E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada prish ujësjellës dhe linja elektrike

Një numër ujësjellësish në fshatrat e Kukësit janë dëmtuar ditët e fundit, për shkak të punimeve në autostradën Durrës-Kukës. Në fshatin Breglum, për herë të tretë, që nga fillimi i punimeve të autostradës, dy vjet më parë, është prishur tubacioni që furnizon me ujë rreth 300 familje. Kryeplaku i fshatit tha se prej një jave banorët janë pa ujë të pijshëm, pasi firma e ndërtimit të urave ka prishur tubin kryesor dhe as kujtohet njeri për të. "E kemi bërë problem te pronarët e firmës "Granit", por ende gjendja është e tillë", tha kryeplaku Qerim Matmuja. Ai shtoi se ishte ankuar edhe te pushteti rajonal, si dhe te prefektura, në mënyrë që firma që ndërton të marrë masa për të mos prishur infrastrukturën e fshatit, por nga askush nuk ka marrë një përgjigje kompetente. Nga ana e ndërtuesve, një teknik i zbatimit tha se tre herë tubi është prishur pa dashje dhe se firma do ta riparojë në të ardhmen. Edhe tensioni i lartë në aksin e autostradës vazhdon të sjellë probleme. Prej shumë ditësh, në aksin prej urës së Drinit të Zi e deri tek "ura gjashtëmetroshe" linjat që sjellin energjinë përbëjnë një problem edhe për vetë ndërtuesit. "Zhvendosja e disa shtyllave të rrymës nuk është një punë rutinë, por kërkon studime të caktuara, në mënyrë të veçantë ato të tensionit të lartë 110 kilovolt", tha një funksionar i filialit të elektrikut. Në qytetin e Kukësit janë katër shtylla të tilla që duhen zhvendosur, por për këtë do të duhet të vendosë dikasteri qendror, që do ta udhëheqë një punë të tillë me projekte dhe me fondet e duhura. Hë për hë, mes ndërtuesve dhe elektrikut është gjetur një "zgjidhje" e tillë që, kur punon ekskavatori s‘takohet rryma për konsumatorët, për të shmangur, siç tha një manovrator, incidentet e rënda me rrymën. Në rastet kur linjat janë dëmtuar nga puna me ekskavator, mijëra banorë mbetet për ditë të tëra pa drita.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›