Rama e Veliaj në Bruksel: “Pas ftesës në NATO, të aplikojmë për t’u anëtarësuar në BE”
Marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka sjellë optimizëm në arenën politike shqiptare, e cila tashmë ka hedhur vështrimin edhe nga mundësia e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Optimizmi dhe reagimi pozitiv nuk i ka munguar as kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka marrë pjesë dje në Bruksel në aktivitetin e organizuar nga European Policy Center (Qendra e Politikave Evropiane), me temë: "Shqipëria përpara portave të NATO-s dhe të BE-së: mes miteve dhe realiteteve."
Krue i PS-së u shpreh në këtë takim se: “Shqipëria duhet të përfitojë nga momenti pozitiv i marrjes së ftesës për në NATO dhe të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtar edhe në Bashkimin Europian”. Rama tha se opozita do të nxisë qeverinë shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të aplikojë brenda këtij viti, për të fituar statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar edhe në BE. “Shqipëria ka humbur shumë kohë për shkak të një politike të vjetër sherresh për interesa të politikanëve që janë fshehur para syve të popullit, i cili është marrë peng. Opozita është e vetëdijshme për rëndësinë e imazhit të Shqipërisë dhe për paraqitjen e interesave të shqiptarëve përtej interesave të ditës. Sot unë shpreha para një audience të rëndësishme bindjen time se ne duhet ta nxisim procesin e integrimit duke përshpejtuar hapat dhe nxitur qeverinë që të aplikojë për statusin e kandidatit, duke filluar nga vjeshta e ardhshme”, - tha Rama gjatë një prononcimi mediatik. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe kreu i Lëvizjes G99, Erion Veliaj, i cili ashtu edhe si Rama, ka deklaruar se ka ardhur koha për anëtarsimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Tashmë në Bruksel shkohet për të avokuar per Shqipërinë dhe integrimin e saj të shpejtë në BE dhe jo për të sharë qeverinë e rradhës. Ne inkurajojmë qeverinë shqiptare që brenda këtij viti të aplikojë për statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian. Në sfidat e reja që e presin vendin deri në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE, qytetarët shqiptarë duhet të jenë më të informuar dhe më të përfshirë"- tha Veliaj.
29 Prill 2008