Vjedhja e kabllove dhe kabinave elektrike zhyt në errësirë Fierin
Jo vetëm kufizimet e energjisë elektrike, që po aplikohen me orare në të gjithë zonën e Fierit, por edhe vjedhja e kabllove është kthyer prej javësh në një faktor më shumë për mungesën e energjisë. Sipas kreut të Njësisë Elektrike të Filialit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier, Aleksandër Bardhi, mësohet se janë të shumta rastet kur janë identifikuar vjedhje dhe dëmtime të linjave elektrike. "Hajdutët kanë arritur deri aty sa të cenojnë edhe linjat e tensionit të lartë, si dhe po plaçkitin kabinat e lagjeve dhe blloqeve të pallateve. Ky është një shkak më shumë i mungesës së energjisë elektrike në zonën e Fierit", tha drejtori Aleksandër Bardhi. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë grabitur disa kabina elektrike në blloqe dhe lagje të ndryshme të qytetit të Fierit, Patosit, e Roskovecit. "Vjedhja ka ndodhur në kohën kur këto kabina nuk furnizoheshin me energji", thonë punonjësit e brigadave të avarive në Njësinë Elektrike të qytetit të Fierit. Vjedhja e kabllove dhe kabinave është identifikuar kur është kthyer energjia dhe një pjesë e madhe e lagjeve të qyteteve të sipërpërmendura kanë mbetur në errësirë të plotë. Kështu, dy net më parë kanë mbetur pa energji, për shkak të vjedhjes së kabllove, më shumë se 40 familje të lagjes "Kryengritja e Fierit", si dhe të lagjes "16 Prilli". Banorët janë ankuar për mungesën e energjisë në zyrat e OSSH-së së Fierit dhe specialistët e këtij operatori, pasi kanë bërë kontrollet e nevojshme, kanë konstatuar vjedhje të kabllove. Mbrëmjen e së premtes, "puna" e hajdutëve të linjave elektrike ka shkaktuar djegien e tre transformatorëve. Djegia e transformatorëve pas vjedhjes së kabllove ka lënë pa energji një numër të madh familjesh përgjatë gjithë natës së të premtes dhe paradites së djeshme. Specialistët e degës së shpërndarjes kanë pohuar për gazetën se dukuria e vjedhjes së kabinave dhe kabllove ka sjellë probleme të dukshme në furnizimin e rregullt me energji për konsumatorët. Për ta çuar drejt zgjidhjes situatën dhe për të gjetur autorët e këtyre vjedhjeve, vetë drejtuesit e OSSH-së kanë kërkuar ndihmën e komunitetit për denoncimin e rasteve të tilla. "Në këtë kuadër po punojnë edhe uniformat blu të Komisariatit të Policisë Fier, të cilat janë vënë në kërkim të autorëve, që po shkaktojnë këto anomali në furnizimin me energji elektrike", tha drejtori i Njësisë Elektrike Fier, Aleksandër Bardhi. Zyrtarisht, Filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier ka bërë me dhjetëra denoncime për vjedhje në linjat elektrike, ndërkohë që janë zhvilluar takime të ndryshme mes drejtuesve të filialit dhe krerëve të komisariatit për ta bërë prezent këtë shqetësim.