E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë hap fals për kryesuesit, Besa konsolidon Intertoton



Dueli Dinamo-Partizani për titullin kampion duket se do të vendoset javën e fundit të Kampionatit të 69-të Kombëtar. Dy skuadrat kryesuese- Dinamo ka dy pikë më shumë se Partizani- fituan respektivisht me Elbasani (3-1) dhe Tiranën (2-1).
DREJT EUROPËS
DINAMO është e denjë për botën e çudirave. Humbi dy javë më parë në Kupën e Shqipërisë me Vllazninë 4-0, fitoi në kampionat me Flamurtarin 6-0; humbi sërish në Kupë me Vllazninë 3-0 dhe fitoi në kampionat me Elbasanin 3-1. E “shëmtuar” në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, e “bukur” në kampionat. Për trajnerin e Dinamos, Ilir Daja triumfi ndaj ish-ekipit, me të cilin fitoi kampionatin në sezonin 2005-2006, fitorja ishte një punë fëmijësh. Poçi 14’, Pejiç 22’ në pjesën e parë dhe Allmuça 53’ në të dytën realizuan për “Blutë” (47 gola në kampionat, sulmi më i mirë), ndërsa për verdheblutë e Alimehmetit, golin e nderit e shënoi kapiteni Julian Ahmataj në minutën e 77-të nga pika e bardhë.
PARTIZANI arriti suksesin e dytë sezonal me Tiranën, por kësaj radhe me shifrat 2-1, e jo 4-1 si në fazën e dytë. Për të dhuruar tri pikët e çmuara për të kuqtë, “ndihmoi” edhe kapiteni i Tiranës, Klodian Duro, i cili nuk realizoi nga pika e bardhë, pikërisht në sytë e trajnerit të Kombëtares, Ari Han. Kjo ishte penalltia e parë, që Duro nuk realizon në këtë kampionat (3 gola të tij nga pika e bardhë). Partizani dominoi plotësisht ndajë në Tirane, që luajti për 50 minuta me dhjetë vetë pas largimit me karton të kuq të Sinës. Dhembi realizoi golin e parë më kokë në të 19’ pas goditjes së lirë të ekzekutuar nga Elis Bakaj. Daniel Xhafaj vendosi ekuilibrat në të 52’, por ishte mesfushori i Partizanit, Elis Bakaj që vulosi shifrat 2-1 në të minutën e 61.
BESA nga ana e saj me fitoren në Shkodër me Vllazninë (2-3), hodhi një hap të madh në konsolidimin e vendit të tretë, kur katër javë përpara përfundimit të sezonit, ndodhet me katër pikë më shumë se Tirana e vendit të katërt. Bledar Mancaku çeli serinë golave për ekipin kavajas, duke shënuar nga pika e bardhë në të 24’. Kjo ishte edhe penalltia e katërt e realizuar nga sulmuesi durrsak i Besës në tri javët e fundit. Besa dyfishoi rezultatin me anë të Prognit (50’), duke sjellë edhe protestat e tifozerisë së pakët shkodrane në “Loro Boriçi”. Vioresin Sinani në minutën e 56-të (goli i 20-të i tij sezonal) dhe i riu Raboshta barazoi përkohësisht shifrat në të 60’. Fitoren për formacionin kavajas e firmosi Bledar Mancaku në minutën e 80-të, duke i dhënë shpresë Besës për një vend në Kupën Intertoto.
LUFTA PËR MBIJETESË
Kastrioti fitoi 2-0 me Skënderbeun në transfertën e luajtur në Elbasan, duke këmbyer vendet me Teutën pas përfundimit të javës së 29-të. Krutanët e Ramazan Ndreut, tashmë ndodhen në vendin e 8-të me një pikë më shumë se durrsakët. Golat për Kastriotin u shënuan në pjesën e dytë. Erald Turdiu realizoi nga pika e bardhë në të 49’, ndërsa Erion Rizvanolli dyfishoi shifrat në 57’. Shtubina i Skënderbeut humbi një penallti përballë portierit të Kastriotit, Tafaj.
Teuta dhe Flamurtari (1-1) ndanë nga një pikë në Durrës. Denis Mema (51’) realizoi golin e Flamurtarit, ndërsa për Teutën barazoi djali i trajnerit Kristaq Mile, Vangjel Mile nga pika e bardhë (53’). Loja u ndërpre për rreth shtatë minuta pasi braziliano-kroati i Flamurtarit, Alvezh humbi ndjenjat pas u godit nga një gjuajtje e fuqishme me top në kokë. Pasi morri ndihmën mjekësore lojtari u dërgua në spitalin e qytetit të Durrësit.
Besëlidhja hodhi një hap të madh të gabuar në shtëpi. Skuadra e Ilir Gjylës humbi në Lezhë 2-0 me Shkumbinin. Dy golat për peqinasit i realizoi Mustafaj (60’, 74’). Besëlidhja ndodhet në zonën e “ngrirjes” (vendi i 11-të), duke qenë ekipi i dytë i mundshëm të shoqërojnë Skënderbeun e rrëzuar në Kategorinë e Parë.

