit e mbledhur enkas në këtë natë. Tejet e ndezur ka qenë edhe atmosfera në zonën e ish-Bllokut, ku grupet e muzikës rok, aq të preferuara për të rinjtë, janë bërë protagoniste të kësaj mbrëmje, duke "pushtuar" zonën me ritmet e tyre moderne. Nuk kanë munguar as shfaqjet e ritmeve të tjera muzikore moderne, si ato të "hip-hop"-it, të preferuara veçanërisht prej adoleshentëve.

Të suksesshëm ishin në Natën e Bardhë edhe të rinjtë që kanë kërkuar dhe kanë dhënë përqafime me qytetarë që dolën për të festuar. Shumë të rinj të veshur me bluza dhe pankarta: "Përfaqomë" kanë ecur nëpër rrugët e qytetit, duke ndarë me kalimtarët disa momente njerëzore. Edhe bulevardi "Dëshmorët e Kombit" ka përjetuar një gjallëri të veçantë në këtë natë të gjatë e të ftohtë, por plot energji dhe vitalitet. Në pistën gjigante të pozicionuar në këtë bulevard, që është cilësuar edhe risia e mbrëmjes, balerinët profesionistë kanë ftuar në vallëzime spektatorët dhe kalimtarët, duke i dhënë një tjetër shije festës. Një tjetër ndalesë festive ka qenë edhe ajo te "Muzeu i flamujve", i pozicionuar te lulishtja "Vëllezërit Frashëri". Aty është realizuar edhe këtë vit një muze me copëza të historisë sonë, rrethuar nga zjarre që kanë ngrohur mbrëmjen. Tematika e tij i është kushtuar 100-vjetorit të Himnit të flamurit kombëtar.

Sheshi "Skënderbej", ashtu si çdo vit, ka qenë edhe zemra e festës, që ka mbledhur më shumë vizitorë se çdo ditë tjetër.

Plot kureshti, shumë qytetarë janë afruar pranë ekspozitës dedikuar pikturës, grafikës, fotografisë-arteve pamore rreth pavijonit të ekspozimit të Planit Rregullues. Edhe fëmijët nuk kanë mbetur më pas. Kanë braktisur gjumin me dëshirën për t‘u bërë protagonistë të shfaqjeve të posaçme të organizuara për ta. Por kanë dëgjuar edhe përralla, vjersha e tregime në atmosferën e ndriçuar të lulishtes pranë "Skënderbeut".

Në këtë shesh, në shkallët e Pallatit të Kulturës është zhvilluar më pas edhe koncerti i përvitshëm me muzikë të lehtë, moderne e turbo-folk, me këngëtarë të njohur nga mbarë trevat shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›