E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë kg sheqer e oriz nuk importohet në 3 muaj

14/04/2009  Vitin e shkuar u importuan 52 mijë ton. Dyshime për spekulime në çmim

DURRES- Një sërë mallrash ushqimore, por edhe produkte të ndryshme nuk janë importuar që nga fillimi i vitit duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e dukshme të çmimeve. Grosistët e sheqerit dhe orizit kanë mundur të ruajnë “të drejtën” e monopolit edhe vitet e fundit paçka se është folur shumë për liberalizimin. Në tre muaj të këtij viti nuk është përpunuar asnjë kg sheqer e oriz, ndërkohë që vitin e kaluar për tremujorin e parë janë përpunuar plot 52 mijë ton oriz e sheqer. Edhe pse janë ndërmarrë një sërë masash për të shkatërruar monopolet, qeveria e ka pasur të pamundur ta deklarojë këtë luftë të fituar.

Importi zero

Këtë vit, si 3-mujor, janë importuar 28.8 mijë ton karburant dhe 51.9 mijë ton hekur më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë bie në sy rënia e sasisë së mallrave të eksportuar. Fasonistët si dhe agroushqimoret e agrotregtarët kanë eksportuar më pak mall për vendet e perëndimit duke nxjerrë bilanc negativ. Specialistët thonë se një situatë e tillë është më se normale për fatin se në disa mallra ka stok në magazinë, ndërsa në disa të tjera ende linjat janë në proces e sipër. Ata madje thonë se nuk ka asnjë shqetësim lidhur me shifrat e treguara dhe kurbën e grafikut pasi të dhënat nisin e lëvizin pas 3-mujorit të parë. Nisur nga gjykimi i tyre, specialistët mendojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë krizë dhe as për ndryshim të kursit nga ana e tregtarëve në zgjedhjen e porteve të përpunimit të mallrave. Fasonistët janë ndeshur vitet e fundit me futjen në vendet e zhvilluara të mallrave në tregun e lirë kinez dhe kjo e ka bërë më të ndjeshme konkurrencën e mbijetesën e fasonistëve. Punonjësit e tatimeve e taksave mendojnë se mund të ketë edhe spekulime pasi importuesit e orizit, të sheqerit, vajit dhe të disa artikujve të tjerë në vend që të rrisin sasinë e mallit të importuar luajnë me çmimin në tregun vendës duke e rritur atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›