Kategoria Superiore
Java 29
26 prill, ora 16:30

Dinamo-Elbasani 3-1
Golat: Poçi 14’, Pejiç 22’, Allmuça 53’/ Ahmataj 77’ (p)
Partizani-Tirana 2-1
Golat: Dhembi 19’, Bakaj 61’/ Xhafaj 52’
Në të 71’ Duro (Tirana) nuk shënoi me penallti
Vllaznia-Besa 2-3
Golat: Sinani 56’, Raboshta 60’/ Mancaku 24’(p) 80’, Progni 50’
Besëlidhja-Shkumbini 0-2
Golat: Mustafaj 60’, 74’
Teuta-Flamurtari 1-1
Golat: Mile 53’ (p)/ Mema 51’
Skënderbeu-Kastrioti 0-2
Golat: Turdiu 49’ (p), Rizvanolli 53’. Në të 73’ Shtubina (Skënderbeu) nuk shënoi me penallti

Renditja
1 Dinamo 58
2 Partizani 56
3 Besa 50
4 Tirana 46
5 Elbasani 44
6 Vllaznia 42
7 Shkumbini 41
8 Flamurtari 37
9 Kastrioti 32
10 Teuta 31
11 Besëlidhja 28
12 Skënderbeu 11

KATEGORIA E PARË
Java 30

Tepelena – Sopoti 0-1
Tomori – Luftëtari 1-0
Pogradeci – Turbina 2-0
Dajti – Gramshi 2-0
Lushnja - Ada 0-0
Laçi - Skrapari 2-1
Naftëtari – Apolonia 1-3
Bylis – Burreli 1-0
Bilishti - Erzeni4-0

Renditja
1. Bylis 68
2. Apolonia 63
3. Lushnja 59
5. Laçi 56
4. Burreli 56
6. Ada 49
7. Skrapari 42
8. Dajti 43
9. Pogradeci 41
10. Bilishti 40
11. Luftëtari 38
12. Turbina 38
13. Naftëtari 37
14. Sopoti 36
16. Tomori 31
15. Erzeni 29
17. Gramshi 26
18. Tepelena 10

Curri pas golit: “Siguruam mbijetesën”

“Siguruam mbijetesën në kampionat”. Kjo ishte deklarata nga Ukraina e Debatik Currit, i cili realizoi edhe golin e parë nga pika e bardhë në fitoren 3-0 në transfertë të Vorskla Poltava me Kharkiv. “Zhvilluam një lojë të jashtëzakonshme dhe ishim superiorë ndaj kundërshtarit. Goli ishte i pesti për mua në kampionat ”, -shtoi kosovari, i cili luan si mbrojtës majtë në skuadrën ukrainase. Dy golat e tjerë mbajnë firmën e Chichikov (43’) dhe Esin (57’). Edhe në derbin e “shqiptarëve”, Vorskla-Kryvbas (javën e kaluar), Curri realizoi po me penallti në prani dhe të trajnerit të Kombëtares, Ari Han. “Luajtëm shumë fort. Si unë e Armend Dallku, i cili luan si mbrojtës i majtë. I mbuluam mirë sulmuesit kundërshtarë, për të arritur fitoren e katër radhazi”, - shton Curri, autori i golit fantastik kundër Holandës në humbjen 2-1 të Kombëtares sonë në Amsterdam për eliminatoret e Euro 2008. Curri shprehet i kënaqur, që Shqipëria do të luajë miqësoren me Poloninë. “Han na ndoqi në Ukrainë, por unë besoj se të gjithë lojtarët që do të thirren në ndeshjet miqësore të Kombëtares do të japin më të mirën e tyre në grumbullimin që do të kryhet në Gjermani”. Për rreth 15 minuta në takimin Kharkiv-Vorskla Poltava luajti edhe kosovari Ahmed Jonuzi.

Han përgatit listën në “Qemal Stafa”

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han ka ndjekur dje nga tribuna e stadiumit “Qemal Stafa”, derbin Partizani-Tirana. Tekniku kuqezi shoqërohej nga një ish-kuqezi tjetër, tashmë anëtar i KE dhe specialist futbolli, Medin Zhega. Në një prononcim për mediat shqiptare Han ka pohuar kënaqësinë e tij për zgjidhjen e konfliktit mes FSHF-së dhe MTKRS-së e cila do të çojë në kthimin e Shqipërisë në FIFA dhe UEFA. Tekniku holandez theksoi gjithashtu se do të përpilojë një listë për ndeshjen me Poloninë e cila do të ndryshoj goxha në krahasim me listën e nxjerrë për miqësoret e anuluara ndaj Arabisë Saudite dhe Moldavisë.

Kapllani, vjen goli historik në Bundesligë

I është kthyer zanatit të tij, atij të goleadorit më në fund Edmond Kapllani. Pas shumë javësh në shterpësi totale sulmuesi shqiptar ka sigluar golin e tij të parë për këtë sezon dhe të parin në karrierën e tij në Bundesligën e Parë Gjermane. Sulmuesi i kombëtares sigloi golin e tretë dhe të avantazhit të përkohshëm për skuadrën e tij Karlsruher në barazimin 3-3 me Verder Bremenin. Kapllani luajti që nga minuta e parë kjo edhe për shkak të dëmtimit tre ditë më parë të sulmuesit tjetër të Karlsruhe, Kenedi. Ervin Skela dha dy asitët e golave në fitoren 2-1 të Energi Kotbus me Hansa Rostok.

Super-Balak mposht “Djajtë”

Ndeshja e vitit në Premier Lige, Çelsi-Mançester Junaitid pa fitimtar “Blutë” e miliarderit rus, Roman Abramoviç, por fitorja mban vulë tërësisht gjermane. Mikael Balak realizoi dy golat (një me penallti) në fitoren 2-1 të Çelsit, që solli edhe barazimin me pikë me skuadrën e Mançester Junajtid. Andrei Shevçenko mund të ketë bërë dje gjënë më të rëndësishme të karrierës së tij londineze në “Stamford Bridge” duke larguar një top nga vija fatale në minutën e 93-të të ndeshjes dhe mban ende në lojë skuadrën e tij për titullin kampion. Tashmë kampionati anglez mund të quhet i hapur kur kanë mbetur dhe dy javë për tu luajtur dhe të dyja skuadrat janë me pikë të barabarta (81 pikë).

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›